Qindra gjoba dhe arrestime, shtohen shqetësimet për respektimin e të drejtave të protestuesve

Gati një muaj pas miratimit të aktit të ri normativ për tubimet, Policia e Shtetit ka vendosur qindra gjoba dhe ka arrestuar dhjetëra protestues. Pesë avokatë kërkojnë nxjerrjen e përgjegjësive për arrestimet e vlerësuara si të paligjshme nga gjykatat, ndërsa kontrollet policore në pikat kufitare kanë ngritur së fundmi shqetësime edhe për lirinë e lëvizjes.

Kur edhe për pak ditë mbushet një muaj nga miratimi i aktit normativ që ndryshoi ligjin “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka vendosur qindra gjoba dhe ka arrestuar dhjetëra protestues, ndërsa avokatë dhe aktivistë kanë ngritur shqetësime për respektimin e të drejtave të qytetarëve që marrin pjesë në protesta.

Nga analiza e njoftimeve zyrtare të publikuara në faqen e Policisë së Shtetit për periudhën 28 tetor – 25 nëntor 2026, Media Amfora ka evidentuar 322 masa administrative ndaj protestuesve dhe 16 arrestime në lidhje me protestat e zhvilluara pas miratimit të aktit normativ.

Pjesa më e madhe e gjobave janë vendosur me argumentin se protestuesit kanë penguar qarkullimin e automjeteve në kryeqytet, duke mos iu bindur thirrjeve të punonjësve të policisë për lirimin e rrugëve.

Nga 322 gjobat e evidentuara, pjesa më e madhe kanë një vlerë prej 5 mijë lekësh secila, ndërsa policia ka zbatuar edhe masa administrative me vlerë 100 herë më të lartë. Pas protestës së 7 nëntorit u vendos një gjobë prej 500 mijë lekësh, ndërsa pas asaj të 14 nëntorit u vendosën dy gjoba të tjera me të njëjtën vlerë.

Më 28 tetor 2026, Këshilli i Ministrave miratoi një akt normativ, që parashikon kufizimin e protestave pranë institucioneve publike, largimin e personave nga zona të caktuara dhe rritjen e gjobave deri në 500 mijë lekë.

Përveç vendosjes së gjobave, Policia e Shtetit ka arrestuar dhe proceduar penalisht protestues pas çdo proteste, kryesisht për kundërshtimin e punonjësve të policisë, dëmtimin e pronës dhe pengimin e qarkullimit rrugor, sipas njoftimeve zyrtare.

Mënyra se si policia ka ushtruar kompetencat e saj gjatë protestave dhe pas tyre ka nxitur reagimin e pesë avokatëve, të cilët përmes një letre të hapur drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë kërkuar marrjen e masave institucionale për arrestimet që janë vlerësuar si të paligjshme nga gjykatat.

“Arrestimi nuk mund të përdoret si instrument për të frikësuar protestuesit, për të dekurajuar pjesëmarrjen në protesta apo për të ndëshkuar qytetarët për ushtrimin e të drejtave të tyre”, shkruan avokatët në letrën e hapur. 

Letra, e iniciuar nga avokati Gentian Sejrani dhe e nënshkruar edhe nga avokatët Dhimitër Zguro, Lulzim Tanushi, Dorina Lamaj dhe Ndriçim Çupi, u është drejtuar për dijeni edhe Avokatit të Popullit, Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Duke iu referuar protestave që zhvillohen prej më shumë se 173 ditësh në Tiranë, avokatët evidentuan se gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit kanë konstatuar në raste konkrete paligjshmërinë e arrestimeve në flagrancë të protestuesve.

Ata i kërkuan drejtuesit të Policisë së Shtetit të urdhërojë një verifikim administrativ për të gjitha këto raste, të shqyrtojë përgjegjësinë e punonjësve dhe drejtuesve policorë që kanë urdhëruar, kryer apo mbikëqyrur arrestimet, si dhe të bëjë publike rezultatet e verifikimeve dhe masat e marra.

