25 vatra zjarri në 24 orë, Lura në fokus të operacioneve nga toka dhe ajri

Nëntë nga 25 vatrat e zjarrit të raportuara gjatë 24 orëve të fundit mbeten aktive në vend, ndërsa situata më problematike paraqitet në Lurë, ku flakët janë afruar pranë disa banesave. Rreth 220 forca dhe efektivë janë angazhuar në operacion, ndërsa ndërhyrjet po vijojnë edhe nga ajri.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në vend, nga të cilat nëntë mbeten aktive. Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 395 forca operacionale dhe 41 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë angazhuar 167 efektivë, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.

Situata paraqitet më problematike në Gurë-Lurë, në Bashkinë Dibër, ku sipas Ministrisë së Mbrojtjes zjarri ndodhet pranë disa banesave dhe forcat zjarrfikëse janë pozicionuar për mbrojtjen e tyre.

“Për shkak të afërsisë së zjarrit me disa banesa, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre për mbrojtjen e komunitetit”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur se rreth 220 forca dhe efektivë nga disa struktura shtetërore dhe vendore, së bashku me vullnetarë, janë angazhuar në operacionin në Lurë. Deri tani janë kryer mbi 10 misione ajrore me dy avionë “Air Tractor” mbi vatrat më problematike.

Në operacion janë përfshirë zjarrfikësit, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Administrata e Zonave të Mbrojtura, Shërbimi Pyjor, strukturat bashkiake, vullnetarët, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Prefektura e Qarkut Dibër. Ndërhyrjet nga ajri po përqendrohen në frenimin e përhapjes së flakëve në zonat më problematike.

“Një operacion i përbashkët, me qindra njerëz në terren dhe mbështetje nga ajri, për të vënë nën kontroll flakët dhe për të mbrojtur Lurën dhe pasurinë e saj natyrore”, njoftoi Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Vatra aktive raportohen edhe në Dajt dhe Priskë të Madhe, Drenie të Patosit, Krujë, Nëmerçkë, malin Dhëmbel dhe malin e Moravës në Devoll.

Në Drenie zjarri është riaktivizuar, ndërsa operacionet vijojnë me mbështetjen e Forcave të Armatosura. Në malin e Moravës flakët vijojnë në një zonë të mbrojtur me pyll pishe.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në Dajt, Krujë, Nëmerçkë, Dhëmbel dhe Moravë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa operacionet vijojnë për kufizimin dhe shuarjen e vatrave aktive.

Situata me zjarret mbetet problematike prej disa ditësh në zona të ndryshme të vendit, ndërsa vatrat aktive dhe zonat më të prekura kanë ndryshuar në varësi të përhapjes së flakëve dhe ndërhyrjeve për shuarjen e tyre.