Zjarret vijojnë në disa zona të vendit, situata mbetet kritike në Finiq

Situata nga zjarret mbetet problematike në disa zona të vendit, ndërsa autoritetet vijojnë operacionet nga toka dhe ajri për vënien e flakëve nën kontroll. Në Finiq dhe Delvinë zjarri rrezikoi zonat e banuara, ndërsa vatra të tjera janë regjistruar edhe në Mallakastër.

Operacionet për shuarjen e zjarreve vijuan të hënën në disa zona të vendit, ndërsa situata mbetet kritike në bashkitë e Finiqit dhe Delvinës, ku flakët rrezikuan zonat e banuara dhe autoritetet angazhuan forca nga toka dhe ajri për të frenuar përhapjen e tyre.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se të gjitha strukturat janë angazhuar në terren dhe se operacioni për shuarjen e zjarreve vijon pa ndërprerje.

“Të gjitha strukturat tona janë në terren dhe operacioni vijon pa ndërprerje, si nga toka ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e forcave të shumta zjarrfikëse, të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shërbimeve vendore dhe 3 helikopterëve”, shkroi Lamallari në rrjetet sociale mbrëmjen e 3 gushtit. 

Sipas Ministrisë së Brendshme, në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga Delvina, Finiqi dhe Konispoli, rreth 50 vullnetarë, 40 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe tre helikopterë për të frenuar përhapjen e flakëve.

Ndërkohë, një vatër e re zjarri u regjistrua mëngjesin e së martës në Rriban të Mallakastrës, ku flakët përfshinë një sipërfaqe pyjore. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse po vështirësohet nga terreni i thyer dhe mungesa e rrugëve që mundësojnë aksesin në zonën e prekur.

Një ditë më parë, një zjarr i përmasave të mëdha në zonën e Hekalit dogji më shumë se 10 hektarë me ullishte dhe shkurre, ndërsa flakët iu afruan rreth 100 metra pranë banesave dhe puseve të naftës. Policia arrestoi një 54-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrit, ndërsa nga flakët u dogjën rreth 400 pemë ulliri.

Me nisjen e muajit gusht, zjarret kanë përfshirë disa zona të vendit, duke angazhuar forcat e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura në operacione të njëpasnjëshme. Më 1 gusht, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit mbi tunelin e Llogarasë, pas një operacioni ku u angazhuan katër automjete zjarrfikëse, 43 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e strukturave të emergjencës dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrisë rrezikun e përhapjes së zjarreve.