Policia gjobit 16 protestues në Tiranë, zbatohen masat e reja të qeverisë për tubimet

Policia e Tiranës vendosi 16 gjoba me nga 5 mijë lekë ndaj pjesëmarrësve në protestën studentore, duke zbatuar ndryshimet e reja në ligjin për tubimet. Masat u njoftuan në të njëjtën ditë kur 13 organizata të shoqërisë civile kundërshtuan kufizimet e miratuara nga qeveria, duke paralajmëruar se gjobat mund të dekurajojnë qytetarët të protestojnë.

Policia e Tiranës njoftoi të martën vendosjen e 16 gjobave ndaj protestuesve që, sipas saj, bllokuan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të studentëve dhe të rinjve një ditë më parë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. 

“Secili prej tyre është gjobitur me 5 mijë lekë, në zbatim të aktit normativ të miratuar nga qeveria më 28 tetor 2026”, shkruhej në komunikatën zyrtare për shtyp. 

Sipas njoftimit të policisë, protestuesit nuk iu bindën thirrjeve të përsëritura të punonjësve të saj, të bëra përmes megafonit, për të liruar rrugën dhe për të lejuar qarkullimin e automjeteve.

Nga 16 gjobat, 14 u vendosën ndaj personave që ishin shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjera ndaj personave të identifikuar përmes pamjeve filmike.

Gjithashtu, policia njoftoi se ka referuar në prokurori materialet për dy të mitur, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal për veprime të dyshuara si të kundërligjshme gjatë protestës.

Sipas njoftimit, dy të miturit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe kanë qenë të maskuar gjatë tubimit të 2 nëntorit. Policia nuk sqaroi se çfarë veprimesh konkrete dyshohet se kanë kryer dhe as veprën penale për të cilën po hetohen.

Gjobat janë vendosur në bazë të ndryshimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave më 28 tetor, përmes Aktit Normativ nr. 5, që ndryshoi ligjin “Për tubimet”. 

Siç ka raportuar Media Amfora, ndryshimet parashikojnë gjobë prej 5 mijë lekësh për çdo person dhe për çdo ditë bllokimi të rrugës gjatë një proteste, kur veprimi nuk përbën vepër penale.

Akti normativ ka sjellë edhe masa të tjera, përfshirë kufizimin e tubimeve pranë institucioneve të caktuara dhe rritjen e gjobave për shkelje të ligjit, të cilat në raste të veçanta arrijnë deri në 500 mijë lekë.

Vendosja e gjobave përkon me reagimin e 13 organizatave të shoqërisë civile, të cilat më 3 nëntor kundërshtuan masat e reja të qeverisë për protestat. Organizatat ngritën shqetësimin se rritja e gjobave dhe kufizimet e tjera mund të pengojnë ushtrimin e së drejtës së tubimit paqësor.

“Frika nga sanksione të larta financiare mund të krijojë një efekt frenues mbi ushtrimin e së drejtës së tubimit, edhe kur kjo e drejtë nuk ndalohet shprehimisht”, shkruhej në deklaratën e përbashkët.

Organizatat kërkuan që çdo gjobë të mbështetet në veprimet konkrete të personit dhe që të bëhet dallim mes bllokimit të qëllimshëm e të paligjshëm të rrugës dhe pengesave të përkohshme në qarkullim që mund të shkaktojë zhvillimi i një proteste paqësore.

Protestat e studentëve dhe të rinjve nisën më 13 tetor në Tiranë, me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim, luftën kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë javëve të fundit, tubimet janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, persona të lënduar dhe arrestime.

Gjatë protestës kombëtare të 24 tetorit, sipas të dhënave të institucioneve, 23 persona morën trajtim mjekësor, ndërsa policia njoftoi arrestimin e 23 personave. Ndërhyrjet e policisë gjatë protestave kanë nxitur edhe reagime nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat kanë kërkuar hetimin e pretendimeve për përdorim të paligjshëm të forcës.

Gjobat e njoftuara më 3 nëntor përbëjnë një rast konkret të zbatimit të dispozitave të reja për bllokimin e rrugëve gjatë protestave, ndërkohë që organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar rishikimin e tyre dhe shqyrtimin e plotë të akteve normative nga Kuvendi.