Komisioni Evropian ngre shqetësime për përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës në Shqipëri

Komisioni Evropian ngriti shqetësime për përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës në Shqipëri, duke evidentuar problemet me legjislacionin për zonat e mbrojtura. Pas publikimit të raportit, organizata mjedisore “EcoAlbania” kërkon shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të bëra në vitin 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian, që evidentoi përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës në Shqipëri, ka sjellë reagimin e organizatës mjedisore “EcoAlbania”, e cila kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të ndryshimeve të bëra në vitin 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura.

“Prej vitesh kemi paralajmëruar se çmontimi i mbrojtjes ligjore të natyrës nuk është zhvillim, por legalizim i shkatërrimit të saj”, deklaroi Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i “EcoAlbania”, cituar në deklaratën për mediat të enjten. 

Sipas organizatës, ndryshimet ligjore kanë dobësuar mbrojtjen e zonave natyrore, duke u hapur rrugë ndërtimeve dhe investimeve turistike.

Më 4 nëntor, Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit për Shqipërinë për vitin 2026, ku ngriti shqetësime për përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës. Në pjesën që trajton mjedisin dhe ndryshimet klimatike, të njohur si Kapitulli 27, “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”, raporti vlerësoi se vendi ka bërë pak përparim.

Komisioni evidentoi se ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe zgjatja e afatit të ligjit për Investimet Strategjike kanë ndikuar negativisht në mbrojtjen e natyrës dhe kanë nxitur protesta qytetare.

Sipas “EcoAlbania”, këto ndryshime rrezikojnë të dëmtojnë parqet kombëtare, ligatinat dhe zonat bregdetare, ndërsa Bashkimi Evropian kërkon heqjen e dispozitave që bien ndesh me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës.

“Shfuqizimi i këtij legjislacioni shkatërrues nuk është më thjesht një kërkesë mjedisore; ai është një provë themelore e besueshmërisë së Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian”, deklaroi Nika, sipas njoftimit për mediat të organizatës.

Një nga rastet që ka nxitur kundërshtimet është Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ku ndodhet ekosistemi ligatinor i Vjosë-Nartës. Raporti i Komisionit Evropian ngre shqetësime për miratimin e tri lejeve të zhvillimit dhe kryerjen e punimeve përgatitore, në kushtet e mungesës së konsultimit publik dhe të vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Në të njëjtën zonë, Komisioni evidentoi edhe problematikën e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Sipas raportit, punimet për aeroportin janë pezulluar për shkak të një mosmarrëveshjeje ligjore mes aksionarëve.

Godina e Komisionit Evropian në Bruksel. Foto: Media Amfora

Kundërshtimet ndaj ndërhyrjeve në Pishë Poro-Nartë u shoqëruan gjatë këtij viti me protesta qytetare, ndërsa organizatat mjedisore kërkuan ndërprerjen e projekteve dhe ndryshimin e ligjit që lejon zhvillime në zonat e mbrojtura.

Në korrik, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria ishte angazhuar të shfuqizonte brenda vitit 2026 ndryshimet e miratuara dy vite më parë në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Kryeministri Edi Rama, nga ana tjetër, tha se ligji nuk do të shfuqizohej në tërësi, por do të ndryshoheshin dispozitat që nuk përputhen me standardet e Bashkimit Evropian.

Kërkesa për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore iu drejtua edhe Kuvendit në shtator, në nisje të sesionit të ri parlamentar, nga organizata mjedisore PPNEA. Megjithatë, ende nuk është njoftuar publikisht një vendim i ri i qeverisë për zbatimin e angazhimit të shpallur në korrik.

Në raportin e këtij viti, Komisioni Evropian kërkon përparim urgjent në përafrimin e legjislacionit shqiptar me rregullat evropiane për mbrojtjen e habitateve dhe shpendëve, si dhe forcimin e masave për ruajtjen e natyrës dhe zbatimin e ligjit në zonat e mbrojtura.

Për “EcoAlbania”, shfuqizimi i Ligjit nr. 21/2024 dhe rikthimi i garancive ligjore për mbrojtjen e natyrës duhet të jenë përparësi të menjëhershme.