Teatri i Kukullave në qendër të debatit për kthimin në qendër hebraike
Shqetësimi i ngritur nga gazetari Blendi Fevziu gjatë një interviste për mundësinë e kthimit të Teatrit të Kukullave në Tiranë në një qendër kulturore hebraike riktheu debatin publik për të ardhmen e godinës. Ndonëse ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë pretendim si një aludim pa asnjë bazë, raportimet e vitit 2017 tregojnë se një propozim i tillë ishte diskutuar më parë.
Godina historike e Teatrit të Kukullave në Tiranë. Burimi: Rrjetet sociale të Teatrit të Kukullave.
Gjatë një interviste për podkastin “Pjaca në Media Radar”, gazetari Blendi Fevziu ngriti shqetësimin për përdorimin e mundshëm të godinës historike të Teatrit të Kukullave në Tiranë për një funksion tjetër nga ai aktual.
“Unë kam insistuar vazhdimisht dhe kam ngritur shqetësimin nëse ndodh që Teatri i Kukullave të kthehet në një qendër hebraike, siç pretendohet”, tha Blendi Fevziu në një intervistë për podkastin “Pjaca në Media Radar”, të gazetarit Alfred Peza, të publikuar më 16 nëntor.
Megjithëse intervista kishte në qendër zhvillimin urban të Tiranës dhe librin “Tirana e Nonës”, shqetësimi i ngritur nga Fevziu nxiti diskutime mbi mundësinë e shndërrimit të godinës në një qendër kulturore hebraike. Gazetari nuk konfirmoi ekzistencën e një vendimi aktual për ndryshimin e funksionit të godinës, por iu referua një plani të diskutuar disa vite më parë
Duke kundërshtuar një ndryshim të mundshëm të përdorimit të ndërtesës, Fevziu theksoi rëndësinë e saj për historinë e shtetit shqiptar. Sipas tij, godina ku ka funksionuar Parlamenti shqiptar duhet të shërbejë si Muze i Parlamentarizmit, për të ruajtur dhe prezantuar historinë politike të vendit.
Shqetësimi i ngritur nga Fevziu dhe diskutimet që pasuan sollën reagimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili më 18 nëntor mohoi ekzistencën e një plani për kthimin e teatrit në qendër kulturore hebraike.
“Teatri i Kukullave është investuar, rikonstruktuar, muzeuar dhe funksionalizuar si i tillë dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim destinacioni!”, deklaroi ministri, duke theksuar se godina do të vazhdojë të përdoret si teatër.
Pas këtij reagimi, Fevziu sqaroi se nuk kishte thënë që ekzistonte një vendim aktual për ndryshimin e funksionit të godinës. Ai shpjegoi se shqetësimi i tij lidhej me një propozim të bërë vite më parë, i cili nuk ishte realizuar.
“Ka qenë një plan, që plani nuk është bërë është lajm shumë i mirë, por nuk është fake news”, u shpreh Fevziu në një reagim më 18 nëntor, duke iu përgjigjur qëndrimit të ministrit.
Nga raportimet e kohës rezulton se mundësia për krijimin e një qendre kulturore shqiptaro-hebraike në këtë godinë ishte diskutuar publikisht që në nëntor 2017.
Më 23 nëntor të atij viti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, bëri të ditur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak një propozim për ngritjen e një qendre kulturore shqiptaro-hebraike, për të cilën ishte përmendur mundësia e përdorimit të ambienteve të Teatrit të Kukullave, pas rikonstruksionit dhe zgjerimit të tyre.
Sipas raportimit të gazetës Tema, projekti ishte ende në fazë diskutimi dhe pritej të paraqitej për miratim në një mbledhje të ardhshme. E njëjta çështje u pasqyrua më 24 nëntor 2017 edhe në një artikull të Gazetës Shqiptare, e cila raportoi për mundësinë e ngritjes së qendrës në ambientet e teatrit.
Këto publikime dëshmojnë se ideja ishte bërë publike në vitin 2017, por nuk provojnë se ishte miratuar një vendim për ndryshimin e funksionit të godinës apo se një projekt i tillë është ende në fuqi.
Çështja e ndryshimit të funksionit dhe ndërhyrjeve në godinat historike është trajtuar më herët edhe nga Media Amfora. Në një investigim për ndërtimin e Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë, Amfora dokumentoi se banesa historike ku po realizohej projekti, fillimisht Monument Kulture i Kategorisë së Parë, kishte kaluar në Kategorinë e Dytë, sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë. Ndërhyrjet për përshtatjen e saj si muze sollën shembjen e strukturës së brendshme, duke ruajtur kryesisht fasadën e objektit.
Debati për Teatrin e Kukullave ka rikthyer vëmendjen te e ardhmja e një ndërtese me rëndësi historike për Tiranën. Ndërsa propozimi i dikurshëm për krijimin e një qendre kulturore shqiptarohebraike është i dokumentuar në raportimet e vitit 2017, qëndrimi aktual i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit është se godina do të ruajë funksionin e saj si teatër.