Kallëzim penal për Pishë Poro-Nartën, organizatat kërkojnë hetim për dëmtimin e habitateve dhe rolin e institucioneve
Dy organizata kanë kallëzuar penalisht ndërhyrjet në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, duke pretenduar se ato kanë dëmtuar habitatet natyrore dhe janë kryer në kundërshtim me legjislacionin mjedisor. Kallëzimi mbështetet në një raport teknik dhe kërkon hetimin jo vetëm të kompanisë zhvilluese, por edhe të rolit të institucioneve përgjegjëse.
Pylli bregdetar i Pishë Poros formon një brez natyror që ndan lagunën nga Deti Adriatik. Foto: Media Amfora
Organizatat “Res Publica” dhe “EcoAlbania” depozituan më 30 korrik një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, duke kërkuar nisjen e hetimeve për ndërhyrjet e kryera në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, të cilat sipas tyre kanë dëmtuar habitatet natyrore dhe janë kryer në kundërshtim me legjislacionin mjedisor. Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë e Vlorës, ndërsa në dijeni është vënë edhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Kallëzim penal për dëmtimin e habitatit natyror në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë/Gadishulli i Zvërnecit… si dhe për mosveprimin e mundshëm të institucioneve përgjegjëse mbikëqyrëse”, shkruhet në padinë e ngritur nga organizatat.
“Res Publica” është një organizatë e specializuar në çështjet ligjore me interes publik, ndërsa “EcoAlbania“ është një organizatë mjedisore që prej vitesh angazhohet në mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe biodiversitetit në Shqipëri.
Kallëzimi penal vjen pas muajsh tensionesh rreth projektit “Zvërnec Peninsula”, i propozuar nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development” në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës. Projekti u lidh gjerësisht në rrjetet sociale me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, por deklaratat e tyre publike dhe dokumentet e shqyrtuara më herët nga Amfora tregojnë se interesi i tyre lidhet me projektin në ishullin e Sazanit dhe jo drejtpërdrejt me Zvërnecin.
Ndërhyrjet paraprake në terren nxitën reagimin e organizatave mjedisore dhe protestat qytetare që më pas u shndërruan në lëvizjen e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, ndërsa debati u përqendrua te mbrojtja e habitateve natyrore dhe respektimi i legjislacionit mjedisor.
Që në fillim të debatit për projektin, kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se për investimin ekzistonte vetëm leje zhvillimi dhe jo leje ndërtimi. Pikërisht këtij qëndrimi i referohen edhe organizatat në kallëzimin penal, duke argumentuar se ndërhyrjet në terren janë kryer në një periudhë kur mungonte një akt i zbardhur që do t’i autorizonte ato.
“Kryeministri ka deklaruar publikisht se për projektin ekziston vetëm leje zhvillimi dhe jo leje ndërtimi. KKTU ka deklaruar se një leje e mëtejshme, e shqyrtuar në mbledhjen e prillit 2026, nuk është zbardhur”, thuhet në kallëzim.
Mbi këtë bazë, organizatat pretendojnë se futja e mjeteve të rënda dhe ngritja e kantierit janë kryer pa një akt të zbardhur dhe të verifikueshëm, duke kërkuar që kjo të jetë pjesë e hetimit të Prokurorisë.
Në kallëzim, organizatat kërkojnë që hetimet të mos kufizohen vetëm te kompania zhvilluese, por të verifikohet edhe përgjegjësia e institucioneve që kishin detyrimin ligjor të monitoronin dhe kontrollonin aktivitetin në terren.
Sipas tyre, Prokuroria duhet të verifikojë nëse institucionet përgjegjëse kanë ushtruar kompetencat e tyre gjatë ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur, duke përfshirë Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit Vlorë (IVMT), Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit. Në kallëzim kërkohet që të hetohet nëse këto institucione kanë pasur dijeni për punimet dhe nëse kanë vepruar në përputhje me detyrimet e tyre ligjore.
Në kallëzim kërkohet hetim për disa vepra penale, mes tyre dëmtimi i habitateve në zonë të mbrojtur, shpërdorimi i tokës, pushtimi i tokës, shpërdorimi i detyrës dhe moskallëzimi i krimit. Organizatat kërkojnë që prokuroria të administrojë dokumentacionin përkatës, të kryejë ekspertime mjedisore dhe topografike, si dhe të dokumentojë gjendjen aktuale të territorit për të shmangur humbjen e provave.
Baza kryesore teknike e kallëzimit është një raport i përgatitur nga eksperti i mjedisit dhe drejtuesi i “EcoAlbania”, Olsi Nika, i cili analizon ndërhyrjet e kryera në zonën e mbrojtur gjatë periudhës mars-qershor 2026. Raporti argumenton se ndërhyrjet kanë ndryshuar gjendjen bazë të disa habitateve dhe kanë krijuar rrezik për funksionimin ekologjik të dunave ranore, pyllit bregdetar, plazhit dhe sistemit lagunor.
“Ndërhyrjet e marsit-qershorit 2026 nuk mund të trajtohen si veprime pa pasoja deri në miratimin e projektit kryesor. Ato kanë ndryshuar tashmë gjendjen bazë të disa habitateve dhe kanë krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për funksionet ekologjike të dunave, pyllit, plazhit dhe sistemit lagunor”, thuhet në raportin teknik.
Raporti rekomandon pezullimin e çdo ndërhyrjeje të mëtejshme, publikimin e plotë të vendimeve, lejeve, hartave dhe raporteve mjedisore, kryerjen e një inspektimi të pavarur, rivendosjen e ujëkëmbimit natyror dhe hartimin e një plani restaurimi për habitatet e prekura. Sipas autorit, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis duhet të bazohet në gjendjen e territorit përpara ndërhyrjeve dhe të vlerësojë edhe alternativën “pa projekt”.
Mbi këto gjetje, organizatat i kërkojnë prokurorisë të kryejë këqyrje të menjëhershme në zonë, të administrojë lejet dhe aktet administrative që lidhen me projektin, të marrë në pyetje përfaqësuesit e subjektit zhvillues dhe të verifikojë veprimet ose mosveprimet e institucioneve përgjegjëse. Në kallëzim kërkohet gjithashtu që të merren masa për të parandaluar ndërhyrje të mëtejshme që mund të cenojnë provat gjatë hetimit.
Në qershor të këtij viti, Media Amfora dokumentoi vlerat ekologjike të zonës, ku gjenden habitate me rëndësi të veçantë për biodiversitetin, përfshirë dunat ranore, pyllin bregdetar, lagunën e Nartës dhe një numër të madh speciesh të mbrojtura, mes tyre flamingot dhe breshka detare “Caretta caretta”. Në të njëjtën kohë, zona është pjesë e Rrjetit Emerald dhe konsiderohet një nga ekosistemet bregdetare më të rëndësishme në Shqipëri.
Në kallëzim, “Res Publica” dhe “EcoAlbania” theksojnë se raporti teknik përbën një nga provat kryesore mbi të cilat mbështeten pretendimet e tyre, së bashku me dokumentacionin administrativ, materialet fotografike dhe publikimet e mëparshme mbi zhvillimet në zonë.
Kallëzimi penal është zhvillimi më i fundit në këtë çështje. Deri më tani, Prokuroria e Vlorës nuk ka bërë të ditur qëndrim publik në lidhje me këtë kallzim.