Bashkitë e propozuara për shkrirje përballen me kundërshtime ndaj hartës së re territoriale
Propozimi për shkrirjen e 15 bashkive po përballet me protesta, peticione dhe kundërshtime nga qytetarët e drejtuesit vendorë të njësive që rrezikojnë të humbasin statusin e tyre. Drafti e argumenton konsolidimin me forcimin e kapaciteteve administrative, financiare dhe të shërbimeve, ndërsa në Dimal kundërshtohet edhe mënyra se si janë përdorur kriteret teknike për ta përfshirë bashkinë në listën e shkrirjes.
Gjatë protestës së banorëve në Cërrik. Foto: “Screenshot” nga videoja e bashkëpunëtorit të Amforës në Elbasan
Banorë dhe drejtues vendorë në disa prej 15 bashkive të propozuara për shkrirje vijojnë të kundërshtojnë hartën e re administrativo-territoriale përmes protestave, peticioneve dhe qëndrimeve publike, ndërsa procesi mbetet ende në fazën e propozimit.
Në Divjakë, banorët kanë protestuar për më shumë se një javë kundër bashkimit me Lushnjën, duke nisur edhe një peticion, ndërsa protesta janë zhvilluar edhe në Dimal, Poliçan, Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Patos, Selenicë, Maliq, Memaliaj dhe Prrenjas. Kundërshtime janë shfaqur edhe në bashkitë e tjera të përfshira në propozim.
Në Klos, kundërshtimit të banorëve ndaj bashkimit me Matin i është bashkuar edhe kryebashkiakja Valbona Kola, e cila ka deklaruar se qëndrimi i saj do të jetë në krah të qytetarëve.
Në Dimal, kryebashkiakja Juliana Memaj ka vënë në diskutim edhe argumentet teknike për shkrirjen me Beratin. Ajo i referohet raportit përfundimtar të ekspertëve dhe metodologjisë së përdorur për përzgjedhjen e bashkive kandidate për konsolidim.
“Nga analiza e fakteve dhe evidencave rezulton se Dimali nuk mund të ishte kandidat për konsolidim”, argumentoi Memaj me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Sipas saj, edhe arsyetimi se bashkimi me Beratin do t’i sillte Dimalit kapacitete më të mëdha investuese nuk mbështetet nga treguesit financiarë që ajo citon.
“Shkrirja nuk do të sjellë për Dimalin kapacitet të shtuar investues, e kundërta mund të ndodhë në kushtet kur vendimmarrja shkëputet nga njësia që shkrihet drejt njësisë ankoruese”, u shpreh Memaj.
Propozimi parashikon shkrirjen e 15 prej 61 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi më të mëdha. Konsolidimi argumentohet me nevojën për rritjen e kapaciteteve administrative e financiare dhe përmirësimin e shërbimeve vendore.
Propozimi është pjesë e procesit për reformën e re administrativo-territoriale dhe nuk përbën ende një vendim përfundimtar për shkrirjen e bashkive. Kundërshtimet në terren po zhvillohen ndërkohë që ndryshimet vijojnë procedurën e shqyrtimit.