Autoritetet dakordësohen me qytetarët për vendosjen e çezmave publike në Durrës

Një grup diskutimi u mblodh në Durrës për ndërtimin e çezmave publike në sheshet kryesore, të cilët evidentuan nevojën e madhe përballë temperaturave të larta të verës dhe përballjes me ndryshimet klimatike. Nisma vullnetare gjeti mbështetjen e aktorëve vendor që analizuan format e konkretizimit të idesë.

Një grup diskutimi për ndërtimin e çezmave publike në sheshet kryesore të qytetit të Durrësit u mblodh të mërkurën me iniciativën e aktivistit Leart Berisha, duke evidentuar nevojat dhe zgjidhjet e mundshme për përmirësimin e situatës.

Në tryezën e diskutimit morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Durrës, këshillit bashkiak, Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizime Durrës sh. a. (SHRUKD), Organizatave të Shoqërisë Civile, pedagogë dhe gazetarë.

Diskutimi i fokusua në nevojat për ujë në hapësirat publike të qytetit që i dy-trefishohet numri i banorëve gjatë stinës së nxehtë të verës, si dhe për të koordinuar mbështetjen e nevojshme nga të gjitha palët e interesuara.

Aktivisti Leart Berisha, një gjimnazist nga Durrësi, e prezantoi nismën e tij dhe dhe përfitimet që sjell ndërtimi i çezmavenë zonat më të frekuentuara të qytetit, duke theksuar edhe se kjo do të ulte ndjeshëm kostot e larta që sjell në shëndetin e banorëve vala e të nxehtit. 

Prej pak muajsh aktivisti 16-vjeçar po vijon nismën e tij për të ndërgjegjësuar opinionin publik dhe aktorët vendor për vendosjen e çezmave me ujë të pijshëm në ambientet publike të qytetit të Durrësit dhe rëndësinë e kësaj çështjeje.

“Ishte e trishtë gjatë muajit gusht teksa shikoje fëmijë dhe turistë që përpiqeshin të freskoheshin në ujërat e ndotur të shatërvanit në qendër të Durrësit, apo tek Shëtitorja Taulantia, pa mundur ta shuanin vapën dhe etjen me ujë të pijshëm”, rrëfeu Leart Berisha.

“Në vende të ndryshme të Europës, por edhe në Ballkan ka plot çezma publike në dobi të njerëzve dhe shëndetit të tyre”, shtoi 16 vjeçari që po advokon për këtë çështje edhe përmes artikujve të shkruar, përdorimit të mediave sociale dhe takimeve me komunitetin.

Aktivisti Leart Berisha. Foto: Media Amfora

Pjesëmarrësit në tryezë mbështetën nismën dhe sollën perspektivën e tyre mbi këtë çështje të rëndësishme për shëndetin publik dhe qytetin, ndërsa dhanë edhe sugjerime se si mund të ndryshojë situata, bazuar edhe në vështirësitë që paraqet furnizimi me ujë i qytetit bregdetar. 

Drejtori i Projekteve dhe Infrastrukturës Publike në Bashkinë Durrës, Lorenc Facja, përfaqësues i kryebashkiakes Emiriana Sako në këtë tryezë, e vlerësoi nismën dhe kërkoi që ajo të zyrtarizohet më tej përmes një kërkese.

Facja u shpreh se do të shihen mundësitë që në një kohë të shkurtër të ndërtohen dy çezmat e para publike, në zona me frekuentim të lartë të nga qytetarët dhe vizitorët, që janë dy pika pranë Stacionit të Trenit dhe tek sheshi pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve. 

Ndërsa drejtori i njësisë operative Durrës pranë SHRUKD-së, Gerald Dautaj, e vlerësoi nismën dhe tha se në Durrës ka pasur çezma publike që në të vërtetë ishin burime natyrore, por që sot nuk funksionojnë më. 

Ai theksoi se do të vlerësohet nisma dhe në bashkëpunim edhe me Bashkinë Durrës do të analizohen të gjithë elementët dhe zonat e mundshme për ndërtimin e çezmave. 

Dautaj deklaroi se Durrësi është në pritje të zbatimit të projektit francez që synon furnizimin e qytetit me 24 orë ujë në ditë, përjashtuar zonën kodrinore dhe në këtë projekt mund të përfshihen dhe çezma publike në disa sheshe dhe hapësira publike. 

Për qytetarët dhe turistët, veçanërisht kategorive më të rrezikuara, si fëmijët, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit, temperaturat e larta sjellin njëkohësisht edhe kosto të larta për shkak të angazhimit të mjeteve dhe ekipeve shëndetësore për t’u ardhur në ndihmë atyre, si edhe mjekimin individual. 

Ndryshimet klimatike, ngrohja globale dhe temperaturat e larta e kanë rritur kohëzgjatjen e stinës së nxehtë përtej tre muajve klasikë të verës dhe gjithmonë e më shumë në sheshet publike nevojiten bujimet ujore për freskim.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Durrës, pedagogë, mësues, artistë dhe gazetarë. 

Pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime që hodhën dritë edhe më shumë mbi historikun e çezmave publike në qytet dherëndësinë e mirëmbajtjes së tyre. Ata u ndalën edhe tek lidhja historike e qytetit me çezmat publike, të cilat dikur shërbenin si institucione komunikimi, vendtakime, ku mblidhej komuniteti për të mbushur ujë dhe për të diskutuar për çështje të ndryshme. Ende sot në Durrës ruhen si toponomi për zona të ndryshme, si “Çezma e Ferrës” apo “Tri çezmat”.

Pjesëmarrësit në diskutimin e zhvilluar në Durrës. Foto: Media Amfora

Gjatë takimit u diskutua konkretisht rreth mundësive teknike, planeve aktuale dhe potenciale për ndërtimin e çezmave, modelimin e tyre, nga më të thjeshtat deri tek ato që mund të kthehen edhe në vepra arti urban dhe mbi të gjitha mbi ndikimin e tyre në mjedis dhe në jetën sociale të Durrësit. 

Aktivisti Leart Berisha e ndërmori nismën këtë verë, pasi pa se shtimi i numrit të turistëve dhe të shqiptarëve të diasporës që e vizitojnë masivisht Durrësin sjell nevojën për shërbime publike cilësore, duke nxjerrë në pah mungesën e çezmave publike në sheshet qendrore dhe pasojat në shëndetin publik.

Nisma e tij vullnetare po mbështetet nga programi “Shkëndija”, i cili zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, dhe po vijon të konkretizohet edhe më shumë në shërbim të qytetarëve.