Eurodeputetët vizitojnë Zvërnecin, ligji për zonat e mbrojtura në fokus të takimit BE-Shqipëri

Eurodeputetë dhe deputetë shqiptarë vizituan të martën Zvërnecin për të parë nga afër projektin e parashikuar në zonë, ndërsa Parlamenti Evropian kërkon ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura dhe banorët vijojnë të kundërshtojnë zhvillimet e planifikuara.

Eurodeputetë dhe deputetë shqiptarë vizituan të martën Zvërnecin, në kuadër të takimit dyditor BE-Shqipëri, për t’u njohur nga afër me projektin e parashikuar në zonë, një ditë pasi eurodeputetja Isabel Wiseler-Lima kërkoi që ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura të adresohen deri në fund të vitit si pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit. 

“Angazhimet mjedisore për zhvillimin e turizmit në këtë zonë synojnë të përmbushin ose të tejkalojnë kërkesat e Bashkimit Europian”, shkroi në rrjetet sociale Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Vizita në Zvërnec ishte pjesë e takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri, i zhvilluar më 21 dhe 22 shtator në Tiranë. Taulant Balla është bashkëkryetar i Komitetit dhe kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa delegacioni i Parlamentit Europian drejtohet nga Marco Tarquinio.  

Vizita e zyrtarëve të lartë në Zvërnec vjen në një kohë kur vijojnë protestat kundër projektit turistik të miratuar nga qeveria, mbi bazën e ndryshimeve ligjore të miratuara në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultim publik në vitin 2024 vijojnë.

Në vizitë mori pjesë edhe eurodeputeti Fredi Beleri, i cili tha se delegacioni synonte të njihej nga afër me situatën në Zvërnec, biodiversitetin dhe çështjet që lidhen me zhvillimin e zonës. Ai u shpreh se nuk është kundër zhvillimit, por se investimet duhet të respektojnë të drejtat mbi pronën dhe të garantojnë mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

Gjatë vizitës, një grup banorësh të zonës protestuan përpara delegacionit, duke kërkuar që shqetësimet e tyre lidhur me pronën dhe projektin e parashikuar në Zvërnec të dëgjohen.

Vizita në terren erdhi një ditë pasi çështja e zonave të mbrojtura u diskutua gjatë ditës së parë të takimit parlamentar BE-Shqipëri.

Eurodeputetja Isabel Wiseler-Lima ngriti nevojën për përparim në legjislacionin për investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura, ndërsa eklaroi se pret që ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura të adresohen deri në fund të vitit. Çështja lidhet edhe me negociatat e Shqipërisë me BE-në për Kapitullin 27, që përfshin mjedisin dhe ndryshimet klimatike. 

Parlamenti Evropian ka shprehur më herët shqetësim për ndryshimet e bëra në ligjin shqiptar për zonat e mbrojtura. Në raportin për Shqipërinë, Parlamenti Evropian shprehet se ndryshimet lejojnë projekte të mëdha infrastrukturore dhe turistike në zona ekologjikisht të ndjeshme dhe u kërkon autoriteteve shqiptare kthimin pas të tyre për të siguruar përputhjen me kuadrin ligjor dhe standardet e ruajtjes së natyrës. 

Nga ana tjetër, qeveria ka mbrojtur zhvillimin e parashikuar në Zvërnec, duke deklaruar se ende nuk ka një projekt përfundimtar të miratuar dhe se çdo hap i mëtejshëm duhet të kalojë përmes procedurave mjedisore dhe ligjore.

Vizita e eurodeputetëve e riktheu kështu debatin për Zvërnecin nga tryeza e Komitetit Parlamentar në terren, ku përballë qëndrimit të qeverisë për një zhvillim sipas standardeve europiane mbeten shqetësimet për mbrojtjen e zonave të ndjeshme, biodiversitetin dhe pronësinë.