Media Amfora është e profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Ajo është pjesë e Amfora Media Group.

“Amfora.al” ka në fokus raportimin me karakter hulumtues mbi abuzimin me arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Gjithashtu ajo ka qasjen promovuese të trashëgimisë sonë kulturore.

Misioni ynë:

Ekspozimi, ruajtja dhe promovimi i arkeologjisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, me fokus në rajonin e Durrësit.

Si lindi Amfora.al?

Media online Amfora ka lindur si një punim diplome në nivelin arsimor “Bachelor”, në “Atelien e Multimedias”, pjesë e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës. Ajo u themelua më 11 shkurt 2017, nga studenti i gazetarisë në atë kohë, Geri Emiri.

Ndër vite qytete simbol të vlerave kulturore, si Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Shkodra dhe të ngjashëm me to kanë rënë pre e abuzimit në emër të zhvillimit urban, duke shkatërruar vlerat arkeologjike dhe historike.

“Amfora.al” lindi në një moment kritik për qytetin e Durrësit, pasi përgjatë punimeve për zbatimin e projektit të sheshit të ri “Veliera”, dolën në dritë objekte arkeologjike. Media Amfora bazuar në parimet më të larta gazetareske, u rreshtua përkrah lëvizjes qytetare për mbrojtjen e arkeologjisë, duke sjellë materiale ekskluzive që pasqyronin situatën dhe abuzimin në kurriz të arkeologjisë, e që shërbyen për të ndaluar dëmtimin e mëtejshëm të zbulimeve arkeologjike.

Fillimisht “Amfora.al” kishte trajtën e blogut, duke u profilizuar dhe maturuar drejt një medieje online të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore në vendin tonë.

Rrugëtimi i “Amfora.al” do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, për të raportuar dhe qenë “gardian” i mbrojtjes së vlerave tona kulturore, ku një fokus të veçantë do të ketë qyteti i Durrësit për shkak të sfidave me të cilat po përballet arkeologjia si pasojë e zhvillimit urban.

Pse emërtimi “Amfora”?

Tematikat që trajtojmë janë konkrete, të prekshme dhe jo koncepte abstrakte. Për këtë arsye ena e amforës që përdorej shekuj më parë për të mbajtur e transportuar kryesisht verën dhe vajin e ullirit, është simbol i një objekti konkret dhe me vlerë në proceset jetësore.

Por edhe sepse “Amfora.al” ka një qasje kritike dhe hulumtuese, me një emër që përfaqëson lënien pas dore të arkeologjisë dhe dëmtimin e saj, ashtu si amforat e lëna në harresë në fundin e detit Adriatik dhe Jon, apo amforat që u thyen gjatë zbatimit të projektit “Veliera” dhe në disa prej shesheve të ndërtimit në qytetin e Durrësit.

Pjesë e Amfora Media Group:

“Amfora.al” është pjesë e Amfora Media Group, një iniciativë që synon të sjell një model medieje “online” që i qëndron besnike parimeve të gazetarisë dhe ndërthur inovacionin në krijimet e saj. Profilizimi është thelbi i iniciativës së quajtur “Amfora Media Group”, duke u shpërndarë në 3 nënndarje: 1. “Amfora.al” – Media e profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri; 2. “Amfora Production” – Studio filmimi e profilizuar në krijimet mediatike dhe publikimet me karakter gjeneralist; 3. “Durrës Press” – Media e profilizuar në raportimin me fokus lokal.

Dy fjalë nga themeluesi:

“Krijimi i medias Amfora përbën edhe finalizimin e një dëshire të kahershme që unë kam pasur, e që lidhet me përgjegjësinë qytetare dhe profesionale për të raportuar mbi gjendjen dhe zhvillimet e arkeologjisë e monumenteve të kulturës në vendin tonë.

Kjo nisëm u struktura më tej brenda iniciativës Amfora Media Group, që synon të sjelli vlera të shtuara për gazetarinë në vend dhe informimin e publikut, duke i ofruar informacion të profilizuar dhe të verifikuar në disa burime”.

Duke ju falënderuar që na ndiqni, me respekt themeluesi i iniciativës Amfora Media Group,

Geri Emiri.