Senati Amerikan konfirmon Eric P. Wendt si ambasador të SHBA-së në Shqipëri

Senati i Shteteve të Bashkuara konfirmoi Eric P. Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri. Emërimi i tij u miratua pas një votimi në seancë plenare, duke përmbyllur procesin e shqyrtimit të kandidaturës që kishte nisur disa muaj më parë.

Senati i Shteteve të Bashkuara konfirmoi të mërkurënn Eric P. Wendt si ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri. Sipas rezultatit zyrtar të publikuar nga Senati, kandidatura e tij u miratua me 50 vota pro dhe 44 kundër, duke i hapur rrugën emërimit në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë.

Konfirmimi vjen pas një procesi disa mujor, që nisi me nominimin e tij nga Presidenti Donald Trump dhe vijoi me dëgjesën publike të zhvilluar më 20 maj në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit. Më pas, kandidatura mori miratimin e komisionit për t’iu kaluar seancës plenare, ku u votua përfundimisht nga senatorët.

Gjatë dëgjesës në Senat, Wendt paraqiti prioritetet e tij për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke theksuar forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbështetjen për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe nxitjen e investimeve amerikane në vend.

Eric P. Wendt vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake. Ai ka shërbyer si oficer në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe prej vitit 1991 ka qenë pjesë e Forcave Speciale “Green Berets”. Gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në misione ndërkombëtare në Irak, Afganistan, Filipine dhe Indonezi, ndërsa së fundmi ka mbajtur detyrën e Koordinatorit të Sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez.

Pas konfirmimit nga Senati, pritet të përfundojnë procedurat formale të emërimit, përpara se Eric P. Wendt të marrë zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.