Gjykata e Posaçme shpalli fajtorë zyrtarët e Bashkisë Divjakë për shkelje në tendera
Gjykata e Posaçme shpalli fajtorë 6 zyrtarë të Bashkisë së Divjakës për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë. Tre prej tyre do të kryejnë punë në interes publik, ndërsa tre të tjerë u vendosën në shërbim prove.
Godina e SPAK ku ndodhet dhe Gjykata e Posaçme. Foto: Media Amfora
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të martën fajtorë gjashtë zyrtarë të Bashkisë së Divjakës, të akuzuar për shkelje të barazisë në tre procedura tenderimi. Sipas hetimit, ata kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Vendimi u dha pas zhvillimit të procesit me rregullat e gjykimit të shkurtuar.
Të dënuarit janë Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Roklejd Malko, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini. Gjykata i dënoi secilin me një vit burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në tetë muaj.
Sipas hetimit të SPAK, çështja lidhet me tre procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia e Divjakës, me një vlerë totale prej rreth 1 milion euro. Hetimi nisi si vijim i një fraksioni të një dosjeje tjetër, ndërsa prokuroria ngriti akuzën se gjatë këtyre procedurave ishte shkelur barazia e pjesëmarrësve në tendera.
Për Dorjan Spahon, Sara Xhepën dhe Roklejd Malkon, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe zëvendësimin e tij me 120 orë punë në interes publik. Puna duhet të kryhet pa shpërblim, brenda gjashtë muajve dhe nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës.
Për Fatos Veliun, Elbareta Nishicën dhe Vojsava Leçinin, gjykata pezulloi ekzekutimin e dënimit me burg dhe vendosi vënien e tyre në shërbim prove për 16 muaj. Për secilin prej tyre u vendos edhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vjet.