Shqetësime për mënyrën se si policia po vepron ndaj pjesëmarrësve në protesta janë ngritur së fundmi edhe në lidhje me kontrollet në pikat kufitare të vendit.

Pedagogu dhe aktivisti Ermal Hasimja bëri publik më 25 nëntor rastin e tij në aeroportin e Rinasit, ku gjatë kontrollit të pasaportave ishte veçuar nga punonjësit e policisë dhe ishte shoqëruar në zyrën e një drejtuesi të Policisë Kufitare.

“‘Shefi’, shumë i sjellshëm dhe disi në siklet më tha se ka lidhje me protestën, por do të ketë qenë ndonjë ngatërresë me ndonjë protestues me të dhëna të ngjashme. Nuk më bindi”, shkroi Hasimja në rrjetet sociale.

Hasimja, i njohur për mbështetjen që u ka dhënë protestave, ngriti dyshime se identifikimi i protestuesve në sistemin e policisë mund të përdoret si formë presioni ndaj tyre, përmes kërcënimit me kufizimin e lirisë së lëvizjes, ndërsa si një tjetër shpjegim të mundshëm përmendi kontrollet ndaj personave me masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”.

Në të njëjtën ditë me miratimin e aktit normativ për tubimet, më 28 tetor, qeveria miratoi edhe një vendim për krijimin e një regjistri elektronik të personave të referuar në prokurori ose nën hetim për vepra penale të kryera me dhunë gjatë protestave.

Vendimi i jep Policisë Kufitare të drejtën të refuzojë daljen nga Shqipëria të personave për të cilët, pas verifikimit individual, rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë protestave, edhe nëse ndaj tyre nuk është vendosur masa e sigurimit për ndalimin e largimit jashtë shtetit.

Një rast të refuzimit të daljes nga territori i Shqipërisë bëri publik edhe gazetarja Ermelinda Hoxhaj, përmes një dokumenti të lëshuar nga Policia Kufitare në Portin e Sarandës, më 23 nëntor.

“Zyrtarisht në diktaturë policore”, shkroi Hoxhaj, duke shoqëruar publikimin e dokumentit në rrjetet sociale.

Një 21-vjeçari që po udhëtonte drejt Korfuzit i ishte refuzuar dalja nga Shqipëria, me argumentin se ishte një person për të cilin rezultonte informacion në sistemin e të dhënave të policisë.

Në formularin e refuzimit nuk ishte shënuar alternativa që përcakton ekzistencën e një vendimi gjyqësor për ndalimin e daljes nga territori i Shqipërisë, ndërsa nuk jepej asnjë shpjegim mbi natyrën e informacionit që figuronte në sistem. 

Protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove” nisën më 30 maj në Zvërnec, kundër ndërtimit të një kompleksi turistik në zonën e mbrojtur, ndërsa me kalimin e muajve lëvizja qytetare u zgjerua, duke përfshirë kërkesa për mbrojtjen e mjedisit, të pronës, administrimin e pasurive publike, transparencën në vendimmarrje dhe llogaridhënien e institucioneve.

Gjatë dy muajve të fundit, protestat u shtrinë edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Durrësin, ndërsa në disa raste tubimet u shoqëruan me përplasje mes protestuesve dhe policisë, duke lënë të lënduar. Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Përballë përplasjeve gjatë protestave dhe arrestimeve të protestuesve, pesë avokatët në letrën drejtuar kreut të Policisë së Shtetit kërkuan gjithashtu hartimin e udhëzimeve të qarta për strukturat policore, për të garantuar lirinë e tubimit dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve gjatë protestave.

“Nuk mjafton që qytetarët të fitojnë në gjykatë pasi u është cenuar liria. Është detyrimi i Policisë së Shtetit të bëjë gjithçka që këto shkelje të mos përsëriten më”, shkruan avokatët në letrën e hapur.