Pas rasteve në Durrës, lëndë plasëse në një banesë në Shijak

Një sasi lënde plasëse dyshohet se shpërtheu gjatë natës në oborrin e një banese të pabanuar në Shijak, duke dëmtuar portën e saj. Ngjarja vjen 12 ditë pas dy shpërthimeve me lëndë plasëse në Durrës, ndërsa në rreth një vit e gjysmë në zonë janë regjistruar pesë raste të lidhura me eksploziv.

Porta e oborrit të një banese të pabanuar në fshatin Ardhishtë të Shijakut u gjet e dëmtuar pas një shpërthimi gjatë orëve të para të së martës. 

Ngjarja u regjistrua rreth orës 01:00 të 15 shtatorit, ndërsa policia dyshon se dëmtimi është shkaktuar nga një sasi lënde plasëse e vendosur në oborr.

Banesa është në pronësi të një personi të identifikuar nga policia vetëm me inicialet S. G. Në informacionin paraprak nuk janë dhënë të dhëna për motivin e mundshëm, sasinë apo llojin e lëndës së përdorur.

Policia nuk ka njoftuar gjithashtu për persona të identifikuar si autorë të ngjarjes. Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë për të përcaktuar rrethanat e shpërthimit dhe për të identifikuar personat e përfshirë.

Rasti në Shijak regjistrohet vetëm 12 ditë pas dy shpërthimeve me lëndë plasëse të ndodhura brenda 40 minutave në qytetin e Durrësit.

Më 3 shtator, një sasi lënde plasëse shpërtheu pranë derës së jashtme të lokalit “Lords”, në lagjen nr. 11, ndërsa rreth 40 minuta më vonë një tjetër shpërthim dëmtoi derën e një garazhi përgjatë rrugës Plepa-Ndroq. Në të dyja rastet pati vetëm dëme materiale dhe policia nuk bëri të ditur nëse ngjarjet kishin lidhje me njëra-tjetrën. 

Amfora kishte evidentuar se me këto dy ngjarje numri i rasteve të lidhura me eksploziv në Durrës kishte arritur në pesë brenda rreth një viti e gjysmë. Pak ditë përpara tyre, më 28 gusht, një sasi lënde plasëse e lidhur me një aparat celular ishte gjetur në lagjen nr. 3 dhe ishte çaktivizuar nga specialistët xhenierë të RENEA-s. 

Dy rastet e tjera ishin regjistruar më 20 maj dhe 14 shtator 2025. Deri në raportimin e Amforës më 3 shtator, policia nuk kishte njoftuar zyrtarisht motivet e këtyre ngjarjeve. 

Edhe për shpërthimin e fundit në Ardhishtë, autorët dhe motivi mbeten ende të paidentifikuar.