Kuvendi miratoi buxhetin 2027, opozita kundërshton rritjen e taksave dhe “favoret” për hotelet luksoze
Kuvendi miratoi buxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale mes kundërshtimeve të opozitës, e cila kishte propozuar dhjetëra amendamente, të cilat nuk u miratuan. Opozita kundërshtoi rritjen e taksave për biznesin e vogël, si dhe zgjatjen e lehtësive fiskale për hotelet me pesë yje deri në fund të vitit 2029.
Seanca plenare e Kuvendit. Foto: Kuvendi i Shqipërisë/Facebook.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në orët e para të mëngjesit të së premtes buxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale, mes kundërshtimeve të opozitës për rritjen e barrës së taksave ndaj biznesit të vogël, ndërkohë që, sipas deputetes demokrate Jorida Tabaku, u zgjatën lehtësitë fiskale për hotelet luksoze.
“Qeveria po fut në skemën e TVSH-së dhe po rrit taksat për 17 mijë e 500 biznese të vogla dhe profesionistë të lirë”, u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku përmes një videoje të publikuar të premten në rrjetet sociale.
Deputetja iu referua uljes së pragut të përfshirjes në skemën e TVSH-së në 5 milionë lekë xhiro vjetore, ndërkohë që sipas saj legjislacioni i Bashkimit Evropian parashikon një prag minimal prej 8.5 milionë lekësh.
Tabaku bëri të ditur se gjatë diskutimeve për buxhetin në orët e para të mëngjesit, Kuvendi miratoi amendamentin e propozuar nga një deputete e mazhorancës, duke zgjatur me tre vjet afatin e lehtësive fiskale për hotelet me pesë yje, nga fundi i vitit 2026 deri në fund të vitit 2029.
“Këta që thonë që do anulojmë ligjin e investimeve strategjike, se e kërkon BE-ja, sot po i rrisin favoret”, u shpreh Tabaku, duke kundërshtuar mungesën e transparencës në miratimin e amendamentit.
Në seancën plenare, që zgjati deri rreth orës 03:30 të mëngjesit të së premtes, Kuvendi miratoi buxhetin e vitit 2027 me 80 vota pro dhe 22 kundër, si dhe ndryshimet në pesë ligjet e paketës fiskale dhe dy aktet normative për tubimet dhe shpërblimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.
Përpara miratimit të buxhetit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kishte propozuar 28 amendamente. Në njoftimin zyrtar të Kuvendit nuk përmendet miratimi i asnjë prej tyre.
Mes propozimeve të demokratëve ishin vendosja e minimumit jetik në 20 mijë lekë në muaj, ulja në 6% e TVSH-së për ujin dhe energjinë elektrike, rritja e pensioneve, dyfishimi i ndihmës ekonomike dhe i fondit për rimbursimin e barnave.
Deputetët e opozitës kërkuan gjithashtu rritjen e pagave në arsim dhe shëndetësi, dhënien e pagës së 13-të për mësuesit, trefishimin e subvencioneve për bujqësinë, rritjen me 50% të fondeve të pakushtëzuara për bashkitë dhe pezullimin e pagesave për koncesionet që financohen nga buxheti i shtetit.
Sipas deputetes demokrate, rritja e TVSH-së në 21% do të sjellë një rritje zinxhir të çmimeve, duke rënduar koston e jetesës së qytetarëve, ndërsa kundërshtoi edhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburanti tek automjetet.
“Ky është buxhet i pakicës, nuk është buxhet për shqiptarët, është buxhet që i përgjigjet nevojave të klientëve të qeverisë”, u shpreh Tabaku.