Paratë e drogës nga Italia në Shqipëri, SPAK dërgon për gjykim 10 persona

Dhjetë persona akuzohen për pastrimin në Shqipëri të parave të përfituara nga trafiku i drogës në Itali. Hetimet e përbashkëta të autoriteteve shqiptare dhe italiane çuan në dokumentimin e disa rasteve të transferimit të parave, mes të cilave edhe sekuestrimin e mbi 680 mijë eurove në pikën kufitare të Murriqanit.

Gjashtë muaj pas një operacioni të përbashkët me autoritetet italiane në Shqipëri, Itali dhe Spanjë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të enjten, më 26 nëntor, dërgimin për gjykim të 10 personave.

“Gjatë këtij hetimi janë dokumentuar episode të transferimit të vlerave të ndryshme monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal i tregtimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Italinë e Jugut dhe në zona të tjera të Italisë”, njoftoi Prokuroria e Posaçme.

Të dhjetë të pandehurit, Igli Kamberi, Ergys Kastrati alias Bishja, Nevila Kamberi, Idajete Kurti, Bardhok Gjergji, Lefter Nelaj, Edi Brahaj, Dituri Buzi, Saimir Pirra dhe Sokol Fusha, akuzohen për pastrim parash, pjesëmarrje ose drejtim të një grupi të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të këtij grupi.

Hetimet janë zhvilluar në Shqipëri dhe Itali nga një skuadër e përbashkët hetimore e SPAK-ut dhe Drejtorisë Distriktuale Antimafia të Barit (DDA), me mbështetjen e Eurojust, agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, paratë e përfituara nga shitja e drogës në Itali transportoheshin drejt Shqipërisë kryesisht nëpërmjet shoferëve të transportit ndërkombëtar dhe korrierëve, të cilët shpërbleheshin me një përqindje të shumave të transportuara.

Më 14 nëntor të vitit 2024, gjatë një kontrolli në pikën e kalimit kufitar të Murriqanit në Shkodër, autoritetet shqiptare sekuestruan 680 mijë e 595 euro në një automjet të drejtuar nga Lefter Nelaj.

Sipas SPAK-ut, Igli Kamberi menaxhonte trafikun e narkotikëve në Itali dhe vendoste për destinacionin e parave të përfituara, ndërsa Ergys Kastrati ishte furnizues dhe ndërlidhës mes anëtarëve të grupit.

Edi Brahaj dyshohet se koordinonte transportuesit e parave, ndërsa Bardhok Gjergji përcillte porositë për marrjen e shumave monetare. Lefter Nelaj, Saimir Pirra dhe Sokol Fusha dyshohet se kryenin transportimin e parave.

Hetimet kanë evidentuar edhe përfshirjen e disa anëtarëve të së njëjtës familje në administrimin dhe transferimin e parave nga Italia drejt Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Nevila Kamberi, bashkëshortja e Igli Kamberit, administronte “arkën” e grupit, duke vendosur për destinacionin e parave.

Në transferimin e shumave monetare dyshohet se ishte përfshirë edhe nëna e saj, Dituri Buzi, në bashkëpunim me Saimir Pirrën. Ndërsa Idajete Kurti, e cila ka lidhje familjare me Igli Kamberin, dyshohet se ngarkohej me marrjen dhe ruajtjen e përkohshme të parave.

Çështja penale është pjesë e hetimeve që çuan në operacionin e përbashkët të SPAK-ut dhe Antimafias së Barit, të zhvilluar më 26 maj të këtij viti dhe të raportuar nga Media Amfora. 

Në atë kohë, autoritetet shqiptare dhe italiane njoftuan për 15 masa sigurie, 10 të caktuara nga drejtësia shqiptare dhe 5 nga ajo italiane. Operacioni u shtri në Shqipëri, Itali dhe Spanjë.

Hetimet e përbashkëta përfshinin edhe zbardhjen e vrasjes së Francesco Diviestit, një 26-vjeçar italian, më 25 prill të vitit 2025 në Canosa di Puglia, në jug të Italisë.

Në kuadër të hetimeve, Gjykata e Posaçme urdhëroi sekuestrimin e 4 shoqërive tregtare, 8 automjeteve, 10 llogarive bankare dhe shumës së parave të sekuestruara në Murriqan.

Ndërsa dhjetë të pandehurit janë dërguar për gjykim për pastrim parash dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal, hetimet vijojnë në Shqipëri dhe Itali për identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit.