Kontejnerët me mbetje të rrezikshme mes zonës së banuar në Durrës, Cara kërkon zgjidhje për trajtimin e tyre
Prej muajsh, 102 kontejnerët me mbetje të rrezikshme, të vendosur në afërsi të Shënavlashit në Durrës, qëndrojnë mes një zone të banuar dhe një territori ku është përqendruar një numër i madh biznesesh. Deputeti Igli Cara kërkoi marrjen e masave për trajtimin e tyre dhe përgjigje nga institucionet përgjegjëse për kushtet e ruajtjes dhe zgjidhjen përfundimtare të mbetjeve.
Kontejnerët me mbetje të rrezikshme në zonën e Shënvlashit në Durrës. Foto: Media Amfora
Deputeti i Durrësit, Igli Cara, kërkoi të premten marrjen e masave për trajtimin e 102 kontejnerëve me rreth 2,800 ton mbetje të rrezikshme, të cilët prej muajsh qëndrojnë në afërsi të Shënavlashit, duke ngritur pikëpyetje mbi kushtet e ruajtjes së tyre dhe përgjegjësinë e institucioneve për zgjidhjen përfundimtare.
“Mbetjet ndodhen në periferi të Durrësit dhe kjo gjë është e papranueshme. Kalimi i kohës shton rrezikun e amortizimit të kontejnerëve dhe nuk mund të shërbejë si zëvendësim për një zgjidhje të ligjshme, teknike dhe të sigurt”, tha Cara përpara vendit ku janë vendosur mbetjet.
Deputeti demokrat kërkoi që ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Bashkia Durrës të bëjnë të ditur statusin aktual të kontejnerëve, institucionin përgjegjës për administrimin e tyre dhe masat e parashikuara për trajtimin përfundimtar.
“Pse Ministria e Mjedisit nuk ka bërë të ditur deri më sot një plan të plotë për trajtimin përfundimtar të këtyre mbetjeve? A është i pajisur vendi ku ndodhen kontejnerët me leje mjedisore apo autorizim të posaçëm? A janë marrë masa dhe analizuar mostra pikërisht në këtë zonë?”, pyeti Cara.

Çështja nisi në korrik 2024, kur 102 kontejnerë me rreth 2,800 ton mbetje të gjeneruara nga aktiviteti industrial i “Kurum International” u nisën nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, të deklaruara në dokumentacion si material tregtar jo i rrezikshëm. Ngarkesa u bllokua gjatë udhëtimit dhe nuk mbërriti në destinacion, ndërsa organizatat mjedisore ngritën dyshime për përmbajtjen e saj dhe kërkuan kthimin dhe verifikimin e materialit. Në tetor 2024, kontejnerët u rikthyen në Portin e Durrësit, duke sjellë protesta dhe kërkesa për transparencë mbi përmbajtjen dhe mënyrën e administrimit të tyre.
Mbetjet u zhvendosën më pas në Porto-Romano, ku banorët ngritën përmes medias shqetësimin për rrezikun që ndienin nga prania e kontejnerëve pranë zonave ku jetonin. Protestat dhe reagimet vijuan, ndërsa Prokuroria e Durrësit nisi hetimet mbi mënyrën se si ngarkesa ishte eksportuar nga Shqipëria dhe rolin e institucioneve dhe kompanive të përfshira. Analizat laboratorike të kryera në kuadër të hetimit konfirmuan më pas praninë e elementëve dhe përbërësve që paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
Hetimet çuan në masa sigurie ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, punonjësve të Doganës së Durrësit dhe Autoritetit Portual, si edhe drejtuesve e përfaqësuesve të kompanive private të përfshira në eksportin dhe administrimin e mbetjeve. Një pjesë e personave ndaj të cilëve u vendosën masa sigurie u arrestuan, ndërsa disa prej drejtuesve të kompanive u shpallën në kërkim. Çështja ndaj të pandehurve është në hetim.
Në mars 2026, 102 kontejnerët u zhvendosën nga Porto-Romano në një hapësirë në afërsi të Shënavlashit, ku vazhdojnë të ndodhen edhe sot.
Pikërisht për kushtet aktuale të ruajtjes së tyre, Cara kërkoi informacion nëse kontejnerët janë të padëmtuar dhe të mbyllur hermetikisht, nëse kanë shenja korrozioni dhe nëse vendi ku ruhen ka mbrojtje nga reshjet dhe sistem për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura.
“Heshtja institucionale nuk mund të jetë përgjigja ndaj një situate që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Institucionet publike funksionojnë dhe financohen nga taksat e qytetarëve dhe bashkia, qeveria dhe të gjitha institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të parandalojnë rrezikun dhe t’i japin zgjidhje përfundimtare e jo të reagojnë vetëm pasi dëmi të jetë shkaktuar”, deklaroi Cara.
Pavarësisht hetimit penal dhe rezultateve të analizave për përmbajtjen e ngarkesës, 102 kontejnerët vazhdojnë të qëndrojnë në Durrës. Çështja që mbetet e hapur tashmë lidhet me mënyrën dhe afatin e trajtimit përfundimtar të rreth 2,800 ton mbetjeve të rrezikshme dhe masat që do të marrin institucionet përgjegjëse.