Sesioni i ri parlamentar, organizata mjedisore kërkon shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura

Organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) u është drejtuar deputetëve të Kuvendit me një letër të hapur, duke kërkuar nisjen e procedurave parlamentare për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe rikthimin e kuadrit ligjor të vitit 2017.

Letra u bë publike më 8 shtator, në nisje të sesionit të ri parlamentar, ndërsa organizata argumenton se Kuvendi ende nuk ka adresuar kërkesat për ndryshimin e ligjit, të ngritura gjatë muajve të fundit nga organizatat mjedisore dhe protestuesit.

“Parlamenti po dështon të përmbushë një nga detyrimet thelbësore që i buron si fillim nga përgjegjësia për të përfaqësuar qytetarët e vendit”, thuhet në letrën e PPNEA-së drejtuar deputetëve.

Në qendër të kërkesës është ligji nr. 21/2024, i cili ndryshoi ligjin nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”. Ndryshimet e miratuara në vitin 2024 janë kundërshtuar nga organizatat mjedisore, të cilat argumentojnë se ato dobësuan mbrojtjen ligjore dhe krijuan më shumë hapësirë për zhvillime turistike në këto territore.

PPNEA kërkon që Kuvendi të rikthejë kuadrin e mëparshëm ligjor, të vitit 2017, duke e konsideruar atë më të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian dhe me kërkesat e Direktivës së Shpendëve dhe Direktivës së Habitateve.

Organizata e lidh kërkesën edhe me angazhimet e Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Detyrimi për shfuqizimin e amendimeve të vitit 2024 në ligjin ‘Për Zonat e Mbrojtura’ buron edhe nga Pozicioni i Përbashkët Negociues mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian”, argumenton PPNEA në letrën drejtuar deputetëve.

Debati për ligjin u intensifikua gjatë këtij viti pas zhvillimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Sipas PPNEA-së, gjatë muajit maj makineri të rënda punuan në zonë për 26 ditë pa leje ndërtimi, duke shkaktuar dëmtime në habitatet e mbrojtura.

Ndërhyrjet në zonë sollën protesta qytetare, të cilat nisën në fund të majit në Zvërnec dhe më pas u zhvendosën në Tiranë. Shfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura u kthye në një prej kërkesave kryesore të protestave.

Çështja mori vëmendje edhe në Parlamentin Evropian. Në raportin për Shqipërinë të miratuar më 17 qershor, eurodeputetët ngritën shqetësime për zhvillimet në Vjosë-Nartë, ndërsa në dokument u kërkua rishikimi i ndryshimeve të vitit 2024 dhe vendosja e një moratoriumi për procedurat e reja të lejeve dhe punimet në zonat e mbrojtura.

PPNEA kërkon tashmë nga Kuvendi që kjo kërkesë të trajtohet në sesionin e ri parlamentar dhe që moratoriumi për ndërtimet dhe lejet e reja në zonat e mbrojtura të jetë pjesë e diskutimit.

Thirrja vjen edhe pas deklaratave të bëra në korrik nga qeveria dhe Komisioni Evropian për ndërhyrje në ligj. Kryeministri Edi Rama deklaroi më 15 korrik se ligji për Zonat e Mbrojtura nuk do të shfuqizohej i gjithi, por do të ndryshoheshin pjesët që nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën konferencë, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria ishte angazhuar më herët që amendamentet e miratuara në vitin 2024 të shfuqizoheshin brenda këtij viti.

Ndërkohë, kundërshtimi i ligjit po ndiqet edhe përmes një rruge tjetër. Në fillim të gushtit, një grup qytetarësh nisi procedurat pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e një referendumi kombëtar që synon shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024.

Për PPNEA-në, megjithatë, përgjegjësia mbetet edhe te Kuvendi.

Organizata u kërkon deputetëve të nisin procedurat parlamentare për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024, të rikthejnë kuadrin e ligjit nr. 81/2017 dhe të adresojnë kërkesën për ndalimin e ndërtimeve dhe lejeve të reja në zonat e mbrojtura.

“Mbrojtja e Zonave të Mbrojtura nuk mund të mbetet një çështje e shtyrë nga një sesion parlamentar në tjetrin”, theksoi organizata në njoftimin e saj.