SPAK kontrollon bazën e grupit kriminal Troplini në Shkozet

SPAK dhe strukturat e Policisë së Shtetit ushtruan të martën kontrolle në Shkozet të Durrësit, në bazën e grupit kriminal Troplini, në kuadër të hetimeve që lidhen me të ashtuquajturën dosje të AKSHI-t dhe skemën e dyshuar të manipulimit të tenderëve publikë.

Paraditen e së martës rruga mes vilave në lagjjen 14 në Durrës e njohur si Shkozet u mbush me makina policie dhe efektivë të armatosur, ndërsa hyrjet u bllokuan me barriera dhe nisi kontrolli në kompleksin e njohur si baza e grupit Troplini-Doçi, në kuadër të hetimit të SPAK-ut për tenderët e AKSHI-t.  

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën kryqëzimi i rrugës ‘Durrësi në Shekuj’ dhe rrugës ‘Bajram Tusha’”, njoftoi SPAK në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Rruga mes banesave u mbajt nën kontroll nga forcat e policisë për disa orë, ndërsa në operacion u angazhuan disa automjete të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. 

Kontrollet u përqendruan në ambientet e lidhura me familjen Troplini, përfshirë Xhevdet Troplinin, i njohur si “Poja”, dhe nipin e tij Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”. SPAK nuk njoftoi në këtë operacion ndonjë masë sigurimi ndaj Xhevdet Troplinit, ndërsa vendimi i bërë publik kishte si objekt kontrollin e ambienteve.

Kontrollet e 22 shtatorit në Shkozet u shoqëruan edhe me një incident me gazetarët në Durrës. Gazetarja e Syri Televizon, Albana Aliaj deklaroi se, ndërsa filmonte operacionin, efektivë të maskuar i morën telefonin dhe i fshinë pamjet, ndërsa ajo u paralajmërua se mund të vihej në pranga nëse nuk zbatonte urdhrat e tyre.

Zona e Shkozetit është identifikuar prej kohësh si bazë e grupit Troplini-Doçi. Në një raportim të mëparshëm, Amfora ka dokumentuar hetimet ndaj anëtarëve të këtij grupi dhe vështirësitë e autoriteteve për kapjen e personave të shpallur në kërkim. 

Elvis Doçi është një nga personat e hetuar nga SPAK në çështje të krimit të organizuar. Në maj të këtij viti, Prokuroria e Posaçme e dërgoi atë për gjykim së bashku me 23 persona të tjerë, nën akuza që përfshijnë trafik ndërkombëtar të kokainës, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. 

Operacioni i së martës lidhet me hetimin e nisur nga SPAK në vitin 2025, i njohur si “dosja e AKSHI-t”. Sipas Prokurorisë së Posaçme, personat e përfshirë në këtë hetim dyshohet se kanë manipuluar procedura tenderimi duke vendosur kritere për favorizimin e kompanive të caktuara dhe duke ushtruar presion ndaj operatorëve të tjerë që të tërhiqnin ankimimet e tyre. Hetimi përfshin dyshime për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, shkelje të barazisë në tendera, heqje të paligjshme të lirisë, korrupsion, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. 

Në prill, në kuadër të së njëjtës dosje, SPAK sekuestroi pasuri me një vlerë të përllogaritur mbi 40 milionë euro, duke deklaruar se hetimet vazhdonin për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.  

Në një operacion të mëparshëm në të njëjtën zonë, hetuesit e BKH-së arrestuan në Shkozet Adi Çobën, të kërkuar në kuadër të operacionit “Ura”, ndërsa SPAK e ka identifikuar Shkozetin si qendrën kryesore të grupit kriminal Troplini-Doçi.

Operacioni në kompleksin e vilave në Shkozet përfundoi pa një njoftim të SPAK-ut për arrestime apo masa të reja sigurimi ndaj anëtarëve të familjes Troplini, ndërsa kontrollet mbeten pjesë e hetimit më të gjerë që Prokuroria e Posaçme po zhvillon mbi tenderët publikë dhe veprimtarinë e dyshuar të grupit të strukturuar kriminal.