Kërkojnë ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, organizatat bojkotojnë konsultimet
Organizatat mjedisore përshkallëzojnë kundërshtimin ndaj ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Mjedisorët nuk do të marrin pjesë në asnjë proces konsultimi institucional derisa të shfuqizohen ndryshimet që, sipas tyre, rrezikojnë territorin më të mbrojtur natyror të vendit.
Laguna Kune-Vain në Lezhë, e para Zonë e Mbrojtur në Shqipëri, e shpallur në korrik të vitit 1940. Foto: Media Amfora
Organizatat e Shoqërisë Civile mjedisore bojkotuan më 12 qershor në Tiranë tryezën e konsultimit publik të thirrur nga Ministria e Mjedisit, duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në proceset konsultuese të institucionit deri në shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024 për Zonat e Mbrojtura.
“Në këtë kuadër, organizatat mjedisore kanë vendosur të bojkotojnë tryezën e konsultimit të disa projekt-akteve, publik të thirrur nga Ministria më 12 qershor, duke refuzuar të bëhen pjesë e një procesi që synon të paraqesë një normalitet institucional që nuk ekziston”, thuhet në deklaratë.
Qëndrimi vjen disa ditë pasi dhjetëra organizata të shoqërisë civile kërkuan rishikimin e ligjit, duke argumentuar se ndryshimet e miratuara vitin e kaluar kanë dobësuar mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe kanë hapur rrugë për zhvillime turistike e infrastrukturore brenda tyre.
“Organizatat e Shoqërisë Civile e konsiderojnë shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024 si një kusht të panegociueshëm dhe paraprak për çdo dialog të mëtejshëm institucional mbi çështjet e mjedisit dhe procesin e integrimit evropian”, theksohet më tej.
Sipas organizatave, pjesëmarrja në konsultime për akte të reja ligjore nuk mund të konsiderohet e dobishme për sa kohë mbetet e pazgjidhur çështja që ato e konsiderojnë themelore për mbrojtjen e natyrës. Në deklaratë argumentohet se progresi i pretenduar në procesin e integrimit evropian nuk mund të jetë i besueshëm nëse vazhdojnë të ekzistojnë shqetësime për mbrojtjen efektive të zonave të mbrojtura.
Organizatat e Shoqërisë Civile mjedisore deklarojnë se ky bojkot nuk është një veprim simbolik i izoluar, por një qëndrim parimor që do të vijojë të mbetet i pandryshuar edhe për çdo proces të ardhshëm konsultues të thirrur nga institucionet përgjegjëse, deri në adresimin e kësaj çështjeje themelore.
Deklarata vjen në një moment kur kundërshtimet ndaj ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura janë shoqëruar me protesta publike dhe debate të vazhdueshme mbi balancën mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore të vendit.