“Të hiqet Nënë Tereza”, narrativa përçarëse u mbështet tek Naim Frashëri
Shkolla jopublike “Udha e Shkronjave” kërkoi heqjen e nderimit shtetëror dhe të pushimit zyrtar për Nënë Terezën, pasi nderimi “Naim Frashëri” nuk u përfshi në sistemin e ri të dekoratave dhe kjo u paraqit si heqje e cilësimit “Poet Kombëtar”. Pretendimi e riktheu figurën e Shën Terezës në qendër të një diskursi dezinformues, që e vendoste përballë figurës së Naim Frashërit.
Grafikë ilustruese me postimet në rrjetet sociale. Përpunoi Media Amfora
“Të shfuqizohet Urdhri Nënë Tereza. Të hiqet dita e pushimit zyrtar për Nënë Terezën”, shkruhej më 6 shtator në një postim të llogarisë së shkollës jopublike “Udha e Shkronjave”, në “Facebook”.
Postimi njoftonte publikimin e një kërkese zyrtare që mbante emrin e drejtorit të shkollës, Artur Shkurti. Si argument për heqjen e nderimit për Nënë Terezën, ai përmendte mospërfshirjen e Urdhrit “Naim Frashëri” në sistemin e ri të dekoratave, të cilën e paraqiste si një vendim që “godet statusin Poet Kombëtar”.
Kërkesa përfshinte nderimin shtetëror që mban emrin e Nënë Terezës dhe pushimin zyrtar më 5 shtator, të përcaktuar në ligj si, “Dita e Shenjtërimit të Shën Terezës”.
“Është koherencë edukative të heqësh Nënë Terezën pas heqjes së turpshme të Naim Frashërit”, shkruhej në kërkesë.
Artur Shkurti është themeluesi, drejtuesi dhe pronari i shkollës 9-vjeçare “Udha e shkronjave” në Tiranë, të cilën sipas faqes së saj, e drejton që prej vitit 1997. Përveç drejtimit të shkollës, Shkurti publikon edhe shkrime që lidhen me arsimin, edukimin kombëtar dhe figurën e Naim Frashërit.
Sipas tij, kërkesa u dërgua me email në 330 adresa zyrtare, përfshirë ato të 140 deputetëve, shkollave të Tiranës, historianëve dhe institucioneve arsimore.
Në ligjin e mëparshëm, emërtimi zyrtar ishte titulli “Naim Frashëri”, një nderim shtetëror që u jepej personaliteteve për kontributet e tyre në shkencë, art, kulturë dhe arsim. Ndërsa “Poet Kombëtar” është cilësimi me të cilin Naim Frashëri njihet për rolin e tij në letërsinë dhe Rilindjen Kombëtare. Një prej marrëseve të këtij titulli ishte edhe këngëtarja Rita Ora, e cila në arkivin e Presidentit figuron si e nderuar në vitin 2022.
Pretendimet për Naim Frashërin rikthyen Nënë Terezën në debat
Kërkesa e publikuar më 6 shtator nuk ishte pikënisja e kësaj narrative, pasi muaj më parë ishte shfaqur pretendimi se Naim Frashëri po “dëmtohej” për shkak të lidhjes së veprës së tij me kulturën persiane dhe Iranin. Kjo ide u përdor më pas si argument për kërkesat mbi heqjen e nderimeve për Nënë Terezën.
Më 22 mars, Dritan Mardodaj, artist pamor dhe autor tekstesh këngësh, publikoi në profilin e tij një tekst të paraqitur si shkrim i Artur Shkurtit, me titullin “Çfarë dinë iranianët për Poetin Kombëtar Naim Frashëri”.
“Ky qartësisht është një interes izraelito-grek dhe serb për arsye të ndryshme, të zëvendësimit të shqiptarëve, të dobësimit të tyre, përmes zvetënimit kulturor dhe dizintegrimit”, shkruhej në tekst.
Ndërsa teksti i Shkurtit, i shpërndarë nga Mardodaj, nuk sillte prova për përfshirjen e këtyre shteteve në ndryshimin e ligjit shqiptar. Naim Frashëri shkroi edhe në persisht dhe ndikimi i letërsisë persiane në krijimtarinë e tij është i dokumentuar, por kjo lidhje letrare nuk provon ndikimin e shteteve të huaja në ndryshimin e sistemit shqiptar të dekoratave.
Më 29 korrik, kjo narrativë u zgjerua përfshiu edhe Nënë Terezën. Në një postim, llogaria e shkollës “Udha e shkronjave” argumentonte se, meqë Urdhri “Naim Frashëri” nuk ishte përfshirë në sistemin e ri të dekoratave, duhej hequr edhe nderimi shtetëror “Nënë Tereza” dhe pushimi zyrtar në nder të figurës së saj.
Shkurti e zgjeroi të njëjtin argument duke përfshirë edhe Kishën Katolike. Në një shkrim të datuar më 20 gusht, ai pyeste nëse kisha ishte, “pas dëmtimit të Naim Frashërit dhe nismës Shtet Bektashi” dhe shkruante se, “nga dëmtimi i Naim Frashërit përfiton Kisha Katolike”.
