“Shiten në treg për 5 mijë lekë”, Policia arrestoi 2 persona për trafikimin e veprave të artit

Policia e Fierit arrestoi dy persona dhe sekuestroi 107 vepra arti, të dyshuara si të trafikuara nga Greqia me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri. Një prej të ndaluarve i përkiste komunitetit rom, përfaqësues të së cilit kundërshtuan arrestimin dhe deklaruan se vepra të tilla i shisnin për pak lek, pasi i deklaronin në doganë.

Policia e Fierit njoftoi paraditen e së martës se kishte sekuestruar 107 vepra arti që dyshohet të jenë trafikuar në vendin tonë nga Greqia, me qëllim shitjen e tyre.

Sipas deklaratës për shtyp në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan 2 burrat që mendohet se ushtronin veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit dhe të kulturës, dyshime të cilat u kontestuan më vonë nga të njohurit e tyre.

“Gjatë operacionit, u ushtrua kontroll në dy banesa në qytetin e Fierit, ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 107 vepra arti, të dyshuara si të trafikuara nga shteti grek”, tha Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Lorenc Panganika.  

Sipas tij ndër veprat e sekuestruara kishte ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit. 

“Është sekuestruar dhe një kokë mermeri, e dyshuar e shekullit të dytë Para Lindjes së Krishtit.  Të gjitha këto me vlerë rreth 1.5 milionë euro, si edhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shteti grek”, tha Panganika në deklaratë. 

Sipas tij u bë arrestimi në flagrancë i 2 autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, 51 vjeçarit me iniciale Sh. K. dhe 57 vjeçarit me iniciale P. P., të dy banues në Fier. Ata akuzohen për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim. 

Por Panajot Alushi, një prej përfaqësuesve të komunitetit rom në Fier, e kundërshoti ndalimin dhe së bashku me familjarët e të ndaluarve theksuan se ata i tregtonin këto sende në tregun ambulant, duke i vlerësuar si objekte të vjetra dhe pa pasur informacion për vlerën e tyre historike apo artistike.

“Shpëtim Kalemin nuk e ka ndaluar Dogana Shqiptare apo Dogana Greke, që i kanë futur makinën atij dhe ka kaluar në skaner, ka paguar edhe 260 euro atje, Doganës Shqiptare, ato gjërat e vjetra që ne shesim 500 lek në treg, bujrum t’i bllokojë të gjitha tregjet. Ai po nxjerr kafshatën e bukës”, deklaroi Alushi për mediat.

“Duhen marrë masa, gjërat që janë kapur në banesën e Shpëtin Kalemit, për ne janë pa vlerë. T’i verifikojnë, ato janë gjëra që shiten me 500 lek, me 1000 lek”, shtoi ai. 

Sipas policisë nga hetimi gjatë operacionit të koduar “Vlera”, rezultoi se 2 burrat në bashkëpunim me persona të tjerë, që ende nuk janë identifikuar, kanë trafikuar vepra arti nga Greqia me qëllim shitjen e tyre.