Bazilika Paleokristiane e Gjuricajt, e rrethuar nga pronarët e tokës dhe e harruar nga autoritetet

Bazilika Paleokristiane e Gjuricajt në Qarkun Durrës është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë që mendohet të jetë ndërtuar në shekujt V–VI të Erës Sonë. Gjurmët e kishës, elementëve arkitektonik monumental ruhen ende sot, por banorët shprehen se nuk janë zhvilluar gërmime të reja dhe ndërhyrje konservuese. 

Pranë tokave bujqësore të fshatrave të Njësisë Administrative Ishëm në Durrës, rrëzë një kodrine ruhen gjurmët e Bazilikës Paleokristiane të Gjuricajt. 

Për të arritur në territorin e momumentit nevojitet kalimi përmes tokave bujqësore private dhe pasi kalon disa gardhe gjendesh tek Bazilika. Ende pa mbaruar leximin e sikletshëm të gërmave që i ka mbuluar ndryshku i tabelës “Monument Kulture”, aty ja beh me nxitim një banor i zonës.

“Gjithçka ka ardhur pas vërtetimit të një guri mermeri që e kanë gjetur të afërmit e mi. E kanë dërguar tek arsimi i shkollës në fshatin tonë, nga aty është njoftuar shteti që këtu është diçka dhe më pas kanë ardhur dhe kanë bërë gërmimet”, rrëfen me zell Blerim Kulla, për Median Amfora.

Burri që e ka mbiemrin si emri i fshatit, Kullas, është kthyer nga emigrimi dhe e sheh bazilikën si një mundësi zhvillimi për zonën, por e cila nuk është vlerësuar sa duhet.

“Nga viti 1990 e pas punimet janë anuluar. Nga viti 1990 dhe deri më sot që ne po flasim shteti nuk ka vënë dorë fare, asnjë lloj investimi, vetëm çfarë kanë arritur që të marrin dhe të vjedhin”, rrëfen burri i shqetësuar.

Deri më tani  monumentit i janë matur përmasat 47 me 20 metra dhe kisha që ngrihej aty është e tipit bazikal dhe pas ndërtimit me kalimin e viteve aty është adaptuar një kapelë e vogël.

Bazilika Paleokristiane e Gjuricajt, pamje ajrore. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora   

Nga monumenti që gjendet vetëm 30 kilometra nga Tirana ruhen ende një pjesë e mureve, dyshemetë dhe disa detaje arkitektonike prej mermeri. Ai mendohet se u ndërtua në shekujt V–VI të Erës Sonë.

Banorët kujtojnë se ajo u zbulua rreth viteve 1980 dhe që prej asaj kohe nuk ka përfituar asnjë ndërhyrje nga ana e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

“Është lënë në gjendje skandaloze edhe pse ka histori dhe pse tabela thotë është e mbrojtur nga shteti, tani as nuk lexohet se çfarë shkruhet në të”, rrëfen Blerim Kulla.

Ai është i vetëdijshëm për vlerat e Bazilikës e sheh ekzistencën e saj si mundësi zhvillimi, por nuk e fsheh që është i zhgënjyer nga insitucionet përgjegjëse. 

“Këtu turistët kanë ardhur dhe janë të mirëpritur që të vijnë. Por kur e shohin në këtë gjendje vetëm se nuk i kanë dalë lot nga sytë”, shpjegon 37 vjeçari.

Blerim Kulla rrëfen se momumenti është zbuluar në tokën e familjes së tij dhe megjithëse monumenti i përket shtetit, institucionet ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e pronësisë së tokës ku ndodhet ajo. 

Bazilika Paleokristiane e Gjuricajt, pamje ajrore. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora   

“Kjo pavarësisht se mund të konsiderohet pronë e shtetit, duam apo nuk duam kjo është pronë private, ç’ka do të thotë se shteti duhet të kompesonte pronarët e kësaj prone, por na kanë gënjyer në lloj-lloj mënyrash”, tregon Kulla.

“Sepse ne jemi trashëgimtarët e tokës ku ndodhet kjo bazilikë”, shtoi ai, duke sqaruar se së bashku me familjarët kujdesen për pastrimin e saj, duke hequr barishtet dhe mbajtur të pastër zonën përreth.

Mos zgjidhja e çështjes së pronësisë e ka lënë monumentin midis tokave private që janë rrethuar dhe vizitimi i tij përbën sfidë, duke kërkuar dakordësinë e pronarëve të tokës dhe mugon një rrugë e dedikuar për aty.

“Duke qenë se ne nuk kemi asnjë lloj përgjigje nga shteti në lidhje me kompesimin në lidhje me zgjidhjen e problemit të trashëgmitarëve me shtetin, ne kemi bërë rrethimet përkatëse të zonës monument kulture sepse kjo është tokë private dhe rrethimi përfshin edhe bazilikën”, shpjegoi Kulla.

Tabela e monumentit. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora   

Pak minuta nga monumenti arkeologjik gjendet një tjetër banesë historike që gëzon të njëjtin status mbrojtje. Kulla 3-katëshe e Sulejman Kullës i ka dhënë edhe emrin fshatit, por sot ballkonet prej druri janë rrënuar, çatia me tjegulla është rrëzuar krejtësisht dhe lagështira po kalb dyshemetë nga kati në kat, ndërsa muret prej guri janë në rrezik shembje.  

E dëmtuar edhe nga tërmeti i nëntorit 2019-të, ajo dhe momumentet e tjera në periferi të Durrësit përballen me nevojën për ndrhyrje restauruese dhe konservuese. 

_________

Media Amfora fton herë pas here të apasionuarit dhe të gjithë qytetarët që të raportojnë mbi raste konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë, duke dhënë informacione apo plotësuar pyetësorët që publikohen në faqe. Klikoni KËTU dhe ndiqni lajmet tona rreth raportimeve tuaja apo plotësoni pyetësorët që ne publikojmë për “Raportimin e Qytetarëve të Angazhuar”.

Foto në krye: Bazilika Paleokristiane e Gjuricajt. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora