Butrinti, “parajsa arkeologjike dhe mjedisore” e Shqipërisë

Parku Kombëtar i Butrintit gjendet midis ujërave të liqenit dhe të Detit Jon, duke gërshetuar një peizazh mbresëlënës. Rrënojat arkeologjike dhe monumentet ofrojnë dëshmi të zhvillimit të qyetit nga antikiteti deri në mesjetë, mishëruar në teatrin antik, bazilikën, mozaikët, portat antike dhe kullën veneciane.

Midis ujërave të Liqenit të Butrintit dhe Kanalit të Vivarit, që e lidh me Detin Jon, ruhen gjurmët e një prej qyteteve më të hershme në Shqipëri. Butrinti gjendet rreth 20 km nga qyteti modern i Sarandës dhe ofron një ndërthurje të arkeologjisë, monumenteve dhe natyrës, me tipologjinë karakteristike mesdhetare.

Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, me rrënojat që dëshmojnë banimin që nga prehistoria deri në mesjetë. Si në rrallë parqe të tjera arkeologjike, aty jeta ka vijuar pothuajse pa ndërprerje, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri periudhash historike.

Pagëzimorja e ndërtuar rreth viteve 550-570 të Erës Sonë. Foto: Media Amfora

Monumentet kryesore janë teatri që gjendet “në zemër të tij”, fortifikimet e fazave të ndryshme, bazilika e madhe, pagëzimorja, portat e liqenit dhe të luanit, si edhe muzeu arkeologjik.

Gjurmët më të hershme të popullimit të Butrintit datojnë rreth shekullit XII Para Erës Sonë, megjithatë vendbanimi nisi të merrte hov pas shekullit VIII Para Erës Sonë. Gjurmët arkeologjike përveç qeramikës vendase ruajnë edhe ato të importit, duke dëshmar për lidhjet tregtare dhe kulturore me botën antike të Mesdheut.

“Bazilika e Madhe”, e ndërtuar në fund të shekullit V të Erës Sonë. Foto: Media Amfora

Parku i Butrintit përbën sot një prej pikave me më shumë interes për vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët i gjen në park në çdo stinë dhe ditë të vitit. I banuar që në prehistori, ai ruan sot gjurmë të banimit nga popullsia vendase.

Butrinti përmendet si një nga bazat kryesore të furnizimeve dhe si një pikë strategjike për kontrollin e Kanalit të Korfuzit. Ai ngrihet mbi një kodër në këndin më juglindor të gadishullit të Ksamilit, duke e dominuar zonën përreth.

Rrënojat e qytetit antik. Foto: Media Amfora

Ndryshe nga ishulli i Korfuzit përballë, Butrinti me gjasë fillimisht u popullua nga fisi ilir i kaonëve dhe më vonë nisi shkëmbimet me romakët, duke u kthyer në një koloni dhe peshkopatë me karakteristikat e tyre, e përbërë nga popullsia autoktone. Rëndësia e Butrintit nisi të zbehej në Periudhën e Antikitetit të Vonë, deri sa u braktis në periudhën e vonë të Mesjetës.

Muri rrethues i Butrintit daton që në shekullin VI Para Erës Sonë dhe është një shembull i fortifikimeve të asaj periudhe. Për qytetin antik janë transmetuar disa legjenda nga Homeri dhe Virgjili, si ajo e themelimit të Butrintit nga mërgimtarët trojanë, pas rënies së Trojës në shekullin XIII para Erës Sonë.

Teatri i Butrintit daton në shekujt IV-III Para Erës Sonë. Foto: Media Amfora

I mbushur me disa legjenda për themelimin e tij, vendbanimi ilir sot ofron monumente të rëndësishme të botës antike, mishëruar në teatrin antik, Tempullin e Asklepit, agorën, forumin, gimnasiumin, Pallatin e Trikonkës, pagëzimoren, bazilikën e madhe, portat antike hyrëse në qytet dhe një sërë monumentesh të tjera.

Misioni arkeologjik italian i viteve 1928–1940, nën drejtimin e arkeologut Luigi Maria Ugolini dha një kontribut të rëndësishëm në zbulimin e monumenteve antike dhe themeloi muzeun arkeologjik, i cili vijon të jetë i hapur edhe sot, me ekspozimin e gjetjeve të misioneve arkeologjike shqiptare dhe të huaja.

Fortifikimet e mbronin qytetin nga të gjitha anët e lagunës. Foto: Media Amfora

Qyteti antik i Butrintit u shpall Monument Kulture fillimisht në vitin 1948. Ndërsa në vitin 1992 Butrinti u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si “Vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë”. Ndërsa në vitin 2000 u shpall “Park Kombëtar” edhe për karakteristikat e tij natyrore.

Gjetjet arkeologjike të prehistorisë në territorin e Butrintit. Foto: Media Amfora

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Kulturës, muaji gusht i vitit të kaluar regjistroi 21.745 vizitorë në qytetin antik, ndërsa gjatë vitit 2019, që cilësohet si një nga më të mirët në vendin tonë për numrin e vizitorëve, Butrintin e vizituan 1300 vizitorë çdo ditë përgjatë sezonit turistik.