Avioni polak u lidh pa prova me zjarret në Shqipëri
Itineraret e një avioni të regjistruar në Poloni, të paraqitura në hartat e trafikut ajror në internet, u përdorën në rrjetet sociale për të ngritur dyshime dhe akuza të pambështetura për zjarrvënie. Verifikimi i Amforës nuk gjeti prova që e lidhin avionin me zjarret, ndërsa sipas një drejtuesi të Aeroportit të Tiranës, ai po kryente fotografime ajrore.
Grafikë ilustruese. Përgatiti: Media Amfora
Më 6 shtator, Shpend Gashi publikoi në Facebook dhe Instagram një video ku tregonte në hartë zonat mbi të cilat kishte fluturuar avioni “SP-OPA”, i regjistruar në Poloni, duke sugjeruar një lidhje mes fluturimeve të tij dhe zjarreve në Shqipëri.
Megjithëse Gashi tha në video se nuk mund ta akuzonte avionin për shkaktimin e tyre, ai pyeti nëse një zjarr pas kalimit të avionit mbi Korçë mund të krijonte “dyshime të arsyeshme”.
Verifikimi i Amforës nuk gjeti prova që e lidhin avionin me ndezjen e zjarreve. Trajektoret tregojnë lëvizjet e avionit, por nuk provojnë se ai ka shkaktuar zjarre në zonat ku ka kaluar.
Gashi u kërkoi përdoruesve ta shpërndanin videon dhe t’i dërgonin fotografi ose video të avionit përmes aplikacionit “WhatsApp”. Në Instagram, materiali u publikua në bashkëpunim me llogaritë e “TRU Podcast Media”, që drejtohet nga Gashi, së bashku me llogaritë e Gent Bejkos dhe Vilson Kulemanit. Ky publikim arriti rreth 153 mijë shikime dhe mbi 6400 pëlqime, ndërsa videoja në Facebook mori rreth 10 mijë shikime.
Dyshimet u përforcuan një ditë më pas, kur Altin Goxhaj shpërndau një pamje ekrani të një postimi nga profili i Andrea Vlashit, ku trajektoret përshkruheshin si “të çuditshme”.
“Ka më shumë se 5 ditë që një avion i nisur nga Polonia fluturon mbi qytetet tona! Nuk e di çfarë është, por di të them që trajektoret e avionit janë të çuditshme”, shkruante Vlashi në postimin e tij, teksa e shoqëronte me pamjet e lëvizjes së avionit.
Në komentet e dokumentuara, disa përdorues kaluan në akuza të drejtpërdrejta se avioni kishte shkaktuar një zjarr pranë Kavajës, madje duke përdorur një “lazer”, pa paraqitur prova.
Michał Witkowskit, drejtor i Operacioneve Aeroportuale në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, shpjegoi për Amforën se avioni po kryente “fluturime fotografike” për përgatitjen e hartës së Shqipërisë.
Witkowski e kundërshtoi mundësinë që avioni të kishte ndezur zjarre gjatë fluturimit. Sipas tij edhe në rast zjarri në motor, mundësia që flakët të dilnin jashtë avionit do të ishte shumë e vogël. Ai përmendi si mundësi teorike ndezjen e barit të thatë gjatë ngritjes nga një sipërfaqe me bar, por sqaroi se avioni nuk ishte ngritur apo ulur në një terren të tillë.
Ndërkohë, më 25 gusht, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) njoftoi nisjen e fotografimit të ri ajror të Shqipërisë, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Sipas njoftimit, faza e parë përfshin 680 kilometra katrorë të zonave urbane, për të përditësuar hartat e territorit, megjithëse njoftimi nuk konfirmon mjetin e përdorur apo se fotografimi kryhet me avionin SP-OPA.
Avioni operohet nga kompania polake “OPEGIEKA”, e cila merret me fotografime ajrore dhe hartëzim. Po ashtu fluturimet e përsëritura me nisje dhe kthim në Tiranë përputhen me këtë lloj veprimtarie.

Postimet lidhën kështu fluturimet dhe zjarret pa treguar se njëri kishte shkaktuar tjetrin. Dyshimet fillestare u kthyen në akuza për zjarrvënie përmes shpërndarjeve dhe komenteve. Pretendimi se SP-OPA shkaktoi zjarre në Shqipëri mbetet i pambështetur nga prova dhe kalimi i avionit mbi një zonë të prekur nga zjarri deri më tani nuk provon se ai e ka shkaktuar atë.
Këto postime erdhën pas një vere me zjarre nga jugu në veri të Shqipërisë, nga zonat malore tek ato bregdetare. Amfora raportoi më herët për situatën në Dukat të Vlorës dhe në pyjet e Pukës, ku u evakuuan edhe banorët, ndërsa era e fortë dhe terreni i thyer vështirësuan ndërhyrjet për shuarjen e flakëve.
Ndërsa në rrjetet sociale u përhapën disa narrativa që pretendonin pa prova se turistë apo shtetas izraelitë kishin lidhje me zjarret e regjistruara në zona të ndryshme të vendit. Ato u shoqëruan me informacione të pabazuara në fakte dhe përhapnin teorinë se pas tyre qëndronin izraelitët, ndërsa në disa raste u përdorën edhe materiale të nxjerra nga konteksti ose të interpretuara në mënyrë çorientuese.