Teksti, i ribotuar më 28 gusht nga “Radi & Radi” – një faqe në internet me profil kulturor, historik dhe publicistik – e vendoste Naim Frashërin përballë pretendimeve mbi nderimet shtetërore për Nënë Terezën, por nuk sillte prova për përfshirjen e Kishës. Më 6 shtator, Shkurti e paraqiti këtë argument më tej në kërkesën publike.
Kërkesa e Shkurtit kaloi më pas nga faqja e shkollës te mediat në internet dhe llogari të tjera në Facebook. Më 6 shtator, ajo u ribotua nga Gazeta Impakt në rubrikën “Opinion”.
Nderimi “Naim Frashëri” u paraqit si titull i poetit
Debati që më pas përfshiu Nënë Terezën nisi nga mënyra se si u interpretua një ndryshim në sistemin e dekoratave. Ligji i vitit 2022 për dekoratat, që hyri në fuqi në mars 2024, solli një sistem të ri me tre urdhra dhe tetë kategori medaljesh.
Titulli “Naim Frashëri”, i parashikuar në ligjin e mëparshëm, nuk u përfshi në listën e re, por megjithëse ligji i ri ndryshoi listën e nderimeve shtetërore, nuk ndryshoi cilësimin “Poet Kombëtar” të Naim Frashërit. Ndërsa dekoratat e dhëna përpara hyrjes së tij në fuqi vazhdojnë të njihen dhe të mbahen sipas kushteve me të cilat janë dhënë.
I njëjti ngatërrim shfaqet edhe te emërtimi i nderimit për Nënë Terezën. Sipas Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, ai u krijua në vitin 1991 si urdhër, ndërsa sot vazhdon si Medalja “Nënë Tereza”, me tri shkallë: Të artë, të argjendtë dhe të bronztë. Shkolla kërkoi heqjen e “Urdhrit Nënë Tereza”, megjithëse ligji në fuqi parashikon një medalje me këtë emër.
Pushimi zyrtar më 5 shtator lidhet me shenjtërimin e Nënë Terezës. Ai përcaktohet nga ligji për festat zyrtare dhe ditët përkujtimore, jo nga ligji për dekoratat. Një ndryshim ligjor i vitit 2017 zëvendësoi 19 tetorin, Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, me 5 shtatorin, Ditën e Shenjtërimit të Shenjt Terezës.
Kërkesa e shkollës bashkoi kështu dy çështje të veçanta, nderimin shtetëror që mban emrin e Nënë Terezës dhe ditën e pushimit zyrtar të përcaktuar për shenjtërimin e saj.
Në kërkesën e Artur Shkurtit, ai shpjegonte se shkolla e kishte promovuar vazhdimisht figurën e Gonxhe Bojaxhiut dhe se nisma nuk ndërmerrej “me ndonjë qejf të madh”. Ai shtonte se nuk priste që Kuvendi ta hiqte vërtet nderimin “Nënë Tereza”, por donte ta linte dokumentin si një “shënim zyrtar” ndaj asaj që e quante shpërfillje të Naim Frashërit.
Amfora i kërkoi shkollës koment për kërkesën që të hiqeshin nderimi shtetëror dhe dita e pushimit zyrtar për Nënë Terezën. “Udha e shkronjave” nuk dha sqarime të tjera dhe e drejtoi Amforën tek artikulli i plotë i publikuar në faqen e saj.
Një nderim shtetëror që mbante emrin e Naim Frashërit, u paraqit kështu si titulli “Poet Kombëtar” i vetë poetit. Mbi këtë barazim u kërkua heqja e Medaljes “Nënë Tereza” dhe e pushimit zyrtar më 5 shtator.
Nënë Tereza, e lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ishte murgeshë katolike shqiptare, e njohur për veprimtarinë humanitare në Indi, fituese e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1979 dhe e shpallur shenjtore në vitin 2016.
Figurat e saj dhe e Skënderbeut përdoren herë pas here në narrativa fetare dhe identitare, shpesh duke i shkëputur nga konteksti historik. Përmes këtij instrumentalizimi, këto figura me karakter kombëtar dhe unifikues kthehen në mjete për polarizim.
Pavarësisht narrativave dezinformuese, sipas një pyetësori të vitit 2022 nga Amfora, audienca e anketuar priret t’i shohë Skënderbeun dhe Nënë Terezën kryesisht si figura kombëtare, jo si simbole të një përkatësie fetare. Rreth 70% e të anketuarve thanë se nuk e lidhnin Skënderbeun me besimin fetar, ndërsa 53% deklaruan se kishin hasur raportime keqinformuese për figurën e tij. Një pjesë e audiencës e perceptonte identifikimin e këtyre figurave vetëm me katolicizmin si të motivuar nga qëllime dashakeqe, fundamentaliste ose nga keqinterpretimi i historisë.