Kërcënon biodiversitetin, Konventa e Bernës ripërsërit thirrjen për ndalimin e punimeve të Aeroportit të Vlorës 

Punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës vijojnë edhe pasi në muajin shtator “Konventa e Bernës”, i bëri thirrje qeverisë shqiptare për t’i ndërprerë ato. Me një kërkesë të dytë Konventa e ka ripërsëritur kërkesën, duke dalë në pah edhe qëndrimi kontrovers i përfaqësuesve të qeverisë shqiptare.

Disa nga organizatat mjedisore në vend kanë bërë publik një tjetër qëndrim të “Konventës së Bernës”, në lidhje me vijimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, në fshatin Akërni.

Në një njoftim për shtyp të shpërndarë për mediat, organizatat “EcoAlbania, PPNEA (Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri) dhe EuroNatur”, shprehen se çështja e aeroportit të Vlorës ka qenë objekt diskutimi në një mbledhje të Konventës së Bernës.  

“Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës nxiti edhe njëherë qeverinë Shqiptare që të ndalojë punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, brenda Zonës së Mbrojtur të Lagunës së Nartës dhe deltës së Vjosës, pasi qartazi shkel konventat ndërkombëtare”, shkruhet në një njoftim që organizatat shpërndanë për mediat.  

Sipas njoftimit gjatë takimit në Strasburg, pjesëtarët e konventës shprehën shqetësimin e lartë në lidhje me vazhdimin e punimeve të aeroportit, duke shtyrë autoritetet shqiptare që të punojnë së bashku me shoqërinë civile dhe me palët e tjera të interesit. 

“U theksua veçanërisht fakti që punimet për ndërtimin e aeroportit në një zonë natyrore delikate pranë lagunës së Nartës vazhdonin edhe pse Komiteti i Përhershëm i Bernës kishte kërkuar ndalimin e punimeve tre muaj më pare”, vijon njoftimi. 

Pas këtij qëndrimi të dytë në vetëm pak muaj të Konventës së Bernës, Zydjon Vorpsi, menaxher projekti pranë PPNEA, i bëri thirrje qeverisë Shqiptare që të zbatojë rekomandimet e shprehura. 

“Qeveria shqiptare pretendon se përshpejtimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një prioritet parësor. Zbatimi i rekomandimeve të Konventës së Bernës mbështet pikërisht këtë objektiv”, është shprehur Vorpsi.

“Mospajtimi me dispozitat e një traktati ndërkombëtar nuk ndihmojnë në këtë qëllim, përkundrazi, kanë efekt të kundërt në integrimin e Shqipërisë”, ka shtuar ai sipas njoftimit për mediat.

Por teksa qëndrimi i organizatave mjedisore në Shqipëri është i qartë në lidhje me këto punime, për qeverinë shqiptare zona e mbrojtur që preket nga ndërtimi i Aeroportit të Vlorës është shpallur gabimisht si e tillë.

“Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare deklaruan në takimin e Komitetit të Përhershëm, gjithashtu edhe në raportin e tyre zyrtar se zona është shpallur gabimisht si një zonë e mbrojtur. Ata pretendojnë se zona ka qenë një aerodrom ushtarak dhe se shpallja si ‘Peizazh i Mbrojtur’ ka ndodhur gabimisht”, theksohet në deklaratë. 

Por organizatat mjedisore në vend i kundërshtojnë pretendimet e qeverisë shqiptare në këtë pikë.  

Për Gabriel Shwaderer, drejtor ekzekutiv i “EuroNatur”, këto deklarata po e transformojnë realitetin dhe sipas tij fusha e aviacionit është përdorur deri në vitet ‘90 dhe nuk kishte infrastrukturë mbështetëse, madje as një pistë të shtruar me asfalt.  

“Zona e Mbrojtur u dizenjua në vitin 2004 bazuar në një propozim shkencor. Disa vite më vonë, ekosistemi i Vjosë-Nartës u propozua nga autoritetet shqiptare si një zonë ‘Emerald’, që do të thotë se zona është e një rëndësie të lartë për Evropën”, është shprehur ai.

Sipas tij pretendimi i tanishëm nga qeveria se zona nuk ka vlera ekologjike, është një mashtrim i ulët për të justifikuar ndryshimin e paligjshëm të kufijve të zonës së mbrojtur. 

“Aeroporti i Vlorës nuk është një rast vetëm i shkatërrimit të natyrës, por edhe i shkeljes flagrante të ligjit”, theksoi Shwaderer, nga organizata mjedisore europiane, “EuroNatur”.

Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian më herët e kanë kritikuar projektin për ndërtimin e aeroportit në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë, një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, e cila klasifikohet si ligatina e dytë më e rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpi e llojeve të rralla të shpendëve dhe bimëve.

Më herët në muajin shtator “Konventa e Bernës” bëri një tjetër thirrje për qeverinë shqiptare, zonë e cila sipas orintologëve përgjatë vitit është habitati i më shumë se 220 lloje shpendësh dhe ka një rëndësi të lartë edhe përtej rajonit, për sa i përket korridorit të shtegtimit të Adriatikut. 

Ndërsa më herët Gjykata Administrative e Apelit e ktheu për gjykim çështjen e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, që ishte depozituar nga organizatat mjedisore PPNEA dhe AOS kundër parregullsive dhe shkeljeve ligjore në projektin e qeverisë.