Protestë para Kuvendit, opozita kërkon debat në sallë për çështjen e SHISH
Protesta para Kuvendit u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa disa persona u shoqëruan nga efektivët. Brenda sallës, opozita kërkoi debat për zhvillimet në SHISH, ndërsa ish-drejtoresha Vlora Hyseni u paraqit në Gjykatën e Posaçme në lidhje me masën e sigurisë ndaj saj.
Gjatë përplasjes mes policisë dhe protestuesve në Tiranë. Foto: Pamje nga video e Sidorela Vatnikaj
Qytetarë u mblodhën paraditen e së enjtes, 24 shtator, para Kuvendit, ndërsa zhvillohej seanca plenare, duke protestuar kundër qeverisë dhe duke iu referuar edhe çështjes së ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, teksa policia kishte vendosur barriera dhe forca në rrugët përreth Parlamentit.
“Ku e keni Vlorën?”, ishte një prej thirrjeve të dëgjuara gjatë tubimit, në referencë të Hysenit, e cila dy ditë më parë u shkarkua nga detyra e drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Në nisje të protestës, mediat raportuan se dy persona u shoqëruan nga policia pasi protestuesit tentuan të bllokonin rrugën. Më pas, tubimi u zhvendos edhe pranë Ministrisë së Brendshme, ku u raportuan tensione dhe shoqërime të tjera, mes tyre edhe Dritan Goxhaj.
Protesta zhvillohej paralelisht me seancën plenare të Kuvendit. Në rendin e ditës ishin parashikuar dy interpelanca urgjente, me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe shqyrtimi i projektligjeve, mes tyre ai për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në operacionin e NATO-s “Forca Ndërkombëtare të Stabilitetit” në Gazë.
Por çështja e SHISH u bë pjesë e debatit politik në sallë. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe zhvillimin e një debati me kryeministrin Edi Rama për situatën në shërbimin sekret pas masës së sigurisë ndaj Hysenit. Kërkesa parashikonte heqjen e dy interpelancave dhe zëvendësimin e tyre me debat parlamentar për SHISH.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi qeverinë se kishte cenuar sigurinë e institucioneve dhe kërkoi përgjegjësi politike për emërimin dhe veprimtarinë e Hysenit. Pretendimet e tij për lidhjet e ish-drejtoreshës së SHISH me persona nën hetim janë pjesë e debatit politik dhe hetimeve të SPAK-ut, jo përfundime gjyqësore.
Ndërkohë, rreth mesditës, Vlora Hyseni u paraqit në Gjykatën e Posaçme, e shoqëruar nga policia në lidhje me masën e sigurisë ndaj saj.
Gjatë hyrjes në GJKKO, Hyseni iu përgjigj gazetares së News24, Klodiana Lala, me një pretendim ndaj saj, duke i thënë se “nuk takohej me agjentë serbë në hotel ‘Rogner’”. Deklarata erdhi pasi Lala e pyeti për akuzat ndaj saj dhe lidhjet me Ergys Agasin.
Pas episodit reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili e cilësoi deklaratën si shantazh dhe kërkoi që Hyseni ta tërheqë, ndërsa i bëri thirrje SPAK-ut ta trajtojë me seriozitet rastin. “Shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen”, thuhet në reagimin e AGSH-së.
Në të njëjtën procedurë, SPAK kërkoi marrjen në pyetje edhe të Fatjon Kalluçit, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, dhe Embro Sulejmanit, punonjës i “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, të dy nën masën e sigurisë “arrest në burg”.
Hyseni është nën hetim për dyshimet se ka ndihmuar Ergys Agasin, i arrestuar në dosjen e tenderëve të AKSHI-t, dhe se i ka nxjerrë të dhëna sekrete. Gjykata i ka caktuar asaj masën “arrest në shtëpi”, ndërsa më 22 shtator Presidenti dekretoi shkarkimin e saj nga drejtimi i SHISH-it.