Organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë masat e reja të qeverisë që kufizojnë të drejtën e protestës

Organizata të shoqërisë civile kanë kundërshtuar masat e miratuara nga qeveria për protestat, duke paralajmëruar se ato rrezikojnë të kufizojnë të drejtat e qytetarëve. Organizatat kërkojnë që Kuvendi të shqyrtojë aktet normative dhe të rishikohen dispozitat për gjobat, kufizimin e lëvizjes dhe mbledhjen e të dhënave personale.

Trembëdhjetë organizata të shoqërisë civile reaguan publikisht të martën kundër masave të miratuara nga Këshilli i Ministrave më 28 tetor, të cilat vendosin kufizime të reja për protestat. Në deklaratën e përbashkët, organizatat shprehin shqetësimin se masat e qeverisë, të ndërmarra pas përplasjeve gjatë protestave studentore, mund të cenojnë të drejtën e tubimit paqësor dhe liritë e qytetarëve.

“Organizatat tona dënojnë çdo akt dhune ndaj qytetarëve, gazetarëve, punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe çdo dëmtim të pronës publike apo private”, shkruhet në deklaratë.

Organizatat theksojnë se dhuna e ushtruar nga individë të caktuar nuk duhet të përdoret si arsye për të kufizuar të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht.

“Veprimet e dhunshme të individëve të veçantë nuk mund të përdoren për të kufizuar në mënyrë të përgjithshme të drejtën e qytetarëve për tubim paqësor dhe as për të vendosur përgjegjësi kolektive ndaj pjesëmarrësve apo organizatorëve të protestave”, theksohet në reagim.

Qeveria miratoi më 28 tetor një paketë që përfshin ndryshimet në ligjin “Për tubimet”, krijimin e një regjistri elektronik për persona të referuar ose nën hetim për akte dhune gjatë protestave dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara në tubime të dhunshme.

Siç ka raportuar më herët Media Amfora, ndryshimet lejojnë kufizimin e protestave pranë institucioneve shtetërore, arsimore dhe shëndetësore deri në 72 orë, me mundësi zgjatjeje edhe një herë. Ato parashikojnë gjithashtu gjoba deri në 500 mijë lekë për shkelje të caktuara të ligjit.

Organizatat vlerësojnë se kufizimet e tubimeve, të cilat mund të zgjasin deri në gjashtë ditë, duhet të mbështeten në prova konkrete dhe të jenë të domosdoshme për parandalimin e rrezikut. Ato kërkojnë që qytetarët të kenë mundësi t’i kundërshtojnë këto vendime në gjykatë dhe që ankesat e tyre të shqyrtohen në kohë.

Shqetësim ngrihet edhe për gjobat e larta, të cilat, sipas organizatave, mund t’i pengojnë qytetarët të marrin pjesë në protesta nga frika e ndëshkimit financiar.

“Frika nga sanksione të larta financiare mund të krijojë një efekt frenues mbi ushtrimin e së drejtës së tubimit, edhe kur kjo e drejtë nuk ndalohet shprehimisht”, shkruhet në deklaratë.

Një tjetër çështje që kundërshtohet është krijimi i regjistrit elektronik me të dhënat e personave të referuar ose nën hetim për vepra penale të kryera gjatë protestave. Sipas vendimit të qeverisë, në rrethana të përcaktuara, policia kufitare mund të refuzojë daljen jashtë vendit edhe kur ndaj personit nuk është vendosur një masë sigurimi që ndalon largimin.

Organizatat paralajmërojnë se përfshirja e një personi në regjistër nuk provon fajësinë e tij. Ato kundërshtojnë gjithashtu mundësinë e shpërndarjes së të dhënave personale tek autoritetet e huaja dhe subjektet private që administrojnë struktura akomoduese.

“Një person nuk duhet të përballet me kufizime të lirisë së lëvizjes apo pasoja në jetën private dhe profesionale vetëm sepse emri i tij figuron në një regjistër policor”, theksohet në deklaratë.

Organizatat kanë ngritur shqetësime edhe për përgjegjësinë financiare të organizatorëve të protestave. Sipas aktit normativ për kompensimin e dëmeve, shteti mund të kërkojë kthimin e shumave të paguara për dëmet e shkaktuara gjatë tubimeve të dhunshme, përfshirë nga organizatat që i kanë organizuar ato.

Në reagim kërkohet që organizatorët të mos mbajnë automatikisht përgjegjësi për veprimet e dhunshme të personave të tjerë, pa u provuar përgjegjësia e tyre konkrete.

Deklarata ndalet edhe te kompetenca e policisë për t’u kërkuar përdoruesve të rrjeteve sociale fshirjen e përmbajtjeve që nxisin dhunë gjatë protestave. Organizatat kërkojnë që këto masa të mos përdoren për të kufizuar kritikat politike, satirën apo shprehjen paqësore të mendimeve.

Posteri me mesazhin “Lufta kundër dhunës nuk duhet të kufizojë të drejtën e protestës paqësore”, i publikuar nga organizatat e shoqërisë civile nënshkruese të deklaratës.

Një tjetër kundërshtim lidhet me mënyrën se si qeveria i miratoi ndryshimet, përmes akteve normative me fuqinë e ligjit, të cilat hyjnë në fuqi menjëherë, por duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit të Kuvendit. Organizatat argumentojnë se përdorimi i kësaj procedure kërkon nevojë dhe urgjencë të provuar dhe nuk duhet të zëvendësojë debatin parlamentar e konsultimin publik.

Për këtë arsye, ato i kërkojnë Kuvendit të mos i miratojë aktet normative nëse qeveria nuk provon përmbushjen e kushteve kushtetuese.

Reagimi vjen pas protestave të studentëve dhe të rinjve, të nisura më 13 tetor në Tiranë, me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim, kundërshtimin e korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimet u përhapën edhe në qytete të tjera dhe u shoqëruan me përplasje mes protestuesve dhe policisë, persona të lënduar, arrestime dhe dëmtime të pronës.

Gjatë protestës kombëtare të 24 tetorit në Tiranë, 23 persona morën trajtim mjekësor, ndërsa Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 23 personave. Organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar më herët hetimin e rasteve të pretenduara të dhunës policore dhe mbrojtjen e të drejtës për tubim paqësor.

Deklarata e 3 nëntorit është nënshkruar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe 12 organizata të tjera të shoqërisë civile. 

Organizatat kërkojnë gjithashtu që Avokati i Popullit dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të vlerësojnë masat e miratuara. Ato bëjnë thirrje për hetimin e të gjitha akteve të dhunës gjatë protestave, përfshirë pretendimet për përdorim të paligjshëm të forcës nga policia.

“Shteti ka detyrimin të ndalojë dhunën, jo të dekurajojë protestën”, përfundon deklarata e përbashkët.