Studentët kërkojnë në Kushtetuese rrëzimin e masave për protestat

Dy grupime studentore dhe katër organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar masat e reja të qeverisë që kufizojnë protestat, vendosin gjoba dhe lejojnë mbledhjen e të dhënave të qytetarëve. Ata kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të masave, ndërkohë që policia ka nisur zbatimin e tyre duke gjobitur protestues.

Studentët e dy grupimeve, “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, depozituan më 5 nëntor tri kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, për të kundërshtuar masat e miratuara nga qeveria më 28 tetor. 

“Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur”, shkruhej në deklaratën e përbashkët të grupimeve studentore, të cilat kundërshtojnë kufizimet për protestat dhe ndëshkimet e reja ndaj pjesëmarrësve.

Ata kërkojnë që gjykata t’i shfuqizojë dispozitat që, sipas tyre, cenojnë të drejtën e protestës, si dhe të ndalojë përkohësisht zbatimin e tyre deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. 

Në këtë nismë janë bashkuar Qendra Res Publica, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë dhe EcoAlbania.

Studentët dhe organizatat kundërshtojnë ndryshimet në ligjin “Për tubimet”, të cilat i japin policisë mundësinë të kufizojë protestat pranë institucioneve shtetërore, arsimore dhe shëndetësore, si dhe të urdhërojë largimin e personave nga zona të caktuara.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu gjoba deri në 500 mijë lekë dhe mundësinë që policia të kërkojë fshirjen e publikimeve në rrjetet sociale që përmbajnë thirrje për dhunë gjatë protestave.

Deklarata e përbashkët e grupimeve studentore, e shpërndarë në rrjetet sociale. Foto: Grupimet studentore.

Sipas studentëve, këto masa rrezikojnë të pengojnë edhe qytetarët që protestojnë paqësisht, duke i bërë të druhen nga gjobat dhe ndërhyrjet e policisë.

“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët”, shkruhej në deklaratën e tyre, ku shprehej shqetësimi se masat mund t’i frikësojnë qytetarët që kundërshtojnë qeverinë.

Një tjetër kundërshtim lidhet me vendimin për krijimin e një regjistri elektronik të personave të referuar në prokurori ose nën hetim për veprime të dhunshme gjatë protestave. Sipas rregullave të miratuara, të dhënat e tyre mund të përdoren edhe për kufizimin e daljes jashtë vendit apo për njoftimin e autoriteteve të huaja dhe strukturave të akomodimit.

Studentët dhe organizatat argumentojnë se një qytetar nuk duhet të përballet me kufizime të tilla vetëm sepse është referuar nga policia, pa u provuar fajësia e tij.

Ata kundërshtojnë edhe aktin për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave, i cili parashikon përgjegjësi financiare edhe për organizatorët. Sipas tyre, organizatorët nuk duhet të mbajnë automatikisht përgjegjësi për veprimet e dhunshme të personave të tjerë.

Kërkesat në Gjykatën Kushtetuese vijnë pasi masat e reja kanë nisur të zbatohen. Siç ka raportuar Media Amfora, më 3 nëntor Policia e Tiranës njoftoi vendosjen e 16 gjobave me nga 5 mijë lekë ndaj pjesëmarrësve në protestën studentore të një dite më parë.

Sipas policisë, protestuesit kishin bllokuar qarkullimin e automjeteve përpara Kryeministrisë dhe nuk u ishin bindur thirrjeve për lirimin e rrugës. Gjobat u vendosën në zbatim të aktit normativ të miratuar më 28 tetor.

Masat e qeverisë janë kundërshtuar më herët edhe nga 13 organizata të shoqërisë civile, të cilat kërkuan nga Kuvendi të shqyrtojë me kujdes ndryshimet dhe të garantojë se ndëshkimi i dhunës nuk do të kufizojë të drejtën e protestës paqësore.

“Shteti ka detyrimin të ndalojë dhunën, jo të dekurajojë protestën”, shkruhej në deklaratën e tyre të 3 nëntorit.

Qeveria i ka paraqitur masat si pjesë të përpjekjeve për të parandaluar dhunën dhe dëmtimin e pronës gjatë protestave. Sipas saj, e drejta e tubimit paqësor mbrohet dhe përgjegjësia për shkeljet duhet të jetë individuale.

Megjithatë, studentët dhe organizatat që iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese vlerësojnë se ndryshimet cenojnë të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe kërkojnë shqyrtimin e tyre me përparësi.

Depozitimi i kërkesave nuk e pezullon automatikisht zbatimin e masave. Për këtë duhet një vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk është shprehur për pretendimet e studentëve dhe organizatave.