Marta Kos, lufta kundër korrupsionit dhe zbatimi i reformave vendimtare për integrimin në BE

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Evropian, por theksoi se rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit, funksionimi i institucioneve dhe respektimi i standardeve mjedisore do të jenë vendimtare për ecurinë e procesit. Gjatë vizitës dyditore në Tiranë, ajo mbrojti të drejtën e protestës dhe bëri të ditur se Shqipëria pritet të përfitojë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes.

Shqipëria ka bërë përparim në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por zbatimi i ligjeve dhe rezultatet e institucioneve do të përcaktojnë ecurinë e mëtejshme të këtij procesi. Ky ishte një nga mesazhet kryesore që Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, përcolli gjatë vizitës së saj në Tiranë, më 26 dhe 27 nëntor.

Të enjten, më 26 nëntor, gjatë fjalës së mbajtur në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, pranë Kuvendit të Shqipërisë, Kos u ndal te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe te pavarësia e institucioneve, duke theksuar se rezultatet në këto fusha do të jenë vendimtare për vlerësimin e Shqipërisë nga shtetet anëtare të BE-së.

“Vëmendja do të përqendrohet te zbatimi. Te veprimet. Jo te fjalët”, deklaroi ajo, duke shtuar se prova vendimtare për shtetin e së drejtës do të jetë mënyra se si autoritetet reagojnë ndaj hetimeve, përfshirë rastet që kërkojnë llogaridhënie nga personat me pushtet.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj Kos ia kushtoi protestave qytetare dhe kërkesave për transparencë, luftë kundër korrupsionit dhe mbrojtje të mjedisit.

“Protestat paqësore janë pjesë e proceseve demokratike”, u shpreh komisionerja, duke sqaruar se Komisioni Evropian nuk mban anë në debatet e brendshme politike të Shqipërisë.

Ajo theksoi se disa prej shqetësimeve të ngritura gjatë protestave lidhen drejtpërdrejt me negociatat për anëtarësimin.

“Njerëzit që kërkojnë masa kundër korrupsionit, më shumë transparencë apo mbrojtje më të mirë të mjedisit mund ta ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën drejt BE-së”, deklaroi Kos, duke nënvizuar se këto kërkesa nuk e pengojnë integrimin.

Sa u përket negociatave, komisionerja vlerësoi se Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt brenda 13 muajve dhe ka mbyllur katër kapituj. Sipas saj, deri në fund të vitit pritet të jetë mbyllur pothuajse një e katërta e kapitujve të negociatave.

“Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë”, u shpreh Kos, por paralajmëroi se udhërrëfyesi i publikuar nga Komisioni Evropian nuk përbën garanci.

Ajo kërkoi gjithashtu përfshirje më të gjerë të qytetarëve dhe shoqërisë civile në hartimin e ligjeve, duke theksuar se integrimi evropian është një projekt kombëtar dhe jo vetëm i qeverisë apo i një partie politike.

Të premten, më 27 nëntor, Kos mori pjesë në Takimin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku u diskutua ecuria e zbatimit të Planit të Rritjes së BE-së për rajonin.

Gjatë fjalës së saj në hapje të takimit, komisionerja vlerësoi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave, duke njoftuar edhe financimin që pritet të përfitojë vendi.

“Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe ju do të merrni 185.6 milionë euro në pagesën e katërt”, deklaroi Kos.

Ajo shpjegoi se financimet e Planit të Rritjes lidhen me rezultatet e arritura nga vendet përfituese. Komisionerja bëri të ditur gjithashtu se BE-ja synon të zgjerojë gradualisht pjesëmarrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian, veçanërisht në sektorët e energjisë, transportit dhe teknologjisë digjitale.

Në këtë kontekst, Kos përmendi edhe Korridorin VIII, që lidh Durrësin me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, duke e cilësuar si pjesë të rrjetit strategjik të transportit evropian.

“Ne e shikojmë këtë korridor si pjesë të rrjetit më të madh dhe më të gjerë të lidhjeve hekurudhore dhe rrugore që lidhin Evropën Qendrore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, theksoi Kos.

Gjatë vizitës dyditore, komisionerja mori pjesë edhe në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë më 25-26 nëntor, ku u diskutuan mundësitë për tërheqjen e investimeve evropiane dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.