Instituti i Regjistrimit të Trashëgimisë, institucioni në hije i Ministrisë së Kulturës

Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore duket se është kthyer në një institucion në hije të Ministrisë së Kulturës. Në qëndrimin zyrtar Instituti nuk përmbush detyrën bazë për regjistrimin, katalogimin dhe krijimin e “Certifikatave të Pasurisë” për objektet kulturore të paluajtshme. 

Qendra Kombëtare e Inventarizmit të Pasurive Kulturore (QKIPK) lindi si një projekt me donacionet e Bankës Botërore, që mori formë përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave në vitin 1995, por teksa ai u transformua deri në ditët tona, duket se është kthyer në një institucion në hije.

Vitet e para, ’95-’98, shërbyen si fazë eksperimentale për kartelizimin dhe katalogimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë sepse infrastruktura teknike ishte e nivelit të ulët dhe me mungesë kapacitetesh për regjistrimin e të dhënave në formë digjitale.

Qendra realizoi në vitin 1999 rinovimin e bazës teknike dhe teknologjike me fondet e buxhetit të shtetit, duke krijuar programin kompjuterik “Onufri”. Ndër vite institucioni për inventarizimin e trashëgimisë kulturore në vend pësoi një metamorfozë, deri sa në vitin 2019-të mori formën që ka sot.

Tashmë ai njihet si Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) dhe ka për mision krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e “Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore”, në formë elektronike dhe të shkruar, i cili përfshin të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jo materiale.  

Por duket se IKRTK-ja nuk është ende e qartë për misionin e saj dhe nuk arrin ta përmbushi atë, duke e deleguar tek institucionet e tjera.

Media Amfora i kërkoi IKRTK-së përmes një Kërkese për Informacion listën e monumenteve të kulturës pas procesit të vlerësimit të kryer nga ana e saj dhe ku janë studiuar vlerësuar dhe shpallur qendrat historike dhe ansamblet historike urbane, monumentet e kulturës të kategorisë së I-rë dhe të II-të, si edhe zonat e mbrojtura të monumenteve të kulturës në Shqipëri.

Kërkesa përfshinte detaje për gjendjen e tyre fizike, të cilat presupozohet se reflektohen në kartelën e secilit monument të regjistruar. IKRTK-ja është institucioni që mban, përditëson dhe administron Katalogun Kombëtar të Pasurive Kulturore, në të cilin presupozohet të regjistrohet çdo pasuri kulturore e luajtshme dhe e paluajtshme dhe po ashtu ajo lëshon certifikatat e regjistrimit të pasurive kulturore, të luajtshme dhe të paluajtshme.

Por Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) në përgjigjen për Median Amfora e shmangu përgjegjësinë për dhëninen e informacionit për pasuritë kulturore.

“IKRTK në zbatim të Ligjit 27/2018 ‘Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë’, ushtron funksionet e veta në fushën e trashëgimisë kulturore si institucioni i specializuar për regjistrimin, katalogimin dhe monitorimin e të drejtave të pronësisë dhe të lëvizjes së pasurive kulturore”, ishte përgjigja zyrtare.

Por ligji tregon edhe një anë tjetër të institucionit, që lidhet me mirëmbajtjen e regjistrit të të gjitha pasurive kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme. IKRTK-ja është i ngarkuar nga ligji për të lëshuar “Certifikatën e pasurisë” për secilin objekt të paluajtshëm ose të luajtshëm, duke përfshirë vendndodhjen, emërtimin, kohën e zbulimit dhe të gjitha detajet e tjera.

Ajo e përcolli kërkesën e Medias Amfora tek një tjetër institucion i Ministrisë së Kulturës, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili nuk u përgjigj, duke shkelur afatet e Ligjit për të Drejtën e Informimit dhe një vendim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, që për një kërkesë të ngjashme i kërkoi t’i përgjigjej Medias Amfora.

Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) duket se nuk e ka të qartë një prej kompetencave të tij, “Të regjistrojë dhe të dokumentojë të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jomateriale, si dhe pasuritë e peizazhit në pronësi publike e private në territorin e Republikës së Shqipërisë”, siç citon ligji i për “Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.

Një raport i siguruar nga Amfora tregon se IKRTK-ja deri në prill të vitit 2021 për pasuritë në varësi të institucioneve shtetërore kishte regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore 23.596 objekte, nga totali prej 100.000 objektesh.

Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore sipas VKM-së së vitit 2019-të ka të punësuar në total 8 punonjës, por në faqen zyrtare në median sociale “Facebook”, institucioni difuzon vetëm postimet e ministres së kulturës, Elva Margariti, duke mos postuar pothuajse asnjë prej punëve të tij.