Varri monumental romak i zbuluar në Dibër, finalist për çmimin ndërkombëtar të arkeologjisë
Varri monumental romak i zbuluar një vit më parë në Strikçan të Bulqizës është përzgjedhur mes pesë finalistëve për çmimin ndërkombëtar të zbulimit arkeologjik “Palmyra”. Gjetja shqiptare garon edhe për çmimin e publikut, ku votimi qëndron i hapur deri më 15 tetor.
Varri monumental i Periudhës Romake. Foto: Instituti i Arkeologjisë
Varri monumental romak që doli në dritë në shtator 2025 në Strikçan të Bulqizës, në Qarkun e Dibrës, po konkurron këtë vit me katër zbulime të tjera arkeologjike nga Egjipti, Italia dhe Turqia.
Gjetja shqiptare është përzgjedhur mes pesë finalistëve të edicionit të 12-të të “International Archaeological Discovery Award – Palmyra”, një çmim ndërkombëtar që vlerëson zbulimin arkeologjik më të rëndësishëm të vitit. Në edicionin e 2026-s konkurrojnë zbulimet e realizuara gjatë vitit 2025.
Zbulimi u deklaruar më 2 shtator 2025, pasi Instituti i Arkeologjisë bëri publike gjetjen e varrit monumental në fshatin Strikçan, në kuadër të projektit kërkimor-shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të drejtuar nga Adem Bunguri dhe Erikson Nikolli.
Monumenti, i datuar në shekujt III-IV e.s., ka përmasa rreth 9 me 6 metra dhe një dhomë funerare rreth 2.4 metra të lartë. Ai është ndërtuar në tre ambiente, që përfshijnë dhomën e varrimit, paradhomën dhe një shkallare monumentale të dekoruar me motive gjeometrike në stuko.
Brenda varrit u gjet edhe një mbishkrim romak dygjuhësh, i pari i dokumentuar në zonën e Dibrës, që i kushtohet personit të varrosur, të quajtur Gelliano, si dhe një dedikim për perëndinë romake Jupiter. Megjithëse monumenti ishte grabitur që në lashtësi, një pjesë e inventarit funerar kishte mbetur aty, mes tyre enë qelqi, krehër kocke, thika dhe fragmente tekstili të thurura me fije ari.
Në prezantimin e finalistëve, organizatorët e “Palmyra” e rendisin zbulimin në Luginën e Bulqizës si të parin e këtij tipi nga periudha romake të evidentuar në Shqipëri, duke veçuar arkitekturën, mbishkrimet dhe objektet e ruajtura brenda monumentit.
Përballë gjetjes shqiptare janë katër zbulime të tjera të vitit 2025: një port i fundosur pranë Taposiris Magna në Egjipt, një sallë e madhe banketesh e zbukuruar me afreske në Pompei, një kokë mermeri e një vajze e zbuluar në qytetin etrusk të Vulcit në Itali dhe mozaikët me krokodilë e flamingo të zbuluar në Eraclea al Latmo në Turqi.
Çmimi jepet nga Borsa Mediterranea del Turismo Archeologico (BMTA) në bashkëpunim me revistën italiane “Archeo” dhe media të specializuara në arkeologji nga Gjermania, Zvicra, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Sipas organizatorëve, ai është i vetmi vlerësim botëror kushtuar posaçërisht arkeologëve dhe punës së tyre kërkimore.
Vlerësimi u krijua në vitin 2015 dhe për dhjetë edicionet e para mbante emrin e Khaled al-Asaad, arkeologut që drejtoi për dekada zonën arkeologjike dhe muzeun e Palmirës në Siri dhe që u vra në vitin 2015 teksa mbronte trashëgiminë kulturore. Pas dhjetë vitesh, çmimi mori emrin “Palmyra”, duke ruajtur lidhjen me qytetin antik dhe me fushatën për mbrojtjen e trashëgimisë së tij.
Përveç çmimit kryesor, pesë finalistët konkurrojnë edhe për “Special Award”, i cili përcaktohet nga vota e publikut. Votimi ka nisur më 11 shtator dhe do të vijojë deri më 15 tetor në faqen në Facebook të “Borsa Mediterranea del Turismo Archeologico“.
Pas zbulimit, Amfora evidentoi edhe mënyrën se si varri monumental u përdor në rrjetet sociale për narrativa nacionaliste, në kundërshtim me të dhënat e paraqitura nga studiuesit për origjinën dhe datimin e tij.
Fituesi i çmimit ndërkombëtar “Palmyra” do të shpallet më 30 tetor në Paestum të Italisë, gjatë edicionit të 28-të të garës ndërkombëtare qëdo të zhvillohet nga 29 tetori deri më 1 nëntor 2026