Tensione në protestën para Kuvendit, shoqërohen nga policia disa protestues
Protesta e paralajmëruar u zhvillua të enjten paradite përpara Kuvendit të Shqipërisë, në të njëjtën kohë me seancën plenare. Përplasjet mes një pjese të protestuesve dhe forcave të rendit u shoqëruan me hedhje vezësh ndaj efektivëve, tentativa për të shtyrë kordonin policor dhe shoqërimin e disa protestuesve.
Policia gjatë shoqërimit të protestuesve. Foto: Pamje e shkëputur nga video e Sidorela Vatnikajt.
Qytetarë që prej më shumë se tre muajsh protestojnë kundër qeverisë u mblodhën të enjten në orën 10:00 përpara Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë, si edhe ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore.
Tubimi ishte paralajmëruar një ditë më parë me thirrjen: “Rrethojmë-Bllokojmë Parlamentin. Ky Parlament nuk na përfaqëson. Kjo qeveri nuk na përfaqëson. Dorëheqje!”.
Përpara nisjes së protestës, Policia e Tiranës kishte vendosur gardhe metalike dhe kordonë policorë në rrugët që çojnë drejt Kuvendit. Protestuesit marshuan përgjatë perimetrit të sigurisë dhe më pas u zhvendosën edhe në zonën pranë Ministrisë së Brendshme, ku u regjistruan tensione me forcat e rendit.
Gjatë përplasjeve, një grup protestuesish hodhi vezë në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa në momente të tjera u tentua shtyrja e gardheve dhe e kordonit policor.
Policia u kërkoi pjesëmarrësve të lironin rrugën, duke paralajmëruar për ndërhyrje në rast të vijimit të bllokimit.
“Bllokimi i rrugëve është vepër penale. Lironi rrugën, policia do veprojë”, ishte thirrja e bërë përmes megafonit.
Mediat që ndoqën protestën në terren raportuan shoqërimin e tre protestuesve, mes tyre edhe Dritan Goxhaj, një prej aktivistëve të përfshirë në protestat e muajve të fundit.
Deri rreth orës 14:30, Policia e Shtetit nuk kishte publikuar një njoftim zyrtar për shoqërimet dhe statusin procedural të personave të marrë nga policia.
Protesta e së enjtes është pjesë e lëvizjes qytetare që nisi më 30 maj në Zvërnec, gjatë kundërshtimit të ndërhyrjeve për një projekt turistik në zonë. Protesta u zhvendos më pas në Tiranë dhe u zgjerua nga çështjet e mbrojtjes së mjedisit drejt kërkesave për transparencë, administrimin e pasurive publike dhe mënyrën e qeverisjes.
Lëvizja u pagëzua nga pjesëmarrësit “Revolucioni i Flamingove”, duke marrë si simbol flamingon e lagunës së Nartës.
Në vijim, protestuesit artikuluan një paketë më të gjerë kërkesash: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, anulimin e ndryshimeve në ligjet për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore, si edhe shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Protestat e muajve të fundit janë shoqëruar edhe më herët me përplasje me policinë. Më 2 korrik, gjatë një tubimi përpara Kuvendit, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve.
Më 1 shtator, pas një tjetër tubimi pranë Kryeministrisë, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin në flagrancë të 14 protestuesve dhe procedimin në gjendje të lirë të tre të tjerëve, të cilët më pas u lanë të lirë.
Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë, ndërsa kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë.