Organizatat mjedisore dërgojnë në Kushtetuese vendimin për Pishë Poro-Nartën
Katër organizata mjedisore do të kërkojnë shfuqizimin dhe pezullimin e vendimit të qeverisë që ndryshoi regjimin e mbrojtjes në Pishë Poro–Nartë, ku sipas tyre shkalla më e lartë e mbrojtjes ra nga 42,82% e territorit në zero.
Pylli bregdetar i Pishë Poros formon një brez natyror që ndan lagunën nga Deti Adriatik. Foto: Media Amfora
Organizatat mjedisore “EcoAlbania”, “Res Publica”, “Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë” (AOS) dhe “REC Albania” njoftuan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të qeverisë të vitit 2024 për zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, duke kërkuar shfuqizimin e tij dhe pezullimin e zbatimit deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës.
“Sipërfaqja nën shkallën më të lartë të mbrojtjes ra nga 42,82% në zero”, shkruhet në njoftimin e organizatave.
Sipas tyre, me vendimin e mëparshëm të vitit 2022, 42,82% e Pishë Poro–Nartës ishte përcaktuar si nënzonë qendrore, ku zbatohej shkalla më e lartë e mbrojtjes dhe lejoheshin vetëm kërkimi shkencor dhe aktivitete të kufizuara ekoturistike.
Organizatat thanë se vendimi i vitit 2024 hoqi këtë nënzonim dhe vendosi të gjithë sipërfaqen e zonës së mbrojtur nën shkallën e tretë të mbrojtjes. Sipas njoftimit, pjesa e territorit nën këtë regjim u rrit nga 2,73% në 100%.
“Heqja e nënzonave dhe ulja e nivelit të mbrojtjes janë bërë pa një vlerësim të ri”, argumentojnë organizatat, të cilat thonë se dokumentet që shoqëruan vendimin nuk dëshmonin zvogëlim të vlerave natyrore të territorit.
Projekti i ndërtimit të një kompleksi turistik në zonë, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ndezi protesta qytetare, të cilat vijojnë prej katër muajsh.
Në kërkesën që paralajmërojnë të paraqesin në Gjykatën Kushtetuese, organizatat do të ngrenë gjithashtu çështjen e mungesës së Vlerësimit Strategjik Mjedisor, pjesëmarrjes së publikut në proces dhe ndryshimeve mes variantit të konsultuar dhe vendimit përfundimtar.
Sipas EcoAlbania-s, ndryshimi i regjimit të mbrojtjes tashmë është shoqëruar me ndërhyrje konkrete në gadishullin e Zvërnecit. Organizata thotë se gjatë vitit 2026 janë dokumentuar rreth 8 kilometra rrugë aksesi, ndërtimi i një ure mbi kanalin e Portonovës, rrethimi i zonës dhe pastrimi e nivelimi i rreth 2,8 hektarëve habitat dunor dhe pyll pishe. Këto të dhëna paraqiten nga organizatat mjedisore dhe do të jenë pjesë e argumenteve të tyre përpara Gjykatës.
Në zonën e Zvërnecit, sipas të njëjtit njoftim, gjatë këtij viti janë miratuar edhe leje që lidhen me një kompleks multifunksional me banim, shërbime, hoteleri, rekreacion dhe marinë. Organizatat argumentojnë se ndërhyrjet tregojnë pasojat që mund të sjellë në terren ndryshimi i regjimit juridik të zonave të mbrojtura.
Çështja lidhet edhe me betejën e mëparshme ligjore për ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”. Sipas njoftimit, Gjykata Kushtetuese i shqyrtoi këto ndryshime në vitin 2025 dhe vlerësoi se ndikimi mbi territore konkrete mund të kontrollohej pasi qeveria të miratonte vendime specifike për secilën zonë të mbrojtur. Organizatat synojnë që këtë herë kontrolli të përqendrohet pikërisht te vendimi konkret për Pishë Poro–Nartën.
Kompleksi Pishë Poro–Nartë përfshin grykëderdhjen e Vjosës, lagunat e Nartës dhe Kallëngës, kriporen e Nartës, pyjet bregdetare dhe kodrat e Zvërnecit e Triportit. Organizatat thonë se do t’i kërkojnë Gjykatës të vlerësojë nëse regjimi aktual i mbrojtjes është në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë për ruajtjen e natyrës.