Zjarre në disa zona të vendit, evakuime në Gjirin e Lalzit dhe flakë pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë
Katër vatra zjarri u regjistruan nga pasditja e së martës deri të mërkurën në Durrës, Fier dhe Vlorë, ku era e fortë favorizoi përhapjen e flakëve. Në Gjirin e Lalzit u evakuuan persona nga një kompleks turistik dhe një banesë, ndërsa zjarri pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë rrezikoi zonën përreth, pa dëmtuar monumentet.
Zjarri i rënë në zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit. Foto: Bashkia Durrës
Nga pasditja e së martës deri të mërkurën në mëngjes, zjarrfikësit u përballën me vatra në Shën Pjetër të Gjirit të Lalzit, pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në Delisuf të Novoselës dhe në Llaman të Himarës, ku flakët përfshinë bimësi, pemëtari dhe sipërfaqe pranë zonave të banuara.
“Përhapja e shpejtë e flakëve është favorizuar edhe nga era e fortë”, shkroi në rrjetet sociale kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, për zjarrin që përfshiu mbrëmjen e së martës zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit.
Për shkak të afrimit të flakëve, autoritetet evakuuan personat që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private pranë zonës së rrezikut. Në operacion u angazhuan zjarrfikës dhe mjete nga Durrësi, Tirana, Shijaku, Kavaja dhe Kamza, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dërgoi tre mjete zjarrfikëse dhe 40 forca në mbështetje.
Sako u kërkoi qytetarëve dhe vizitorëve të shmangnin lëvizjet drejt zonës së prekur. Zjarri vijoi gjatë natës, ndërsa sipas përditësimit të mëngjesit të së mërkurës u shua rreth orës 02:00 dhe nuk preku banesa.
Disa orë përpara zjarrit në Gjirin e Lalzit, flakët kishin përfshirë kodrat e Pojanit, pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë në Fier. Zjarri u përhap në ullishte dhe shkurre, ndërsa për izolimin e tij u ndërhy edhe nga ajri.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili shkoi në zonë, deklaroi se monumentet, artefaktet dhe pjesa muzeale e Parkut të Apolonisë nuk ishin dëmtuar nga flakët. Ai tha gjithashtu se policia kishte nisur hetimet për shkakun e zjarrit.
Flakët prekën një pjesë të territorit në lindje të parkut, por ndërhyrja e punonjësve të tij dhe forcave zjarrfikëse pengoi përhapjen drejt monumenteve. Jashtë parkut, zjarri përfshiu sipërfaqe me bimësi dhe ullinj, ndërsa gjatë mbrëmjes u raportua se rrezikoheshin edhe prona në drejtim të fshatit Kryegjatë.
Një tjetër vatër u regjistrua të martën në fshatin Delisuf të Njësisë Administrative Novoselë, në Vlorë. Zjarri u përhap në sipërfaqe me pemëtari dhe përfshiu edhe një stallë, ku në momentin e flakëve nuk kishte bagëti, por ndodheshin rezerva bari për ushqimin e tyre. Banorë të zonës iu bashkuan zjarrfikësve në përpjekjet për të kontrolluar flakët.
Të mërkurën në mëngjes një vatër e re u shfaq në kodrat mbi Llaman të Himarës. Flakët nisën rreth orës 09:00 dhe u përhapën me shpejtësi nga era, duke përfshirë shkurre dhe pemë. Zjarrfikësit vijonin punën në terren, ndërsa deri në raportimet e para nuk kishte rrezik për banesat.
Katër vatrat u regjistruan në më pak se 24 orë dhe në të gjitha rastet era ndikoi në përhapjen e flakëve.