Shoferët e kamionëve në protestë, kërkojnë të punojnë në vendet e BE-së pa kufizime kohore

Kufizimi i qëndrimit në zonën Shengen po pengon shoferët shqiptarë të transportit ndërkombëtar të ushtrojnë profesionin e tyre, duke rrezikuar vendet e punës dhe transportin e mallrave. Përmes një peticioni, shoferët i kërkojnë qeverisë shqiptare të nisë bisedimet me vendet e BE-së për leje të posaçme ose viza afatgjata, që do t’u mundësonin vazhdimin e punës.

Shoferët shqiptarë të transportit ndërkombëtar protestuan të hënën në Durrës, pasi kufizimi i ditëve të qëndrimit në zonën Shengen po i pengon të vazhdojnë punën.

“Ju jeni shoferë turistikë me kamion!”, tha për mediat protestuesi Çlirim Matushi, duke treguar se autoritetet italiane e trajtojnë njësoj si një turist, pavarësisht se udhëton për transportin e mallrave.

Matushi tregoi se ishte detyruar të gjente një shofer tjetër për të marrë kamionin e tij në Itali dhe për ta çuar në destinacion.

Por problemi nuk prek vetëm atë. Hasan Nezaj, një tjetër shofer që mori pjesë në protestë, tregoi se prej disa javësh kolegët e tij po kthehen nga kufiri, duke paralajmëruar se kjo situatë do të ketë pasoja edhe për ekonominë e vendit.

“Ka rreth një muaj që i kthejnë nga 2-3-5 veta. Nuk i kthejnë të gjithë njëherësh, pasi bëhet bllokadë e madhe. Kjo është bllokadë ekonomike”, tha Nezaj.

Shtetasit shqiptarë që udhëtojnë pa vizë në zonën Shengen mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditësh. Ky rregull zbatohet edhe për shoferët e kamionëve, të cilët për shkak të punës udhëtojnë vazhdimisht drejt vendeve evropiane.

Kontrolli i ditëve të qëndrimit është bërë më i rreptë me sistemin e ri elektronik të hyrje-daljes (EES), që regjistron hyrjet dhe daljet nga zona Shengen dhe që prej 10 prillit të këtij viti është plotësisht funksional.

Për të gjetur një zgjidhje, shoferët bënë publik gjatë protestës një peticion për të cilin po mbledhin firmat. Peticioni i drejtohet Kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në të, shoferët shpjegojnë se puna i detyron të kalojnë shpesh kufijtë dhe të qëndrojnë për shumë ditë në pritje të ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave.

“Prania jonë atje lidhet vetëm me kryerjen e punës dhe aspak me qëllimin për t’u vendosur”, shkruhet në peticion.

Shoferët i kërkojnë qeverisë shqiptare ta ngrejë këtë problem pranë Komisionit Evropian dhe të nisë bisedimet me Italinë dhe vendet e tjera të BE-së, për t’u mundësuar pajisjen me viza afatgjata ose leje të posaçme për ushtrimin e profesionit.

Ata kërkojnë gjithashtu t’u jepet përparësi në ambasada për pajisjen me viza dhe të kenë një pikë kontakti ku të marrin ndihmë për problemet në kufi.

Pjesë e kërkesave është edhe mbështetja për shoferët që janë kthyer nga kufiri dhe nuk mund të vazhdojnë punën, si dhe zhvillimi i një takimi me përfaqësuesit e institucioneve shqiptare.

Shoferët kërkojnë një përgjigje me shkrim brenda 30 ditëve nga dorëzimi i peticionit.

Problemi është ngritur edhe në nivel evropian. Në strategjinë për politikën e vizave, të prezantuar në janar të këtij viti, Komisioni Evropian ka pranuar se disa profesionistë, përfshirë shoferët e kamionëve, mund të kenë nevojë të qëndrojnë në vendet evropiane për më shumë se 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Komisioni ka shprehur synimin për të shqyrtuar rregulla të posaçme për këta profesionistë, ndërsa shoferët shqiptarë kërkojnë që edhe qeveria e tyre të përfshihet në gjetjen e një zgjidhjeje.