Kisha piktoreske e Shën e Premtes në Kavajë, monumenti që i ka mbijetuar kohërave

E ngritur prej shekullit XIII në një zonë kodrinore në fshatin Çetë të Kavajës, Kisha e Shën e Premtes është një monument kulture që i ka mbijetuar kohërave, por edhe shkatërrimit që ju bë objekteve të kultit në vitin 1967, duke u ruajtur me fanatizëm nga banorët, në një zonë kryesisht të besimit mysliman. 

E ngritur midis ullinjve, në një fshat kodrinor të vogël me emrin Çetë, gjendet një prej objekteve më të rëndësishëm të kultit në vendin tonë, që daton prej shekullit XIII.  

Ndër vite kisha ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të ndryshëm, të cilët janë interesuar për disa aspekte të saj dhe fillimisht ajo u shpall monument kulture në vitin 1963. 

Hyrja kryesore në Kishën e Shën e Premtes. Foto: Media Amfora

Vetëm dy kilometra pasi lë Kavajën dhe i drejtohesh fshatit Çetë, shpejt mbi majën e kodrës shfaqet dominuese kisha e stilit romano-gotik, e cila ofron një pamje piktoreske dhe duket gati surprizë, në kushtet ku nuk duket rrotull asnjë tabelë informuese për të.

Kisha e “Shën e Premtes” njihet ndryshe edhe si “Kisha e Çetës” ose si “Kisha e Shën Paraskevisë”. Sipas një studimi të arkeologut, Eduard Shehi, titulluar, “Piktura murale e kishës së Shën e Premtes në Çetë, Kavajë”, identifikohen dy mjedise brenda kishës. 

Afresket brenda kishës. Foto: “Routes 4 culture”

“Kisha përbëhet nga dy ambiente, naosi dhe absida, të mbuluara me çati dyujëse. Hyrjet në përdorim janë dy, nga jugu dhe perëndimi, një hyrje e tretë, e murosur, ruhet prapa ikonostasit, në faqen veriore”, shkruan Shehi në studimin e tij. 

Pas restaurimit të saj në vitin 2011 me fondet e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, gjendja e saj paraqitet e mirë dhe sot ajo është dëshmi e mbijetesës ndër shekuj dhe mbi të gjitha i mbijetoi fushatës komuniste për shkatërrimin e objekteve të kultit në vitin 1967.  

Mbishkrimi në murin e Kishës së Shën e Premtes. Foto: Media Amfora

Gjithashtu brendia e kishës sipas studimit të Shehit paraqitet në gjendje të mirë dhe është e zbukuruar me afreske.  “Brendia e kishës është e zbukuruar me afreske, që paraqiten në gjendje relativisht të mirë. Në përgjithësi pjesa e sipërme e afreskeve ruhet e plotë, ndërsa pjesa e poshtme mungon në pothuaj tërë kishën”, shkuan Shehi.

Pikturat murale veshin të gjithë hapësirën e brendshme të kishës dhe mendohet se janë realizuar në disa faza. Mënyra e organizimit të skenave të pikturës ndryshon sipas vendndodhjes në faqet e mureve dhe sipas studimit është realizuar nga dy piktorë të ndryshëm.

Një prej hyrjeve në Kishën e Shën e Premtes. Foto: Media Amfora

“Në pikturën murale të kishës dallohen qartazi dy duar të ndryshme. Më i vjetri, ka pikturuar tërë kishën, ndërsa më i riu, ka ndërhyrë pjesërisht në brezin e poshtëm, më i dëmtuari, duke ri pikturuar shenjtorët, etërit dhe hierarkët e kishës”, evidenton Shehi.

Sipas informacioneve të institucioneve të kulturës një pjesë e afreskeve mendohet se janë realizuar nga Joan Çetiri (Katro) nga Grabova, veprimtaria e të cilit vendoset në një hark kohor ndërmjet viteve 1792 dhe 1813.

Hyrja perëndimore në Kishën e Shën e Premtes. Foto: Media Amfora

Për rindërtimin e kishës nuk ka të dhëna të sakta, por studiuesi Aleksandër Meksi duke u bazuar në tiparet arkitektonike të saj e daton atë në fundin e shekullit XIII.

Banorët e zonës megjithëse me shumicë myslimane janë shumë krenarë për kishën, jo vetëm për prezencën e saj, por dhe për faktin se e kanë ruajtur me fanatizëm. Aktualisht në kishë zhvillohet çdo javë ora e katekizmit, që përmban mësime në lidhje me besimin e krishterë ortodoks dhe që mbahen nga Kisha Ortodokse.