Parkimet me pagesë në Durrës, 100 sheshe për rezidentët dhe 20 policë më shumë për kontrollin
Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi të mërkurën ndryshimet për parkimet me pagesë, me kartë rezidenti dhe vende të rezervuara në rreth 100 sheshe brenda blloqeve të banimit. Këshilli miratoi edhe shtimin me 20 punonjës të Policisë Bashkiake për kontrollin e skemës, ndërsa këshilltarët demokratë votuan kundër.
Hapësirë parkimi në një nga zonat e qytetit të Durrësit. Foto: Media Amfora
Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi të mërkurën ndryshimet në skemën e parkimeve me pagesë, duke përcaktuar përdorimin e kartës së rezidentit dhe vende të rezervuara në rreth 100 sheshe brenda blloqeve të banimit, ndërsa për kontrollin e skemës miratoi edhe shtimin me 20 punonjës të Policisë Bashkiake.
“Janë 100 sheshe brenda blloqeve të banimit, të cilat do të pajisen me sinjalistikën përkatëse, ku do të jenë vendet e rezervuara për banorët”, tha Sako.
Sipas saj, për të përdorur parkimet e rezidentëve dhe për të mos u penalizuar nga Policia Bashkiake, banorët duhet të pajisen me kartën e rezidentit. Karta do të ketë numër serial dhe do të lidhet me lagjen ku banon qytetari, ndërsa ndarja e mëparshme sipas rajoneve është detajuar në nivel lagjeje.
Pjesa më e madhe e rrugëve të përfshira në skemën me pagesë, sipas Sakos, ndodhen në lagjet nr. 1, 2 dhe 3.
Ndryshimet u miratuan me 29 vota pro dhe 7 kundër.
Kundër tyre u pozicionua grupi i këshilltarëve demokratë. Kreu i grupit, Ardian Muka, tha se materiali i paraqitur këtë herë kishte korrigjuar një pjesë të mangësive të projektit të mëparshëm, por argumentoi se Bashkia nuk është ende gati për zbatimin e skemës.
“Nuk mund të fillosh nga tarifa dhe pastaj të mendosh për shërbimin. Përpara se qytetarëve t’u kërkohet të paguajnë, Bashkia duhet të bëjë transparencë për kapacitetet reale të parkimit, mënyrën e funksionimit të skemës dhe ku do të shkojnë të ardhurat e mbledhura”, tha Muka.
Ai kërkoi që fillimisht të shtohen kapacitetet e parkimit dhe më pas të përcaktohet kostoja për qytetarët, duke konfirmuar votën kundër të grupit që drejton.
Skema e miratuar në vitin 2024 bën dallim mes parkimeve për rezidentët brenda blloqeve të banimit dhe parkimeve me pagesë në rrugë.
Hapësirat publike dhe rrugëkalimet e mjeteve mes pallateve, përfshirë ato brenda zonave A dhe B, janë përcaktuar për parkimin e rezidentëve pa pagesë. Ndërsa për rrugët e përcaktuara si parkim publik me pagesë, paketa fiskale e vitit 2026 parashikon për rezidentët e zonave A dhe B një tarifë fikse prej 10 mijë lekësh në vit.
Për përdoruesit e tjerë, vendimi i vitit 2024 përcakton tarifën prej 100 lekësh në orë në Zonën A dhe 40 lekësh në orë në Zonën B. Mes rrugëve të Zonës A janë “Taulantia”, “Currilat”, bulevardet “Epidamn” dhe “Dyrrah”, “Egnatia”, “Adria” dhe “Pavarësia”, ndërsa Zona B përfshin ndër të tjera rrugët “Mujo Ulqinaku”, “Stefan Kaculini”, “Glaukia” dhe “Hysen Kërtusha”.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe shtimin me 20 punonjës të Policisë Bashkiake. Sako e lidhi shtimin e personelit kryesisht me hyrjen në fuqi të skemës së parkimeve me pagesë dhe nevojën për kontrollin e saj.
Vendimi për shtimin e punonjësve mori 29 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim. Sipas të dhënave të paraqitura gjatë mbledhjes, Policia Bashkiake ka rreth 80 punonjës, ndërsa disa këshilltarë e konsideruan të pamjaftueshme shtesën prej 20 vetash për territorin e bashkisë dhe fluksin që Durrësi përballon gjatë sezonit turistik.

Raporti mes kostos dhe shërbimit u ngrit edhe nga këshilltari Dritan Burgija, i cili iu referua zgjerimit të kontrollit të parkimeve dhe masave administrative.
“Kur qytetarit i shtojmë tarifë, kontroll apo kosto publike, a po i japim në të njëjtën masë një shërbim më të mirë?”, tha Burgija.
Kryebashkiakja njoftoi gjithashtu se për vitet në vijim parashikohet ndërtimi i dy parkimeve nëntokësore, një pranë Muzeut të Dëshmorëve dhe një në shëtitoren “Taulantia”.
Skema e parkimeve me pagesë është miratuar që në vitin 2024, ndërsa ndryshimet e fundit detajojnë mënyrën e përdorimit të kartës së rezidentit dhe administrimin e saj. Teksti i zbardhur i vendimit të miratuar më 16 shtator nuk rezulton ende i publikuar në seksionin e vendimeve të Këshillit Bashkiak të kontrolluar të enjten.