Perandori që u arrestua në Durrës

Perandori i Saharasë arrestohet si hajdut në Durrës” është titulli i një artikulli në faqe të parë të gazetës Corriere della Sera publikuar në datë 29 tetor 1904. Në fakt ngjarja ishte zhvilluar një ditë më parë më 28 tetor dhe kishte si protagonist një nga njerëzit më të pasur të kohës, francezin Jacques Lebaudy. Me një pasuri marramendëse, Lebaudy, në krye të 400 ushtarëve mercenarë, kishte zbarkuar në Marok në qershor të vitit 1903 dhe nga aty kishte shpallur (nga hiçi) krijimin e një perandorie të cilën e quante Perandoria e Saharasë. Duke qënë se shtetet e mëdha si Spanja dhe Franca kishin interesa të forta në zonë, veprimi i Lebaudy u pa si kërcënim dhe shteti nuk u njoh kurrë. Lebaudy e ngriti çështjen në gjykatën e Hagës dhe nisi një tur nëpër Europë për të marrë miratimin e kurorave të tjera mbretërore, tashmë të afirmuara. 

Corriere della Sera 29 tetor 1904

Në këtë kuadër, pasi ishte refuzuar në Mal të Zi nga princi Nikolla, Lebaudy vendos të zbres për pak kohë në Durrës, para se të nisej për në Korfuz. Puna ishte se njëkohësisht, nga Shkodra, kishte ardhur në Durrës edhe një telegram për një arkëtar  austriak nga Viena i cili pasi kishte vjedhur paratë e arkës ishte arratisur diku në Vilajetin e Shkodrës. Shpërblimi për kapjen e arkëtarit hajdut ishte 50 napolona floriri. Oficerët, jo fort të mprehtë turq të Durrësit, menduan se Lebaudy ishte arkëtari hajdut dhe me shpresën se në këmbim do merrnin 50 napolona floriri e arrestojnë atë pothuajse menjëherë. Arsyeja përmes të cilës u krye arrestimi ishte së perandorit iu gjetën me vete 350 napolona floriri. 

Më kot protestonte Jacques Lebaudy me argumentin se ai në fakt ishte një nga njerëzit më të pasur të botës dhe se përveç 350 napolonave të floririt që i ndodheshin në xhep ai zotëronte edhe 360 milion franga të tjera pasuri. U deshën 3 ditë sqarime me konsullatën austriake, dhe  sigurisht një shumë e mirë parash nën dorë për oficerët turq, që Perandori i Saharasë të dilte nga burgu.

________

Kjo përmbajtje është përgjegjësi e autorit të cituar në shkrim dhe jo e redaksisë sonë. Artikulli është publikuar në kategorinë “Blog”, një hapësirë mendimi e pavarur nga redaksia e Medias Amfora. Ne synojmë të nxisim profesionistët, dashamirësit e trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm, të kontribuojnë me shkrime dhe mendime mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës, duke krijuar vlerë në informimin e publikut.  Krijoni profilin tuaj dhe postoni artikuj në faqen e Medias Amfora. Për më shumë ndiqni videon udhëzuese duke klikuar KËTU. Për çdo sugjerim, kritikë apo ankesë mbi këtë përmbajtje, ju lutemi na shkruani në emailin: ankesa@amfora.al