Nga Sorosi te interesat e fshehta, si u shënjestruan mbështetësit e protestave

Aktivistë dhe influencerë që mbështesin protestat në Shqipëri janë shënjestruar në mediat në internet, rrjetet sociale dhe deklaratat politike me akuza për financime të huaja dhe interesa personale. Pretendimet kanë përfshirë edhe familjarët e tyre, ndërsa lidhjet e përmendura me fondacione apo aktorë të huaj nuk kanë paraqitur prova se ata ishin të porositur për organizimin apo drejtimin e protestave.

Protestat që vijojnë në Shqipëri me kërkesë dorëheqjen e kryeministrit të vendit, Edi Rama, janë shoqëruar me publikime në mediat dhe rrjetet sociale që vënë në shënjestër aktivistë dhe influencerë që marrin pjesë ose e mbështesin lëvizjen qytetare. 

Ata janë akuzuar se paguhen nga fondacione të huaja, veprojnë për interesa personale apo se kanë lidhje me veprimtari të paligjshme. Pretendimet kanë përfshirë edhe familjarët e tyre, duke e zhvendosur vëmendjen nga kërkesat e protestuesve te individët.

“Kush e financoi ‘Revolucionin Flamingo’?”, pyeste faqja “E Reja.net”, në një video të ndarë në Instagram dhe ku pretendonte se aktivistja Sidorela Vatnikaj kishte marrë rreth 25 mijë euro nga “Guerrilla Foundation” gjatë viteve 2024-2026. Pretendime të ngjashme u përhapën edhe nga Spektri.al, Fshehurazi dhe Pulsi.al, që i lidhën financimet me protestat dhe filantropin Xhorxh Soros, pa paraqitur prova se paratë ishin përdorur për organizimin e tyre.

Gjithashtu influencerët ishin të targetuar nga këto artikuj, si në rastin e Keisli Alias, e njohur në rrjetet sociale si “Keishli” dhe që ka mbështetur protestat qytetare që prej nisjes së saj. Ajo u përmend në dy artikuj të portalit Prapaskena.al, ku u ngritën akuza për të ardhura të padeklaruara, veprimtari të paligjshme dhe lidhje familjare, pa u paraqitur prova që i mbështesnin ato.

Për politologun Altin Gjeta, këto publikime nuk ndikojnë vetëm te personat e shënjestruar, por mund të kenë pasoja edhe për qytetarët që duan të protestojnë.

“Frikësimi i protestuesve cenon të drejtën për tu organizuar në tubime. Mendoj se media e shëndoshë duhet të ndërmarrë një rol më të madh në dekonstruktimin e rrëfimeve konspirative në hapësirën publike”, u shpreh Gjeta, ekspert pranë “Forumit për Dialog Politik”.

Akuzat kanë sjellë reagime edhe nga vetë aktivistet. Sidorela Vatnikaj ka sqaruar se pjesëmarrja e saj në këshillin e aktivistëve të fondacionit gjerman “Guerrilla Foundation” lidhej me mbështetjen e lëvizjeve qytetare në Evropë dhe se ky angazhim nuk kishte financuar apo organizuar protesta në Shqipëri.

Keisli Alia për rastin e saj sqaroi për Amforën, se këto publikime përbëjnë sulme personale dhe kundërshtoi pretendimet për veprimtari të paligjshme. Ajo theksoi se nuk ka qenë organizatore apo drejtuese e protestave, por i ka mbështetur ato si qytetare.

Akuzave për financime të huaja iu bashkuan edhe përfaqësues të politikës, të cilët vunë në dyshim pavarësinë e angazhimit qytetar.

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në një postim në Facebook, i quajti aktivistët “mercenarë të paguar nga Soros”, duke pretenduar se po i bënin opozitë vetë opozitës.

Në lidhje me këto akuza reagoi edhe Migen Qiraxhi, aktivist dhe përfaqësues i organizatës Qëndresa Qytetare, i angazhuar në çështje të arsimit, transparencës dhe llogaridhënies. Ai kundërshtoi vënien në dyshim të pavarësisë së aktivistëve dhe kërkoi prova për çdo pretendim për abuzim.

