Avokatët në Durrës bojkotojnë seancat, kërkojnë siguri gjatë ushtrimit të profesionit

Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës zhvilloi të premten një bojkot dyorësh të seancave gjyqësore, në shenjë solidariteti me avokatin Elton Shllaku, i cili u plagos me armë zjarri dy ditë më parë në Durrës. Kreu i Dhomës, Lorval Petani, kërkoi që siguria e avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit të trajtohet si prioritet nga institucionet ligjzbatuese.

Avokatët në Durrës ndërprenë për dy orë pjesëmarrjen në seancat gjyqësore gjatë paradites së të premtes, pas plagosjes së kolegut të tyre Elton Shllaku.

Vendimi për bojkotin u mor nga Komiteti Drejtues dhe Kryesia e Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës, si një formë solidariteti me avokatin e plagosur, por edhe për të kërkuar më shumë vëmendje institucionale ndaj sigurisë së avokatëve.

“Jemi në këtë protestë në shenjë sensibilizimi për ngjarjen që i ndodhi kolegut tonë. Komiteti Drejtues dhe Kryesia e Dhomës vendosën të zhvillojnë një bojkot prej dy orësh për t’i ardhur në mbështetje kolegut tonë, por edhe për të ndërgjegjësuar opinionin publik dhe organet ligjzbatuese që të kryejnë një hetim sa më të thellë dhe të plotë për ngjarjen”, tha kreu i Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës, Lorval Petani për mediat. 

Sipas tij, nga informacionet paraprake që Dhoma ka marrë nga avokati i plagosur dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, konflikti lidhet me një çështje pronësie.

Petani sqaroi se bojkoti nuk lidhet me marrëdhëniet e avokatëve me gjykatën apo me problematika të funksionimit të saj.

“Bojkoti nuk lidhet me marrëdhëniet me gjykatën apo me problematika të saj, por vetëm me jetën dhe sigurinë e avokatëve”, u shpreh ai.

Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës i është drejtuar me shkresë Prokurorisë dhe Policisë në Durrës, duke kërkuar informacion mbi hetimet dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sipas Petanit, çështja e sigurisë së avokatëve do të diskutohet edhe në nivel kombëtar. Për rastin është njoftuar Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe tema pritet të përfshihet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm.

“Këto janë raste të përsëritura dhe nuk mund të konsiderohen më raste sporadike”, tha Petani, duke iu referuar edhe rastit të avokatit Sokol Mëngjesi dhe ngjarjeve të tjera të mëparshme që kanë përfshirë avokatë gjatë ose në lidhje me ushtrimin e profesionit.

“Duke qenë se këto ngjarje po përsëriten, ka ardhur koha që çështja e sigurisë së avokatëve të vendoset si prioritet”, shtoi ai.

Bojkoti i së premtes vjen pas plagosjes së avokatit Elton Shllaku, i cili u qëllua me armë zjarri më 16 shtator në Durrës. Ngjarja ka rikthyer debatin brenda komunitetit të avokatëve mbi sigurinë e tyre dhe nevojën për mekanizma më të fortë institucionalë të mbrojtjes.

Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka kërkuar që hetimet për rastin të zhvillohen me shpejtësi dhe që institucionet përgjegjëse të japin një përgjigje të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.