Durrësi turistik, qyteti ku “përvëlohesh” për një pikë uji në sheshet publike

Shtimi i numrit të turistëve dhe të shqiptarëve të diasporës që vizitojnë masivisht Durrësin sjell nevojën për shërbime publike cilësore dhe ekspozon mungesën e çezmave publike në sheshet qendrore, për tu freskuar përballë temperaturave ekstremisht të larta.

Temperaturat e larta u rikthyen këtë fund gushti dhe së bashku me to nevoja për t’i shpëtuar vapës dhe pasojave të saj, që shpesh herë janë kërcënuese për shëndetin e njeriut.

Ky sezon veror ashtu si zakonisht e ka shumëfishuar numrin e banorëve të Durrësit, që vijon të mbetet një destinacion turistik për turizmin masiv, i cili kombinon bregdetin, me turizmin kulturor dhe kulinar.

Përveç emigrantëve dhe shqiptarëve të Kosovoës e rajonit, shumë turistë nga e gjithë bota kanë zgjedhur bregdetin e Durrësit si destinacion të pushimeve, por ashtu si edhe vendasit ata përballen me një sfidë të përbashkët përballë temperaturave të larta, me nevojën për hidratim. 

I vetmi shatërvan që është gjithmonë aktiv në qytet, është në qendër të tij, por uji që rrjedh në të nuk është i lejueshëm për konsum, madje as nuk duket i përshtatshëm për të freskuar duart dhe fytyrën. 

Baseni i tij nuk pastrohet rregullisht, është i ndërtuar për funksion dekorativ dhe çdo tentativë për tu afruar tek pika e daljes së ujit kërkon që të zhysësh këmbët në ujë dhe të rrezikosh mbi terrenin e veshur me pllaka.

Megjithatë vapa ka detyruar shpesh herë kryesisht fëmijët që të futen në të, në përpjekje për të shuar nxehtësinë torturuese të verës, pamje të cilat janë bërë virale edhe në mediat sociale. Ndërsa turistët shpesh herë dallohen duke freskuar fytyrën dhe kokën me shishe uji plastike.

Shqipëria dhe qytetet e saja turistike po përballen me një interes në rritje të turistëve, por infrastruktura e shërbimit publik nuk duket të jetë e përgatitur. Faqet profesionale që ofrojnë këshilla për turistët e rendisin vendin në listën e atyre ku uji nuk mund të konsumohet për tu pirë.

“Në Shqipëri nuk duhet të pini ujin e rubinetit. Në vend të kësaj, blini ujë në shishe dhe përdorni ujin e rubinetit për të larë dhëmbët dhe për të gatuar”, rekomandon “TripSavvy”, një faqe që ofron këshilla profesionale për turistët.

Muaji korrik u regjistrua si më i nxehti në shekujt e fundit, referuar të dhënave që datojnë nga viti 1880. Nga ana tjetër ndryshimet klimatike kanë ndikuar në përkeqësimin e temperaturave dhe shtimin e fenomeneve agresive të motit.

Përballë kësaj situate çezmat publike të ujit në qytetet turistike si Durrësi janë kthyer në domosdoshmëri për kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin e vizitave ditore në monumentet antike dhe zonat turistike.

Nevoja e parë është ajo për freskimin e turpit, teksa uji i pijshëm duket një standard ende i largët. Ndërsa në zonat turistike mungojnë pikat publike të larjes me ujë të ëmbël për pushuesit, shërbim që ofrohet pjesërisht në plazhet private. 

Gjithashtu mungesa e pikave të larjes së shpejtë të automjeteve që dalin nga zona e plazhit shpesh herë nxit jo vetëm ndotjen, por edhe aksidentet në rrugët e mbushura me kokrriza rëre apo balte.

Vendosja e shatërvaneve dhe e çezmave publike në Durrës është emergjente së pari për arsye shëndetësore. Ulja e temperaturës trupore dhe hidratimi teksa banorët dhe vizititorët lëvizin nëpër qytet do të shmangte shumë urgjenca shëndetësore dhe kostot afatgjata që ato sjellin. 

Fëmijë duke mbushur një qese me ujë në shatërvanin në Sheshin Liria. Foto: Leart Berisha

Në qytetet evropiane si Vjena në Austri, uji sigurohet në zonat publike përmes burimeve alpine, ai është i ftohtë dhe ofrohet falas për të gjithë, duke rritur cilësinë e jetesës dhe të kushteve pritëse për turistët.

Në qytetet shqiptare dhe të nxehta si Durrësi, çezmat publike me ujë nuk do të ndikonin në vetëm ruajtjen e shëndetit publik, por edhe në reduktimin e mbetjeve plastike. E vetmja zgjidhje për turistët dhe banorët mbetet uji në shishe plastike, i cili përdoret për tu pirë apo për të freskuar trupin, duke sjellë si efekt anësor edhe më shumë mbetje plastike. 

Fqinjët tanë përtej Adriatikut janë shqetësuar shumë për mbetjet plastike sidomos në qytetet me veçori urbane, siç është Venecia. Autoritetet gjithnjë e më shumë po i nxisin turistët dhe banorët që të mos përdorin shishet plastike, por të mbushin ujë në çezma dhe në shatërvanët publik, duke i garantuar ata për cilësinë e tyre.

Sipas ekspertëve burimet e ujit janë të lehta për t’u gjetur dhe vetëm në qendrën historike numërohen 126 çezma apo shatërvanë publikë, të përhapur në të gjithë qytetin çdo 100 metra.

Çezmat publike duken kështu një alternativë shumë miqësore me mjedisin dhe tejet të dobishme për të mbajtur të hidratuar jo vetëm turistët, por edhe të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët.

Turistët veçanërisht mund të mbushin shishet e tyre shumë përdorimshe në çezmat publike të ujit, duke ndihmuar në ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të mjedisit të qytetit, që me bujari i mirëpret gjatë gjithë vitit.  

Nga ana tjetër Durrësi herë pas here po shfaqet në kronikat televizive si një qytet ku nuk ka më hotele të lira për turistët sepse janë rezervuar dhe ku monumentet e kulturës sipas autoriteteve kanë njohur shtim të numrit të turistëve.

Vetëm të shtunën dhe të dielën e parë të gushtit sipas Autoritetit Portual Durrës hynë 20.378 udhëtarë. Por i gjithë ky fluks vizitorësh kërkon një plan masash për ofrimin e ujit falas në sheshet publike, për të përballuar temperaturat ekstreme përgjatë stinës së verës.