Dështimi i prokurimit mban peng restaurimin e “Urës së Zogut”

Me rikthimin e reshjeve intensive të shiut “Ura e Zogut” rrezikon shembjen pas çedimit më herët të njërës prej këmbëve. Megjithëse kryeministri Rama ngjalli shpresat për restaurimin e saj, aktivistët tregojnë se sipas Ministrisë së Kulturës proceset e tenderimit kanë dështuar disa herë.

Më 15 shkurt kryeministri Edi Rama publikoi projektin për ndërhyrjen emergjente në strukturën e dëmtuar të “Urës së Zogut” në Lumin Mat, duke ngjallur shpresat për restaurimin e saj.

Por megjithëse jemi drejt fundit të vitit dhe kanë filluar reshjet e dendura të shiut, ndërhyrja bëhet më e vështirë në urën Monument Kulture të Kategorisë së Parë, që rrezikon shembjen.

Mundësitë për nisjen e ndërhyrjes duken ende të largëta, pasi përgjigja e fundit që aktivistët kanë nga Ministria e Kulturës dëshmon se proceset e tenderimit kanë dështuar. 

“Të pyetur se kur do të fillojë puna, Ministria e Kulturës përgjigjet se pas përfundimit të fazës së prokurimit, por nuk janë dhënë afate”, tregoi për Median Amfora, Elsa Sula, referuar përgjigjes së Ministrisë së Kulturës. 

“Sipas ministrisë janë zhvilluar tre procedura prokurimi, prej të cilave dy kanë qenë të pasuksesshme për shkak se ofertuesit nuk plotësonin kushtet dhe kriteret dhe në thirrjen e tretë nuk ka ofertuar asnjë operator ekonomik”, shtoi përfaqësuesja e Qendrës Rinore “Sebastia”.

Qeveria shqiptare miratoi në muajin prill fondin 57 milionë lekë për ndërhyrjen emergjente në “Urën e Zogut”, e cila rrezikon të shembet pasi njëra këmbë e saj ka çeduar. 

Më 12 nëntor të këtij viti Qendra Rinore “Sebastia” zhvilloi një tjetër aksion sensibilizues në mbrojtje të Urës së Zogut mbi Lumin Mat, e renditur ndër 7 sitet më të rrezikuara në Europë për vitin 2022.

“Organizata Sebastia për të disatën here reagon për mbrojtjen e Urës së Matit, pasi nuk kanë mjaftuar të gjitha thirrjet e mëparshme prej janarit të vitit 2021 me hartimin e peticionit, nënshkruar nga 3054 qytetarë”, rrëfeu Elsa Sula.

“3 protesta, dhjetra kërkesa për informacion drejtuar institucioneve përgjegjëse dhe përfshirjen e saj në programin 7 monumentet më të rrezikuara në Europë nga Europa Nosta”, shtoi për Median Amfora përfaqësuesja e Organizatës “Sebastia”.

Aktivistët dhe qytetarët u mblodhën për të disatën herë pranë urës monument kulture, një këmbë e së cilës ka çeduar, duke kërkuar ndërhyrje urgjente në konstruksionin e saj.

Pas angazhimit të aktivistëve të Qendrës Rinore Sebastia dhe të banorëve të zonës, ky monument është listuar nga “Europa Nostra” si një ndër shtatë sitet europiane më në rrezik për vitin 2022.

Ura e Zogut” përfundoi së ndërtuari më 14 maj 1927. Ajo është 478 metra e gjatë dhe mbetet e veçantë për shkak të ndërtimit në atë kohë me betonarme dhe hekur.   

E ndërsa kërkohet që projekti teknik të vihet menjëherë në zbatim nga autoritetet shqiptare, për të shpëtuar urën që u hap në vitin 1927, me gjashtë harqe në beton të armuar dhe me dizajn inovativ për kohën, shirat dhe aktiviteti i nxjerrjes së inerteve në lum po e rrënon monumentin.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109