Trashëgimia kulturore me koncesion: Jepni vlerësimin tuaj
Muajt e fundit, qeveria shqiptare po çon përpara kontrata koncesionare me fondacione ose subjekte private për menaxhimin e disa prej pasurive kryesore arkeologjike apo të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit u krijua me një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, (AADF) i cili ka mbështetur edhe hartimin e planit të biznesit për menaxhimin e Butrintit. Marrëveshja mes ministrisë dhe këtij fondacioni parashikon lënien në menaxhim të Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vite.
Në Durrës është hartuar Plani i Menaxhimit të Integruar të 2 zonave arkeologjike, që ndahen në “A”, me rëndësi dhe risk të lartë arkeologjik dhe “B”, me risk të mesëm. Ai është përgatitur me financimin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, në bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës dhe pritet të zbatohet në 3 faza, që do të zgjasin të paktën 7 vite, duke nisur me punën për zbulimin e amfiteatrit dhe sjelljen e një koncepti të ri menaxhimi.
Ndërsa Pallati Presidencial është projektuar të jepet me koncesion për 20 vjet, përmes një plani menaxhimi që parashikon investime 30 milionë euro për rehabilitimin e kompleksit dhe ndërtimin e strukturave rekreative.
Për të raportuar mbi këto projekte dhe ndikimin afatgjatë të tyre, Media Amfora fton ekspertët e trashëgimisë kulturore, arkeologët, por edhe qytetarët në përgjithësi që të ndajnë vlerësimin e tyre mbi këtë strategji të re të qeverisë.
Për t’u bërë pjesë e raportimit tonë, gjithë sa duhet të bëni është të plotësoni pyetësorin e mëposhtëm ose të na kontaktoni përmes adresës sonë të emailit: amfora.al@gmail.com, si edhe përmes rrjeteve tona sociale, në Facebook dhe Instagram: @Amfora.al dhe Twitter: @AlAmfora
Përgjigjet tuaja i presim deri më datë 12 shkurt 2023, ora 24:00
Ky pyetësor është mbyllur pas përfundimit të afatit kohor për të mbledhur përgjigjet nga audienca jonë. Për më shumë mund të ndiqni edhe kategorinë Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar.
_________
Media Amfora fton herë pas here të apasionuarit dhe të gjithë qytetarët që të raportojnë mbi raste konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë, duke dhënë informacione apo plotësuar pyetësorët që publikohen në faqe. Klikoni KËTU dhe ndiqni lajmet tona rreth raportimeve tuaja apo plotësoni pyetësorët që ne publikojmë për “Raportimin e Qytetarëve të Angazhuar”.
Foto në krye: Ilustrim nga Media Amfora.