“Kush ka akuza për abuzime, të sjellë prova dhe kush ka kundërshtime ndaj qëndrimeve dhe veprimtarisë sonë, le t’i diskutojmë publikisht”, shkroi Qiraxhi në një qëndrim të ndarë në Facebook.

Nga “financimet e huaja” te akuzat direkte ndaj aktivistëve dhe influencerëve

Protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove” nisën më 30 maj në Zvërnec, pasi punonjës të një kompanie private sigurie ushtruan dhunë ndaj qytetarëve që kundërshtonin ndërhyrjet për një projekt turistik në zonën e mbrojtur. Protesta u zhvendos në Tiranë dhe u zgjerua në qytete të tjera, përfshirë Durrësin, Vlorën dhe Korçën. Kërkesat u zgjeruan nga mbrojtja e mjedisit te administrimi i pasurive publike dhe qeverisja, ndërsa protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë protestave janë shënuar përplasje me Policinë e Shtetit, e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e pjesëmarrësve. Lëvizja mori edhe mbështetjen e aktivistëve dhe influencerëve, disa prej të cilëve janë bërë objekt akuzash.

Në një artikull të publikuar nga media në internet, Prapaskena.al, u renditën emrat e 29 influencuesve, duke ngritur ndaj tyre pretendime për mospagim taksash, mashtrim dhe pastrim parash, pa paraqitur në publikim prova të verifikueshme që mbështesnin këto akuza.

Pjesë e këtyre akuzave ishte edhe Keisli Alia, për të cilën kjo media, në një tjetër artikull, përfshiu në narrativë edhe familjen e saj, duke e lidhur pjesëmarrjen në protesta me detyrën e mëparshme të nënës së saj si drejtuese e QSUT-së për më pak se dy muaj, pa argumentuar rëndësinë e kësaj lidhjeje. Më tej, portali ngriti dyshime për lidhje të mundshme të influencueses me veprimtarinë e qendrave telefonike (“call center”) në Durrës dhe skema mashtrimi, pa paraqitur asnjë provë mbështetëse.

Alia i kundërshtoi akuzat, duke theksuar se njëri artikull pretendonte se nuk paguante taksa, ndërsa tjetri pranonte se kishte të ardhura të deklaruara. Ajo mohoi lidhjet me qendrat telefonike apo se ishte e përfshirë në veprimtari të paligjshme, duke sqaruar se kishte pasur një biznes të çregjistruar në vitin 2016.

“Realisht bëhet fjalë për një NIPT timin të çregjistruar në 2016-ën, i cili një ndër objektet e aktivitetit të tij ka pasur dhe shërbimet telefonike”, shpjegoi Alia për Median Amfora.

“Mendoj se këto shkrime janë kryer me qëllim denigrimin e figurës time dhe si formë intimidimi për shkak se kam qenë mbështetëse e protestave, por kurrë e atyre të dhunshme”, përfundoi Alia.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, e angazhuar prej vitesh në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe hapësirave publike, është përfshirë që në fillim në “Revolucionin e Flamingove”. Ajo u përball edhe me akuza për financime nga organizata të huaja dhe lidhje me Xhorxh Sorosin.

Në një video, E Reja.net pretendonte se Vatnikaj kishte marrë rreth 25 mijë euro nga “Guerrilla Foundation”, duke i lidhur këto financime me protestat, pa paraqitur prova për përdorimin e tyre në organizim.

“Guerrilla Foundation” është një fondacion filantropik me seli në Gjermani dhe që mbështet financiarisht organizata të shoqërisë civile, aktivistë dhe lëvizje qytetare në Evropë. Fondacioni financon nisma që synojnë ndryshime shoqërore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, drejtësinë sociale dhe mjedisore, si edhe fuqizimin e komuniteteve lokale.

Vatnikaj sqaroi publikisht se fondacioni nuk kishte lidhje me Xhorxh Sorosin dhe se angazhimi i saj nuk kishte shërbyer për financimin e protestave në Shqipëri. Sipas saj, akuzat synonin të diskreditonin aktivistët dhe të largonin vëmendjen nga kërkesat e protestuesve.

