Gjykata ndryshon masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e Postës, vijon hetimi për 69 milionë lekët e pensioneve
Gjykata ndryshoi masën e sigurisë për Elisabeta Matajn nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”. Ish-drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës është nën hetim për përvetësimin e dyshuar të 69 milionë lekëve së bashku me dy ish-punonjëse të institucionit.
Posta Shqiptare në Durrës. Foto ilustruese Media Amfora
Gjykata e Durrësit ndryshoi të premten masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”, ndërsa ndaj saj vijojnë hetimet për përvetësimin e dyshuar të 69 milionë lekëve nga fondet e institucionit.
“Zëvendësimin e masës së sigurimit personal ‘Arrest në burg’ […] me masën e sigurimit personal ‘Arrest në shtëpi’”, thuhet në pjesën urdhëruese të vendimit të shpallur më 25 shtator nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Mataj u ndalua më 16 korrik, së bashku me ish-shefen e financës dhe arkëtaren e institucionit, gjatë operacionit policor të koduar “Filiali”. Policia e Shtetit tha se tre punonjëset dyshohen se gjatë muajve prill dhe maj kishin përvetësuar 69 milionë lekë nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës.
Sipas Policisë, fondet duhej të arkëtoheshin në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, ndërsa procedimi penal u regjistrua për “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim. Hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Rasti ishte konstatuar fillimisht gjatë një kontrolli të brendshëm të Postës Shqiptare. Institucioni kishte njoftuar se pas evidentimit të mospërputhjeve në rakordimin e fondeve dhe raportimet financiare, kishte marrë masa administrative dhe kishte depozituar kallëzim në Prokurori.
Në atë kohë, mes njoftimeve të dy institucioneve pati edhe një ndryshim në mënyrën se si përshkruheshin fondet. Posta Shqiptare deklaroi se paratë e konstatuara nuk lidheshin me fondet e pensioneve apo pagesat e pensionistëve, ndërsa Policia tha se 69 milionë lekët ishin planifikuar për degët Shijak dhe Krujë me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Më 18 korrik, Gjykata e Durrësit caktoi “arrest në burg” për Matajn, ndërsa dy punonjëset u lanë në “arrest në shtëpi”. Në gusht, Gjykata e Apelit la në fuqi masën e burgimit për ish-drejtoreshën.
Vendimi i së premtes ndryshon vetëm masën e sigurisë ndaj Matajt, ndërsa hetimi penal për çështjen vijon.