Sarajet e Toptanëve, prej vitit 1837 i rezistojnë kohës në zemër të Tiranës
Sarajet e Toptanëve, një nga monumentet më të rralla të Tiranës historike, vazhdojnë t’i rezistojnë kohës mes kullave moderne të kryeqytetit, pranë Kalasë së Tiranës. E ndërtuar në vitin 1837, ndërtesa është një nga shembujt më të mirë të arkitekturës civile osmane të shekullit XIX dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e qytetit.
Fasada kryesore e Sarajeve të Toptanëve. Foto: Media Amfora
Në zemër të Tiranës, mes kullave prej xhami dhe ritmit të vrullshëm të kryeqytetit, Sarajet e Toptanëve vazhdojnë të qëndrojnë si një nga dëshmitë më të rralla të arkitekturës qytetare të shekullit XIX, buzë rrugës “Abdi Toptani”. Oborri me shatërvanin prej guri, dritaret prej druri dhe mbishkrimi “1837” mbi hyrje, tregojnë historinë e një ndërtese që i ka mbijetuar transformimeve të qytetit dhe ruan ende gjurmët e Tiranës së dikurshme.

Kompleksi u ndërtua nga Familja Toptani në gjysmën e parë të shekullit XIX dhe konsiderohet një nga rezidencat feudale më të rëndësishme të ruajtura në Shqipëri. I ngritur nga mjeshtra dibranë, ai përfaqëson tiparet më karakteristike të arkitekturës qytetare osmane, me çardakun, hajatin dhe organizimin e ambienteve rreth “shtëpisë së zjarrit”, që përbënte qendrën e jetës familjare.

Sarajet nuk ishin vetëm një banesë, por një kompleks rezidencial i ndërtuar për të përmbushur nevojat e një prej familjeve më me ndikim të kohës. Të rrethuara dikur me mure guri, ato përfshinin dhjetëra ambiente, oborre, puse dhe porta monumentale. Një nga elementët më të veçantë që ruhet edhe sot është hamamxhiku, një hamam privat që dëshmon nivelin e zhvillimit arkitekturor dhe ekonomik të Tiranës së shekullit XIX.

Gjatë historisë së tyre, Sarajet kanë ndryshuar funksion disa herë. Në fillim të shekullit XX ndërtesa iu nënshtrua një rikonstruksioni, ndërsa në vitet ’20 shërbeu edhe si seli e Legatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Për vlerat historike dhe arkitekturore, objekti u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1973.
Sot, monumenti qëndron i rrethuar nga ndërtesa moderne shumëkatëshe, duke krijuar një kontrast të fortë mes zhvillimit të kryeqytetit dhe trashëgimisë së tij historike. Megjithëse peizazhi urban ka ndryshuar rrënjësisht, oborri, shatërvani, fasada dhe elementët prej druri vazhdojnë të ruajnë identitetin e një prej banesave më të rëndësishme historike të Tiranës.

Të njohura edhe si Sarajet e Selim Pashë Toptanit ose Sarajet e Servet Bej Libohovës – dhëndri i Selim Pashës – ndërtesat janë pjesë e trashëgimisë së Familjes Toptani, një prej familjeve më me ndikim në historinë e Tiranës. Pasi Kalaja e Tiranës kaloi në zotërimin e tyre në fund të shekullit XVIII, Toptanët zhvilluan rezidencat dhe pronat e tyre në këtë pjesë të qytetit, duke lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë dhe urbanistikën e kryeqytetit.