“Reagimi im bëhet me vlerë vetëm sepse e besoj se ky nuk është më thjesht një sulm personal, por një përpjekje politike për të zhvendosur vëmendjen nga arsyet e protestës, për të prodhuar armiq imagjinarë dhe për të paraqitur çdo organizim qytetar si produkt të ndonjë agjende të jashtme”, shkroi Vatnikaj.

Për politologun Altin Gjeta, akuzat pa fakte ndaj aktivistëve të publikuar në faqe që e paraqesin veten si media, nuk mund të konsiderohen gazetari dhe dëmtojnë vetë besueshmërinë e medias.

“Etiketimi apo akuzat pa fakte ndaj organizatorëve dhe mbështetësve të protestës nuk janë ushtrim gazetarie, por zgjatim i propagandës së pushtetit”, u shpreh Gjeta për Amforën.

Sipas tij, personat e shënjestruar mund t’i ndjekin ligjërisht këto akuza, por problemi shkon përtej rasteve individuale dhe lidhet me ndërthurjen e raportimit mediatik me narrativat politike.

Mbështetja e protestave nga aktivistë, të rinj dhe influencerë është shoqëruar edhe me reagime nga qeveria. Gjatë një aktiviteti në Elbasan më 7 qershor, kryeministri Edi Rama kritikoi blogerët dhe influencerët që kundërshtonin qeverinë, duke pretenduar se fitonin para nga rrjetet sociale, por nuk paguanin taksa.

“1 euro taksë nuk paguajnë ata blogerë e influencerë. Blogerët të kapin njëri-tjetrin, njëri të vishet si flamingo, tjetri të vishet si unë, edhe të luftojnë kush fiton”, deklaroi Rama.

Nga ana tjetër protestat e “Revolucionit të Flamingove” nuk janë drejtuar vetëm kundër qeverisë. Pjesëmarrësit kanë kërkuar largimin e klasës së vjetër politike, duke kundërshtuar si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe drejtuesit e opozitës. Kjo solli përplasje me përfaqësues të Partisë Demokratike, disa prej të cilëve janë kundërshtuar kur kanë tentuar t’u bashkohen tubimeve.

Përplasjet janë shoqëruar edhe me akuza ndaj aktivistëve. Pas deklaratës së Flamur Nokës, edhe deputetja Albana Vokshi, së bashku me avokaten dhe anëtaren e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Adriana Kalaja shpërndanë postime që i lidhnin aktivistët me financime nga Xhorxh Sorosi.

Përballë këtyre pretendimeve, Migen Qiraxhi ka theksuar se marrja e granteve nga organizatat e shoqërisë civile është e ligjshme dhe nuk dëshmon se financuesit kontrollojnë protestat. 

“Të kesh marrë financime transparente nga një fondacion i huaj nuk është as turp, as krim”, shkroi Qiraxhi në Facebook – referuar rasteve kur fonacionet e huaja kanë ndihmuar veprimtarinë e organizatave shqiptare në tërësi dhe jo të lidhura drejtpërdrejtë me protestat.

Gjatë këtyre muajve të protestave, si lëvizja qytetare, ashtu edhe mbështetësit e saj janë përballur me akuza të ndryshme për lidhje me interesa të huaja. Ato janë lidhur herë me ndikimin e shteteve të tjera, herë me financime nga filantropi Xhorxh Sorosi.

“Njësoj siç në fillim të qershorit ishim grekë, u bëmë serbë, nga korriku u bëmë agjentë të huaj dhe madje dikush edhe terrorist, nga gushti u bëmë korba dhe sorra dhe në fund sorosianë”, shkroi Vatnikaj.

Për politologun Altin Gjeta, përballja me publikime të tilla kërkon përgjegjësi nga mediat dhe aftësi më të mëdha të qytetarëve për të dalluar informacionin e verifikuar nga akuzat e pambështetura.

“Vetërregullimi dhe edukimi më i madh qytetar rreth raportimit të lëvizjeve sociale mbetet zgjidhja më e qëndrushme”, përfundoi Gjeta.

Megjithëse marrja e granteve, angazhimi qytetar apo qëndrimet politike nuk përbëjnë në vetvete prova për ndikim të paligjshëm, këto elemente po përdoren për të ngritur dyshime mbi pavarësinë e lëvizjes dhe të mbështetësve të saj.