Qeveria tërhiqet nga ligji për investimet strategjike, ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura
Qeveria do të shfuqizojë ligjin për investimet strategjike dhe do të ndryshojë ligjin për zonat e mbrojtura, pas kërkesave të Bashkimit Evropian për përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane. Deklaratat u bënë nga kryeministri Edi Rama dhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ndërsa aktivistët i cilësuan ato si rezultat të protestave kundër projektit turistik në Zvërnec.
Konferenca për shtyp e së martës në Bruksel. Foto: "Screenshot" nga video e publikuar nga kryeministri Edi Rama.
Qeveria shqiptare do të shfuqizojë ligjin për investimet strategjike, ndërsa do të ndërhyjë në ligjin për zonat e mbrojtura për të ndryshuar dispozitat që nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Deklaratat u bënë të martën nga kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, pas mbylljes së tre grup-kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike, sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vet dhe po punojmë ngushtësisht me Komisionin Evropian për atë që do ta zëvendësojë këtë ligj”, tha Rama.
Lidhur me ligjin për zonat e mbrojtura, kryeministri tha se ai nuk do të shfuqizohet, por do të ndryshohen dispozitat që nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ligji për zonat e mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi. Na duhet të trajtojmë pjesë specifike, të cilat duhet të jenë në pajtim të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama.
Deklaratat u bënë në përgjigje të një pyetjeje mbi projektin turistik të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, për të cilin Komisioni Evropian ka shprehur shqetësime lidhur me përputhshmërinë me legjislacionin evropian.
Rama tha se projekti ndodhet ende në fazën e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe mohoi se po zhvillohet në kundërshtim me standardet evropiane.
“Projekti është ende punë në vazhdim. Projekti nuk është askund, nuk mund të shihet askund deri më tani sepse nuk është finalizuar. Vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces e sipër. Gjithçka po bëhet sipas rregullave të ditës së parë”, tha ai.

Sipas kryeministrit, Shqipëria nuk do të ndërmarrë asnjë projekt që nuk është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ne do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipërinë dhe për Evropën. Në të kundërtën, nuk do të ndodhë”, shtoi Rama.
Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura u miratuan në vitin 2024 vetëm me votat e mazhorancës socialiste. Amendamentet krijuan mundësinë për ndërtimin e strukturave akomoduese të kategorisë së lartë dhe infrastrukturës përkatëse brenda zonave të mbrojtura. Territoret nuk përshkruheshin më vetëm si hapësira ku aktivitetet e papërshtatshme duhet të kufizohen, parandalohen apo eliminohen, por edhe si zona ku mund të lejohen zhvillime turistike, ekonomike dhe ndërhyrje urbane.
Parlamenti Evropian i ka cilësuar këto ndryshime si një hapje të zonave të mbrojtura ndaj infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë dhe si transferim të kompetencave të rëndësishme te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kontrollin mjedisor.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se ndryshimet në legjislacion janë pjesë e angazhimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të negociatave për kapitullin 27, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
“Edhe përpara se të nisnin këto protesta kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura. Gjithashtu do të shfuqizohej ligji për investimet strategjike. Këto ndryshime duheshin bërë për të përmbyllur negociatat për kapitullin 27”, tha Kos.
Ajo shtoi se mbrojtja e mjedisit mbetet një nga kriteret themelore të procesit të anëtarësimit dhe inkurajoi autoritetet shqiptare që ndryshimet të miratohen sa më shpejt.
Komisionerja komentoi edhe protestat kundër projektit në Zvërnec.
“E dimë që kjo është një çështje shumë e rëndësishme në debatin publik shqiptar. Protestat janë pjesë e proceseve demokratike dhe mënyra se si vendet i trajtojnë këto protesta është pjesë e rëndësishme e procesit”, tha Kos.
Deklaratat vijnë pas më shumë se 45 ditësh protesta të pandërprera kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Lëvizja qytetare, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, ka kërkuar ndër të tjera shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe heqjen dorë nga ligji për investimet strategjike.
Aktivisti Andi Tepelena, një nga mbështetësit e protestës, e cilësoi deklaratën e Komisionit Evropian si rezultat të mobilizimit qytetar.
“Falë protestave masive, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, i kërkoi pa dorashka kryeministrit shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe amendamenteve të ligjit për zonat e mbrojtura”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.
Më 14 korrik, Shqipëria mbylli negociatat për tre grup-kapituj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që lidhen me kërkimin shkencor, arsimin dhe kulturën, si edhe marrëdhëniet me jashtë. Me mbylljen e tyre, vendit i mbeten edhe 30 kapituj të tjerë për t’u negociuar.