Hidhet hapi për referendumin që synon shfuqizimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura

Pas gati 70 ditësh protesta, 12 qytetarë kanë nisur procedurat për një referendum që synon shfuqizimin e ligjit të debatueshëm për Zonat e Mbrojtura. Ndryshimet e miratuara në vitin 2024 hapën rrugën për investime turistike në këto territore ndërsa janë kundërshtuar nga organizatat mjedisore dhe aktivistët.

Një grup prej 12 qytetarësh dorëzuan më 6 gusht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për nisjen e procedurave për referendum kombëtar, me synim shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, të kundërshtuara prej muajsh nga aktivistët mjedisorë.

“Nisma për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024, përmes së drejtës qytetare për referendum, është e pavarur nga çdo forcë politike dhe mbështetet në një parim të qartë: qytetarët po ushtrojnë drejtpërdrejt të drejtën që u njeh Kushtetuta për të kërkuar shfuqizimin e një ligji që prek interesin publik dhe trashëgiminë natyrore të vendit”, thuhet në deklaratën e nismëtarëve, shpërndarë për mediat.

Në qendër të nismës është Ligji nr. 21/2024, i miratuar në shkurt 2024, i cili ndryshoi ligjin ekzistues për Zonat e Mbrojtura. Sipas deklaratës, ndryshimet lejuan struktura akomoduese me 5 yje e më shumë, në kuadër të “turizmit të ekselencës”, edhe brenda zonave të mbrojtura dhe i dhanë Këshillit të Ministrave kompetenca për ndryshimin e kufijve dhe zonimit të tyre.

Kundërshtimet ndaj këtyre ndryshimeve janë rikthyer në qendër të vëmendjes për shkak të zhvillimeve në Vjosë-Nartë, ku nismëtarët e lidhin hapësirën e krijuar nga ligji me projektin turistik të investitorit amerikan Jared Kushner.

Për nismëtarët, referendumi synon ta kalojë vendimmarrjen për ligjin nga procedura parlamentare te vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve.

“Referendumi e nxjerr çështjen përtej kufijve të procedurës parlamentare dhe ia kalon vendimmarrjen qytetarëve me të drejtë vote, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo vendbanimit”, argumentuan ata në deklaratë.

Pas protokollimit të kërkesës në KQZ, nismëtarët presin miratimin e formularit zyrtar, me të cilin duhet të sigurojnë mbështetjen e të paktën 50 mijë shtetasve me të drejtë vote. Nëse ky prag arrihet, kërkesa i nënshtrohet shqyrtimit paraprak të Gjykatës Kushtetuese dhe, në rast të një vendimi pozitiv, Presidenti i Republikës cakton me dekret datën e referendumit.

Nisma për referendum vjen si vijim i një mobilizimi qytetar që nisi më 30 maj në Zvërnec, pas përplasjes mes protestuesve dhe punonjësve të një kompanie private sigurie gjatë kundërshtimit të rrethimit të një pjese të zonës së mbrojtur. Pamjet e dhunës ndaj protestuesve u përhapën gjerësisht, ndërsa protesta u zhvendos më pas në Tiranë dhe u pagëzua “Revolucioni i Flamingove”, duke u zhvilluar çdo mbrëmje dhe duke zgjeruar kërkesat nga mbrojtja e Zvërnecit te zonat e mbrojtura, administrimi i pasurive publike, transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje.

Gjatë protestave, kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec u shoqërua edhe me kërkesa për rishikimin e politikave mbi investimet strategjike dhe ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke e kthyer një reagim fillimisht lokal në një lëvizje me kauza më të gjera.

Gjatë protestave qytetare. Foto: Media Amfora

Pas më shumë se 45 ditësh protesta, më 15 korrik qeveria njoftoi se do të ndërhynte në ligjin për Zonat e Mbrojtura për të ndryshuar dispozitat që nuk përputhen me standardet e Bashkimit Evropian. Kryeministri Edi Rama deklaroi se ligji nuk do të shfuqizohej, ndërsa komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Shqipëria ishte angazhuar që brenda vitit të shfuqizonte amendamentet e vitit 2024.

Kërkesat për ndryshimin e ligjit kanë mbërritur më herët edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Më 9 qershor 96 organizata të shoqërisë civile kërkuan rishikimin e tij dhe shfuqizimin e dispozitave që, sipas tyre, cenojnë mbrojtjen e këtyre territoreve, ndërsa pak ditë më pas organizatat mjedisore bojkotuan konsultimet e Ministrisë së Mjedisit deri në adresimin e ndryshimeve të vitit 2024.

Në deklaratën për nismën e referendumit thuhet se në Kuvend janë paraqitur të paktën dy nisma ligjore për shfuqizimin e ndryshimeve, por deri më tani asnjëra nuk është përfshirë në rendin e ditës.

Grupi që ka paraqitur kërkesën në KQZ përbëhet nga aktivistë, gazetarë dhe përfaqësues të organizatave mjedisore. Nismëtarët janë Besjana Guri, Blendi Salaj, Ersid Domnori, Gentiana Kapllani, Gëzim Shuli, Irini Myftaraj, Joniada Ngjelo, Lazjon Petri, Mateo Yskollari, Migena Kukli, Oljam Dërvishi dhe Rikaldo Çelaj.

Nisma mbështetet edhe nga ”United Diaspora for Albania Civic Network” (UDACN), një organizatë që, sipas deklaratës, ofron mbështetje përmes kërkimit, informimit publik, komunikimit dhe koordinimit. UDACN sqaron se nuk është aplikuesja dhe nuk drejton procedurën e referendumit, e cila mbetet në përgjegjësinë e grupit të qytetarëve nismëtarë.

Nëse nisma i kalon të gjitha fazat dhe arrin deri në votim, do të ishte referendumi i parë kombëtar në Shqipëri që prej vitit 1998, kur qytetarët votuan për miratimin e Kushtetutës. Pikërisht Kushtetuta, përmes nenit 150, u njeh qytetarëve të drejtën për të kërkuar referendum për shfuqizimin e një ligji.