GJKKO gjobit avokatët që vijojnë bojkotin kundër rregullores për celularët

Gjykata e Posaçme vendosi masa financiare ndaj avokatëve që vijuan të hënën bojkotin e seancave në kundërshtim të rregullores së re për përdorimin e telefonave celularë, ndërsa raportimet mediatike japin shifra të ndryshme për masën e gjobës dhe GJKKO nuk ka publikuar ende vendimin.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, vendosi të hënën masa me gjobë ndaj avokatëve që refuzuan të merrnin pjesë në një proces gjyqësor, në zbatim të vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkotimin e seancave.

Masa u mor gjatë procesit ndaj Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë, ku Prokuroria e Posaçme pritej të paraqiste pretencën. Avokatët ishin të pranishëm fizikisht në sallë, por qëndruan në hapësirën e rezervuar për publikun dhe deklaruan se vijonin bojkotin. 

Trupa gjykuese, e kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, vendosi më pas aplikimin e masave financiare ndaj mbrojtësve të zgjedhur nga të pandehurit dhe atyre të caktuar kryesisht.

Për shumën dhe numrin e avokatëve të gjobitur ka raportime të ndryshme. Reporter.al raportoi se masa u vendos ndaj 15 avokatëve, me nga 5 mijë lekë secili. 

Përplasja mes avokatëve dhe Gjykatës së Posaçme nisi pas hyrjes në fuqi, më 1 shtator, të rregullores së re për sigurinë, rendin dhe zhvillimin e veprimtarisë në ambientet e gjykatës. Rregullorja, e miratuar më 17 korrik, kufizon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit dhe përmban dispozita që prekin edhe punën e gazetarëve. 

Më 8 shtator, Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë vendosi bojkotimin pa afat të seancave në GJKKO, deri në pezullimin ose rishikimin e rregullores. Nga bojkoti janë përjashtuar kryesisht seancat që lidhen me masat e sigurimit dhe disa procedura të tjera urgjente. 

Avokatët argumentojnë se telefoni celular është një mjet pune dhe se kufizimi cenon ushtrimin e profesionit. Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, ka kërkuar pezullimin dhe rishikimin e rregullores, ndërsa Dhoma ka paralajmëruar edhe masa disiplinore ndaj avokatëve që nuk respektojnë vendimin për bojkot. 

Gjykata e Posaçme iu përgjigj me shkrim Dhomës së Avokatisë më 16 shtator, duke mbrojtur rregulloren dhe duke argumentuar se kundërshtimi i saj nuk pezullon zbatimin. Sipas qëndrimit të GJKKO-së, avokatët mund të përdorin rrugët ligjore për të kundërshtuar rregulloren, por ajo mbetet e detyrueshme për sa kohë është në fuqi. 

Rregullorja është kundërshtuar edhe nga përfaqësues të medias. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për dispozitat që, sipas tij, kufizojnë lirinë e medias, publicitetin e gjykimit dhe mundësinë e raportimit nga proceset në GJKKO.