Të rinjtë, e tashmja që nuk po dëgjojmë
Të rinjtë në Shqipëri vazhdojnë të përmenden si e ardhmja e vendit, ndërsa zëri i tyre mbetet ende i kufizuar në debatet publike, media dhe vendimmarrje. Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ky reflektim ndalet te nevoja për t’i parë ata jo vetëm si një premtim për nesër, por si pjesë të së tashmes që duhet dëgjuar më shumë.
Të rinj me megafon gjatë protestave të njohura si "Revolucioni i Flamingove"
Prej kohësh më ka bërë përshtypje mënyra se si flasim për të rinjtë në Shqipëri. Në diskursin publik ata janë pothuajse gjithmonë “e ardhmja e vendit”, një përcaktim që tingëllon pozitiv dhe shpresëdhënës, por që në një farë mënyre i zhvendos vazhdimisht drejt së nesërmes. Ndërkohë, të rinjtë jetojnë, punojnë, largohen, përpiqen të ndërtojnë një karrierë dhe përballen sot me pasojat e vendimeve që merren pa praninë e tyre.
Në punën e përditshme, në diskursin publik dhe më tej në media, kjo kontradiktë bëhet edhe më e dukshme. Për të rinjtë flitet shumë, ndërsa zëri i tyre dëgjohet shumë më pak. Flitet për emigracionin, arsimin, punësimin, pagat e ulëta, mungesën e profesionistëve dhe plakjen e popullsisë. Janë tema që rikthehen vazhdimisht në lajme dhe debate, por në shumë raste diskutimi zhvillohet nga politikanë, ekspertë dhe komentatorë të konsoliduar. Të rinjtë mbeten shpesh objekti i debatit dhe jo pjesë e tij.
Sot, më 12 gusht, shënohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë, një datë e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të sjellë në vëmendje rolin, kontributin dhe pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri. Ndërsa në Shqipëri, 8 Dhjetori njihet si Dita Kombëtare e Rinisë dhe lidhet me Lëvizjen Studentore të vitit 1990. Dy datat kanë histori dhe kuptime të ndryshme, por 12 gushti mund të shërbejë edhe si një moment reflektimi për vendin që të rinjtë kanë realisht në shoqërinë shqiptare të sotme.
Problemi nuk qëndron te mungesa e vëmendjes ndaj rinisë si temë. Përkundrazi, rinia është një nga temat më të përdorura në komunikimin politik dhe institucional. Problemi fillon kur kjo vëmendje nuk përkthehet në pjesëmarrje të qëndrueshme, mundësi reale dhe ndikim në vendimmarrje.
Gjtihashtu media ka pjesën e saj të përgjegjësisë. Të rinjtë shfaqen shpesh në dy skaje. Në njërin janë protagonistë të problematikave sociale, emigracionit, papunësisë apo kriminalitetit. Në tjetrin shfaqen si histori të jashtëzakonshme suksesi, kur një i ri fiton një konkurs, arrin rezultate ndërkombëtare, krijon një sipërmarrje apo spikat në një fushë të caktuar.
Në këto raste historia merr vëmendje për një periudhë të shkurtër dhe më pas humbet. Mungon vazhdimësia për të treguar se çfarë ndodh me atë të ri pas suksesit, çfarë pengesash has, çfarë mundësish i ofron vendi dhe nëse arrin ta ndërtojë të ardhmen këtu, duke u zhvendosur nga individi tek shumica, drejt njohjes së fenomenit. Pa këtë vazhdimësi, të rinjtë rrezikojnë të mbeten personazhe të një lajmi dhe jo zëra të qëndrueshëm të shoqërisë.
E njëjta logjikë shihet edhe te pjesëmarrja qytetare. Gjatë viteve janë krijuar shumë programe, trajnime, konsultime dhe projekte që synojnë angazhimin e të rinjve. Ato kanë rëndësinë e tyre, por shpesh janë të kufizuara nga afati i projektit. Një i ri merr pjesë në një aktivitet, trajnohet, përfshihet për disa muaj dhe më pas lidhja me procesin publik ndërpritet. Një pjesëmarrje e tillë është e dobishme, por nuk mjafton për të krijuar një brez që ndien se mund të ndikojë realisht në mënyrën se si funksionon vendi dhe kjo kërkon patjetër një qasje demokratike në nivel institucional.
Ky hendek bëhet edhe më i madh jashtë Tiranës. Mundësitë e një të riu në një qytet të vogël apo në një zonë rurale nuk janë të njëjta me ato të një bashkëmoshatari në kryeqytet. Punësimi, aktivitetet kulturore, rrjetet profesionale, arsimi dhe mundësitë për zhvillim personal janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë. Megjithatë, kur flitet në nivel kombëtar për “rininë shqiptare”, këto dallime territoriale shpesh humbasin.
Një tjetër element që ndikon drejtpërdrejt në marrëdhënien e të rinjve me vendin është meritokracia. Një i ri që përfundon studimet dhe hyn në tregun e punës ka nevojë të besojë se aftësia, profesionalizmi dhe puna që krijon mundësi reale. Kur përvoja e tij i jep përshtypjen se lidhjet personale, përkatësia politike apo përshtatja me strukturat ekzistuese kanë më shumë peshë, dëmi nuk kufizohet vetëm te një vend pune i humbur. Ai prek besimin se e ardhmja mund të ndërtohet këtu.
Pikërisht këtu emigracioni merr një kuptim më të gjerë. Largimi nuk fillon vetëm me blerjen e një bilete dhe nuk shpjegohet vetëm me diferencën e pagave. Ai nis edhe kur krijohet bindja se përpjekja nuk shpërblehet, se hapësirat për zhvillim janë të kufizuara dhe se zëri kritik nuk është gjithmonë i mirëpritur.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë mund të kalojë si shumë data të tjera, me aktivitete, deklarata dhe postime në rrjetet sociale, por ajo mund të shërbejë edhe për një reflektim më të thjeshtë mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare i sheh të rinjtë. Për shumë vite atyre u është thënë se janë e ardhmja e vendit. Ndërkohë, sfida më e rëndësishme mbetet krijimi i hapësirës që ata të jenë pjesë e së tashmes.